Këto ditë, ndërsa i hidhet ndonjë shkarpë e lagur (sa për tym) “zjarrit” të mekur të debatit mbi ndryshimet kushtetuese, edhe kjo, ironikisht, më shumë nga ata që i frikohen ndryshimit, sesa nga pala tjetër që shpreson të marrë një të ngrohtë prej këtij “zjarri”, subkoshiencialisht realiteti që jetojmë m’u asociua me atë të imagjinuarin në satirën orwelliane të “Fermës së kafshëve”. Kafshët e fermës kishin gjithashtu Kushtetutën e tyre (“7 Urdhëresat”) që, përpara “revizionimit” prej derrave, përmbante një nen (nr. 7), i cili do të nderonte edhe njerëzit: “Të gjitha kafshët janë krijuar të barabarta”. Më pas, me ndryshimet kushtetuese (ç’paralele e dhimbshme dhe qesharake termash…!), ky postulat hyjnor (por, sidoqoftë, utopik) u shndërrua në: “Të gjitha kafshët janë krijuar të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”.(!)
Nejse, kthehemi te debati… . Dëgjova Kryeministrin të thoshte që ne (“Ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë …”, – kështu nis Kushtetuta, apo jo?) nuk preokupohemi shumë nëse Presidenti zgjidhet me 5/6 apo 7/5 e Kuvendit, përkundrazi, preokupimi ynë kryesor është rroga, pensioni, rruga dhe më madhori është viza. Eh, po, fatkeqësisht, vërtet ka shqiptarë që, për shkak të varfërisë dhe keqedukimit, interes të tyre të parë (dikush edhe të vetëm) kanë një thes miell e dy pako makarona (kujtoj ish-kreun e opozitës, Berisha, 1997-2005, ndërsa akuzonte një kandidate socialiste për blerjen e votës me thasë me miell atëkohë…), por, fatmirësisht, ka edhe shqiptarë të tjerë, gjithnjë e më të shumtë në numër, që shkojnë përtej kërkesave materialiste. Paradoksalisht, vetë Berisha thuhet se punon çdo ditë për orë të tëra që të na rrisë mirëqenien, duke na rritur kështu automatikisht nevojën për vlera të një lloji tjetër – metafizike, përtej rrogës e rrugës. Është evolucioni njerëzor, askush nuk mund ta ndalojë, veç ta vonojë a përshpejtojë. Njerëzit duan gjithmonë më shumë!
Qytetarët e këtij vendi po formësojnë përditë vetëdijen e tyre dhe ndihen në masë të pakënaqur me cilësinë e demokracisë së aplikuar, e cila është një surrogat i atyre perëndimore. Heqja e vizave po luan rolin e saj në lidhje me këtë, gjithashtu. Ndër intelektualët dhe profesionistët e së drejtës është e vendosur bindja se edhe ndryshimet kushtetuese ndihmuan në përkeqësimin e strukturës politike e kushtetuese. Duke i dhënë në letër mundësinë potenciale maxhorancës qeverisëse (të cilësdo ngjyre) të zgjedhë Presidentin e Republikës vetëm me votat e saj (gjysma plus një e deputetëve të Kuvendit), amendamentet kushtetuese të prillit 2008 ishin një shkelm demokratik në të ndenjurat njomëzake të Republikës së shqiptarëve. Në fakt, ndryshimi shkon në favor të demokracisë klasike, asaj ku shumica vendos në emër të të gjithëve, duke mos marrë absolutisht në konsideratë vullnetin e minorancave apo të individëve të paangazhuar. Pak kohë më parë, kësaj forme të qeverisjes i thërrisnim “diktatura e proletariatit”. Në teorinë perëndimore e gjejmë në togfjalëshin “diktatura e shumicës” ose “bandokracia”. Siç shkruante Medison-i që në 1789-n: “Tirania e legjislatorëve është aktualisht ankthi më i frikshëm dhe do të jetë i tillë për shumë vite. Ajo e Ekzekutivit do të vijë në vijim, në një kohë të mëvonshme”. Pikërisht për arsye të tilla të larta, me largpamësi, themeluesit e rendit të ri botëror (pjesë e të cilit po rropatemi të bëhemi) zgjodhën Republikën kundrejt Demokracisë, duke e kufizuar vullnetin shtypës të shumicave periodike përmes një kontrate madhore e vështirë të ndryshueshme (që e quajtën Kushtetutë), ku u sanksionuan të drejtat dhe detyrimet e pushteteve, ndarja e balancimi i tyre dhe, mbi të gjitha, një “shportë” (pa fund) lirish e të drejtash të padhunueshme, që njerëzit i gëzojnë thjesht e vetëm se lindin të tillë.
