Kujdesi për mjedisin, KESH strukturë të veçantë

Sep 24, 2011 | 12:20
Godina e KESH

Jo vetëm gjeneruesi më i madh i energjisë në vend, por edhe kompani e përgjegjshme për të mbrojtur mjedisin. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në strukturën e saj ka edhe Njësinë e Menaxhimit të Mjedisit, e cila ka për detyrë që të kujdeset për masat ndaj ndotjes së hidrocentraleve dhe termocentraleve në vend. Për ekspertët e KESH-it, kjo është një nismë e ndërmarrë prej kohësh, por që synon që të rritë gjithmonë e më shumë përgjegjësinë për mbrojtjen e mjedisit si pjesë e strategjisë që korporata zbaton. “Strategjia mjedisore e korporatës ndërtohet në përputhje me legjislacionin europian dhe atë vendës për mjedisin. Madje, për të mbrojtur mjedisin nga ndotjet e hidrocentraleve dhe termocentraleve në strukturën institucionale të KESH-it është ngritur Njësia e Menaxhimit të Mjedisit”, shprehen ekspertët. Në fakt, njësia që funksionon pranë KESH, me synimin e mbrojtjes së mjedisit, prej kohësh bashkëpunon edhe me njësitë e tjera apo me ministritë përkatëse, duke përgatitur plane masash për menaxhimin e mjedisit për të gjithë strukturat e KESH-it. Sigurisht, gjithçka ka qenë e koordinuar dhe në përputhje të plotë me Bashkimin Europian, Bankën Botërore dhe udhëzuesit të ISO 14001. Në Janar 2005, Shqipëria nisi punën për përgatitjen e Planit Kombëtar të Veprimit mbi Ndotësit Organik të Qëndrueshëm (NOQ), si kërkesë e Konventës së Stokholmit. Qëllimet e Konventës janë eliminimi i prodhimit dhe përdorimit të NOQ-ve (PCB), si dhe të stoqeve ekzistuese të tyre. Në kuadër të respektimit të kërkesave të Konventës, Njësia e Menaxhimit të Mjedisit, nëpërmjet konsulencës së huaj, përgatiti raportin për inventarizimin e PCB-ve (polychlorinated biphenyls), pjesë e projektit për parandalimin e NOQ-ve në Shqipëri, si dhe hartoi politikat mjedisore dhe planveprimet mbi parandalimin e rrjedhjes së vajrave dhe substancave të klasifikuara si të rrezikshme, kontrollin dhe masat zbutëse/eliminuese ndaj tyre, përgatitjen për përballimin e situatave emergjente për të parandaluar dhe zbutur ndikimet në mjedis të ndotësve të rrezikshëm. Nëpërmjet këtij procesi syn het zbatimi i aksioneve të nevojshme për parandalimin dhe zvogëlimin e ndotjeve, përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes mjedisore, shkarkimet në mjedis brenda vlerës së normave të lejuara, si edhe trajnimi dhe ndërgjegjësimi i personelit që ka në shfrytëzim këto pajisje.
Gjithashtu, me qëllim sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për rëndësinë e vlerësimit të ndotjes së mjedisit dhe ndikimit të saj në shëndetin e tyre, në qershor 2009 u nënshkrua një marrëveshje me komunitetin e quajtur “Vlora Eco Watch”. Firmëtarë të kësaj marrëveshjeje ishin universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, Këshilli i Qarkut të Vlorës, disa organizata joqeveritare lokale dhe kombëtare me fokus mjedisin, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe njësia e saj TEC Vlorë. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, palët nënshkruese që përfaqësojnë opinionin e gjerë publik, kanë të drejtë të ushtrojnë kontrollet e tyre mjedisore, të konsultohen me Njësinë e Menaxhimit të Mjedisit dhe të japin kontributin e tyre në këtë proces. Ekspertët e KESH-it bëjnë të ditur se Korporata  Elektroenergjetike Shqiptare dhe termocentrali i Vlorës në mënyre të vazhdueshme do të publikojnë të dhënat mjedisore që do të monitorohen gjatë fazës së shfrytëzimit, si dhe çdo ndërhyrje ose përmirësim të ri teknologjik në këtë objekt.

Eficienca e energjisë dhe mjedisi
Iniciativa e KESH-it lidhur me kujdesin ndaj mjedisit ka shkuar përtej planit të masave, duke rritur mbi të gjitha edhe ndërgjegjësimin qytetarëve për përdorimin me eficiencë të energjisë. Jo të pakta kanë qenë aktivitetet informuese mjedisore. Kjo nismë është një bashkëpunim i KESH-it dhe Termocentralit të Vlorës. Në ambientet e TEC-it është ngritur një qendër për edukimin mbi përdorimin eficient të energjisë elektrike për nxënësit e shkollave të niveleve të ndryshme. Në kuadër të kësaj iniciative u sigurua nëpërmjet një marrëveshje me qeverinë gjermane një minicentral diellor fotovoltaik, i cili u montua pranë ambienteve të qendrës dhe u bë lidhja me sistemin energjetik të saj për furnizim të pjesshëm me energji të rinovueshme (energjia e prodhuar nga centrali diellor fotovoltaik). Në këtë kontekst, do të jepet ideja e kombiminit të burimit të rinovueshëm (dielli) me burimin e lëndës fosile (lënda djegëse e përdorur për prodhim energjie elektrike), për të sensibilizuar komunitetin (veçanërisht të rinjtë) me konceptin e prodhimit të energjisë së pastër dhe përdorimit eficient të saj.

© Panorama.al

Te lidhura