“Ku jeni ju patriotët e stadiumeve dhe koncerteve?!” – Robert Aliaj thirrje shqiptarëve: Lëvizni dhe protestoni! Patriotizmi i vërtetë është të ngrihesh në këmbë kur vendi është në rrezik

Jul 4, 2026 | 17:48

Artisti Robert Aliaj iu ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të ngrihen dhe t’iu bashkohen mijëra atyre që protestojnë prej më shumë se një muaji kundër qeverisë së Edi Ramës.

robert aliaj protesta

Përmes një videoje në rrjete sociale, Aliaj shtron pyetjen se ku ndodhen ata që bëjnë patriotin nëpër stadiume dhe koncerte ndërsa Tirana po “zien” nga protestat, duke shtuar se patriotizmi i vërtetë nuk tregohet thjesht duke thirrur “O sa mirë me qenë shqiptar”, por duke u ngritur në këmbë kur vendi ndodhet në rrezik.

“Ku jeni ju patriotët e stadiumeve dhe koncerteve tallava, ju me tatuazhe të Shqipërisë së madhe që ulërisni me histeri. Por kur atdheu digjet, pse strukeni si minj? Kur ti nuk je në gjendje të mbrosh fëmijën tënd, ti nuk e meriton atë. Ti patrioti njëpërdorimsh, Kush të ka tredhur ty?

Patriotizmi i vërtetë nuk është kënga e xhamadanit që shpërthen nga xhamat e makinave luksoze me të ardhura prostitucioni dhe droge, Nuk janë këngët e pasinqerta për shqipët që i keni shfarosur për t’i ngrënë apo balsamosur, as droga, as kriminaliteti, as korrupsioni. Jooooooo, nuk janë patriotizëm.

Patriotizmi i vërtetë kushton diçka zotërinj. Kushton më tepër se liria. Prandaj lëvizni, bëni një herë diçka në jetën tuaj. Protestoni. Patriotizëm i vërtetë do të thotë besnikëri, të jesh i betuar për diçka më të madhe se vetja.

Patriot i vërtetë është një i dashuruar me jetën, i lirë në hapësirë, nuk bën pazare, nuk vjedh vendin e tij, nuk vjedh votën, as nuk e shet. Refreni i Patriotizmit të vërtetë nuk është “O sa mirë me qenë shqiptar”. Patriotizëm i vërtetë është rituali i atij që ngrihet në këmbë kur atdheu është në rrezik.”, thekson ai.

© Panorama.al

Te lidhura