Në mënyrë që kontrata të respektohej dhe që (në fjalët e Lord Acton) pushtetit (cilitdo), i cili ka tendencë të korruptojë, e që kur është absolut ka tendencë të korruptojë absolutisht, t’i vihen kufizime në ushtrim, u krijuan edhe mekanizmat e garancisë dhe kontrollit. Mësimet e nxjerra nga mynxyrat e Luftës së II Botërore dhe mënyra se si fashistët dhe nazistët erdhën në pushtet (duke përfituar dhe manipuluar nga dhe me demokracinë), përpunuan akoma më tej strukturat mbrojtëse që, metaforikisht, do t’i lidhin duart demokracisë, në mënyrë që në kohëra turbullta, ajo të mos mbysë veten me duart e saj. E pra, kreu i shtetit (Presidenti) është një prej këtyre mekanizmave!
Ai është garant i Kushtetutës dhe, bashkë me Gjykatën Kushtetuese – që është mbrojtësja e saj, kanë për funksion e mision racionalizimin e vullnetit të shumicave parlamentare, në mënyrë që të ruajnë Republikën kushtetuese nga ekseset e demokracisë. Janë disa mekanizmat me të cilët Kushtetuta e ka pajisur Presidentin e Republikës në ushtrim të kësaj detyre. Formati i këtij shkrimi nuk na lejon t’i trajtojmë gjatë, por po përmend vetëm një prej tyre: mundësinë/të drejtën e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin në rast krize. P.sh., neni 96 i Kushtetutës përcakton se “Presidenti i Republikës, …, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend”. Çfarë mund të duket për dikë si blasfemi (e madje deri edhe injorancë e autorit të këtyre fjalëve), është plotësisht e pranuar nga e drejta kushtetuese perëndimore se, Presidenti mund të refuzojë të emërojë si Kryeministër individin e propozuar nga një koalicion, i cili qartësisht kontraston me votën e shumicës së popullit në zgjedhje. Kjo pasi në ushtrim të kompetencave të tij, Presidenti ka detyrimin të garantojë që vullneti popullor të prevalojë ndaj vullnetit parlamentar. Nëse dikush në këtë pikë do të ngrinte paralele me koalicionin mes PD e LSI në Parlament, me pretendimin se ai është një bashkim votash i pavotuar (si i tillë) nga shumica e shqiptarëve në 2009-n, e rrjedhimisht në thelb antidemokratik, personalisht gjykoj se ky koalicion nuk do të mund të refuzohej nga cilido President i Republikës, pasi në këtë rastin tonë pa rrugëdalje, kreu i shtetit do të vihej përballë dy kërkesave: a) funksionimit të qeverisjes së vendit dhe b) përputhshmërisë mes vullnetit të deputetëve dhe atij të popullit, ku logjikisht do të merrte prioritet e para. Them “logjikisht” për shkak të produktit absurd që kushtëzon ligji ynë elektoral (sikundër është), i cili edhe në hipotezën e shpërndarjes së Kuvendit nga Presidenti (duke i dhënë përparësi kërkesës së dytë), sërish do të sillte të njëjtat numra e ngjyra në Parlament. Zgjedhjet vendore sapo e vërtetuan këtë.
