Parlamenti ka votuar me 73 vota pro të maxhorancës ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Pas një seance që ka zgjatur nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 21.00, shumica ka miratuar kufizimin e imunitetit të anëtarëve të Parlamentit, si dhe shtimin e dënimeve për deputetët që shkelin rregulloren. Opozita, e cila ishte e pranishme gjatë gjithë seancës u largua gjatë votimit, pasi kërkoi që të përfundonte diskutimi i ligjeve dhe më pas të kalohej në votim. Nga ana e saj, kryeparlamentarja Topalli tha se votimi do të zhvillohej në orën 20.30, siç ishte vendosur në seancë, me propozimin e PD-së.
Debatet
Kryeministri Sali Berisha e quajti historik vendimin e djeshëm të Parlamentit për kufizimin e imunitetit të deputetëve, për rastet e korrupsionit pasiv dhe aktiv. Ai sulmoi ashpër Partinë Socialiste, e cila e ka kundërshtuar këtë nismë, me pretendimin se ajo bie ndesh me Kushtetutën. “Nuk kufizohet asnjë e drejtë e juaja dhe nuk do kufizohet kurrë. Ne ju kemi respektuar ju dhe do ju respektojmë në mënyrë të padiskutueshme, por çdo respekt, çdo e drejtë do të jetë në përputhje me ligjet e këtij vendi dhe me Kushtetutën”. Kreu i qeverisë u shpreh i hapur për të bashkëpunuar me opozitën, lidhur me ndryshimin e Kushtetutës në nenin për imunitetin e zyrtarëve të lartë. “Ju zotërinj, që sot bëni apologjinë e korrupsionit, do të ishit plotësisht të besueshëm në çdo fjalë, në rast se do të kishit depozituar nenin për ndryshimin e Kushtetutës, ofertë të cilën jua bëmë një javë më parë dhe sërish është ofertë e hapur. Në momentin që ju do të hartoni nenin për ndryshimin e Kushtetutës, unë rezervoj të drejtën t’ju falënderoj me mirënjohje para shqiptarëve. Jo se unë nuk e di se çfarë përfaqësoj, por sepse këtë më imponojnë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe ato mbizotërojnë gjithmonë mbi mua”, tha Berisha. Ndërsa nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se ajo e djeshmja ishte një seancë e turpshme dhe një ditë e zezë për parlamentin. Ai shtoi më tej se nisma e maxhorancës është antikushtetuese. “Ka një pyetje elementare, që duhet të marrë detyrimisht një përgjigje. Është kushtetuese kjo nismë? Për këdo që njeh kushtetutën si ligj suprem dhe jo rregulloret që shpik Saliu dhe salinjtë e tij qesharakë, nuk ka asnjë dyshim: është nismë antikushtetuese”, tha Xhafaj. Sipas tij, “ta themi në mënyrë më të thjeshtë. A shtrihet ky vendim mbi të gjithë funksionarët e lartë shtetërorë? Jo! Ministrat pa mandat deputeti, gjyqtarët dhe cilido funksionar tjetër që gëzon këtë mbrojtje ligjore, është jashtë fushës së veprimit të kësaj nisme”.
Rregullorja
Ndryshimet e miratuara dje në rregullore prekin imunitetin e deputetëve dhe masat disiplinore. Konkretisht, me hyrjen e tyre në fuqi, të gjithë deputetët do të bëjnë një deklaratë me shkrim, ku i njohin vetes kufizimin e imunitetit për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv. Nëse Prokuroria do të kërkojë ndjekjen penale ndaj një deputeti që ka firmosur deklaratën, nuk do të jetë e nevojshme që procedura të kalojë përmes votimit në Parlament. Ndërsa për sa i përket masave disiplinore, deputetët që qëndrojnë më shumë se 3 minuta në foltore pasi t’u ketë përfunduar koha, përjashtohen me 21 ditë nga Kuvendi.
Neni 73 i Kushtetures
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
Rregullorja e re
Fillimi i ndjekjes penale për veprat penale të përcaktuara në nenin 1 të këtij vendimi, për të cilat është vendosur kufizimi i imunitetit, mund të bëhet jo më herët se 24 orë pas dërgimit të njoftimit me shkrim kryetarit të Kuvendit dhe deputetit që është subjekt hetimi (kur qëllimi i hetimit e lejon) nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari i Kuvendit vë në dijeni Kuvendin për kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm në seancën më të parë plenare. Për legjislaturën aktuale, deputetët depozitojnë tek kryetari i Kuvendit pëlqimin me shkrim për kufizimin e imunitetit sipas nenit 1 (korrupsioni aktiv dhe pasiv), brenda 10 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Ligjet e miratuara
Në përfundim të debatit mbi kufizimin e imunitetit janë votuar vetëm me votat e maxhorancës një sërë ligjesh dhe marrëveshjesh, të futura në rendin e ditës. Kështu, me 73 vota pro janë votuar marrëveshja me Belgjikën për transferimin e personave të dënuar dhe aderimi i Shqipërisë në konventën për sigurinë e lëndëve djegëse. Njëkohësisht është miratuar edhe marrëveshja për koncesionin e pullave fiskale, si dhe projektligji “për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”
© Panorama.al