U zgjata disi me këtë prerogativë presidenciale për të treguar se Presidenti duhet, ai i duhet popullit dhe i duhet i tillë që, bashkë me Gjykatën Kushtetuese, të garantojnë e mbrojnë të drejtat e çdo shqiptari, vlerat demokratike dhe kushtetuese kur këto kërcënohen nga ligje të Parlamentit, akte të Ekzekutivit dhe manovra politike të paprincipta.
Presidenti që, potencialisht në letër, mund të zgjidhet vetëm me votat e maxhorancës qeverisëse në Kuvend nuk është Presidenti që do të mund të kryejë misionin e paraparë për të nga Kushtetuta kur e ka konsideruar “Kryetar të shtetit dhe përfaqësues të unitetit të popullit”(neni 86, pika 1). Formula aktuale e zgjedhjes së Presidentit, e prezantuar me amendamentet kushtetuese të prillit 2008, është në kundërshtim me parimet kryesore kushtetuese, që janë edhe kolonat mbajtëse të Republikës. Presidenti është përzgjedhur nga Kushtetuta si “përfaqësues i unitetit të popullit” pikërisht në kuptim të mënyrës se si zgjidhej deri dje, pra me votën pro të 3/5 të deputetëve, të cilët (në mënyrë abstrakte) përfaqësojnë 3/5 e vendit – pra, një shumicë tepër të madhe të shqiptarëve, e jo ngushtësisht gjysmën plus një (votë) të tyre. Jo, një funksionar i tillë, që zgjidhet vetëm prej një vote (të menduar a “rastësore” qoftë) djathtas a majtas, gjithkush e kupton se nuk mund të jetë “përfaqësues i unitetit të popullit”! Duke qenë produkt i pastër i vullnetit të maxhorancës, funksionet kushtetuese të këtij individi (edhe engjëll i rënë nga qielli qoftë ai si njeri) dhunojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Mjafton vetëm prania e tij si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (e ashtuquajtura “qeveri e Gjyqësorit”), për ta argumentuar shkeljen. Në këtë mënyrë, i njëjti grupim a koalicion politik që ka maxhorancën në organin legjislativ (Kuvend), ka edhe Ekzekutivin dhe ushtron, pa asnjë dyshim, një ndikim të jashtëzakonshëm dhe ekstrakushtetues mbi Gjyqësorin.
Sa për opozitën, uroj që shqetësimi i saj për ndryshimin e ndryshimeve kushtetuese që ajo vetë “gatoi” këtu e 3 vjet më parë, të mos jetë thjesht e vetëm shantazhimi me zgjedhjet e parakohshme që parashikon neni 87, pika 5 e Kushtetutës në rastin kur “edhe pas votimit të pestë, asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar”, por detyrimi moral dhe ligjor për rikthimin e integralitetit kushtetues dhe të vlerave të cenuara republikane. Sjell në vëmendje se integraliteti përbën një nga dy tiparet specifike (tjetri është forca juridike e jashtëzakonshme) që lejojnë kuptimin e një kushtetute si dokument ligjor e filozofik. I parë më vete, integraliteti konsiderohet nga doktrina si elementi unik që përcakton natyrën hermeneutike të një kushtetute. Duke qenë “pemë e gjallë”, prerja e një dege, e jo më e një rrënje, ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e saj.
Sa për shantazhin, përtej çdo diskutimi teorik (praktika shqiptare gjithsesi mund të provojë edhe se 2+2=5), formula kushtetuese aktuale jo vetëm që ia lejon këtë opozitës, por madje ia mundëson lehtësisht. Sjell në vëmendje të lexuesit se, gjatë të gjithë shkrimit jam shprehur se maxhoranca, potencialisht në letër, mund ta zgjedhë Presidentin e ardhshëm vetëm si produkt të vullnetit të saj, duke prezumuar a priori respektin dhe respektimin e detyrimeve kushtetuese nga ana e opozitës. Një detyrim i tillë është edhe zgjedhja e Presidentit, ndaj edhe çdo deputet, i cili, përpara se të marrë mandatin betohet në nderin e tij “se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputet i popullit në Kuvend” (sipas nenit 4 të Rregullores së Kuvendit), duhet të marrë pjesë në procedurën në fjalë dhe të votojë pro, kundër apo të abstenojë, por gjithsesi, të jetë prezent në sallë. Nëse opozita do t’i përgjigjet këtij detyrimi, atëherë gjasat janë që Presidenti të zgjidhet në votimin e katërt ose të pestë, pasi të ketë marrë thjesht votën e maxhorancës. Përndryshe, nëse opozita do të bojkotojë seancën e zgjedhjes së Presidentit, atëherë kuorumi prej 3/5 e deputetëve për çeljen e saj nuk arrihet dhe, praktikisht, procedura e zgjedhjes së Presidentit nuk mund të fillojë. Precedenti më i afërt në kohë dhe hapësirë që mbështet gjithë sa më lart është ai i (mos)zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Pacolli. Ndër dy argumentet e rreshtuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që, me vendimin e saj (Nr. KO 29/11) e konsideroi procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës si antikushtetuese, i dyti kishte të bënte pikërisht me mungesën e shumicës së cilësuar nga Kushtetuta për nisjen e kësaj procedure. Neni 69, paragrafi 3 i Kushtetutës së RK parashikon se: “Kuvendi i Kosovës ka kuorum kur më shumë se gjysma (1/2) e deputetëve të Kuvendit janë të pranishëm”. Megjithatë, në lidhje me procedurën speciale të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Gjykata, në vendimin e sipërcituar u fokusua te neni 86 i Kushtetutës që parashikon se në dy raundet e para kandidati fitues është ai që arrin “një shumicë prej 2/3” dhe u shpreh se: “… pjesëmarrja e më pak deputetëve nga numri i kërkuar nga neni 86 i Kushtetutës, e bëri procedurën e votimit gjithashtu të pavlefshme”. Në lidhje me këtë, neni 78, pika 1 e Kushtetutës së RSH, ndryshe nga neni 69 i cituar më lart, nuk lë fare hapësirë për debat, pasi përcakton qartë se: “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”. Në vijim, neni 87, pika 3 e Kushtetutës së RSH parashikon se: “Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Rezulton qartë se, në lidhje me këtë vendimmarrje, Kushtetuta ka parashikuar një shumicë të cilësuar. E theksoj, rasti i gjykuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës është identik dhe, për rregullime identike, nuk mbetet shumë për të debatuar.
Opozita në Parlamentin shqiptar, pra, mund të pamundësojë zgjedhjen e Presidentit të ri (apo rizgjedhjen e Presidentit aktual) deri në një afat të papërcaktuar! Opozita, sidoqoftë, nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Gjatë kësaj periudhe, në respekt të frymës së Kushtetutës, zoti Topi do të vijojë të jetë President i Republikës. Me shumë gjasë, mund të kemi një déjà vu të “dramës” kosovare edhe nga kjo anë e kufirit, me zgjedhjen (fakt i kryer) të një Presidenti vetëm me votat e maxhorancës edhe nëse opozita bojkoton dhe, me një vendim vijues të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, që do ta shpallte procedurën antikushtetuese. Përndryshe, “drama” kosovare do të shndërrohej në një “komedi” mbarëshqiptare, duke i shndërruar institucionet e shqiptarëve këtej e andej kufirit në qesharake.
Duke përfunduar, në respekt të vlerave kushtetuese dhe të dinjitetit të institucioneve, uroj që gjithë sa më lart të mos realizohet kurrë. Nga ana tjetër, po në respekt të vlerave kushtetuese dhe të dinjitetit të institucioneve, uroj që procedura e zgjedhjes së Presidentit të amendohet sërish (sipas meje, jo përmes një rikthimi shabllon të formulës së parë – tepër e rëndë në gjykimin tim), për ta sjellë këtë institucion në parametrat e kërkuar nga Kushtetuta: përfaqësues real të unitetit të popullit. Sepse një i tillë duhet; i duhet popullit shqiptar që, nesër, të mund të jetë krenar dhe i vetëdijshëm për historinë e tij të sotme.
© Panorama.al












