Ku do të votojnë krerët e politikës

May 8, 2011 | 11:17

Presidenti, kryeparlamentarja, lideri i Partisë Demokratike, si dhe dy kandidatët PS-PD për Bashkinë e Tiranës nuk do të kenë përplasje për vendin se ku do të hedhin votën.Ata do të votojnë jo vetëm në qendra të ndryshme, por edhe në njësi bashkiake të ndryshme. Emrat e tyre verifikohen lehtësisht në listën përfundimtare të zgjedhësve për 8 majin, e cila gjendet në formë elektronike në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Brendshme, te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe te Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Kryetari i shtetit Bamir Topi dhe bashkëshortja Teuta do të votojnë në shkollën “Servete Maçi”, që i përket Njësisë Bashkiake Nr. 9. Burime pranë Presidentit informojnë se ai do të votojë gjatë paradites në këtë shkollë që gjendet në Rrugën e Dibrës, në krah të djathtë teksa shkon drejt Medresesë. Shefi i Qeverisë, njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të votojë në të njëjtën qendër votimi si në zgjedhjet parlamentare. Ai rezulton i regjistruar në Njësinë Bashkiake Nr. 2 dhe votën do ta hedhë në qendrën e ngritur në ambientet e Liceut Artistik. Në të njëjtën qendër me Kryeministrin do të votojë edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, do të votojë në Njësinë Bashkiake Nr. 8, në qendrën e votimit që është instaluar në Çerdhen Nr. 13, që gjendet në Rrugën Bardhyl. Ndërkaq, lideri i Partisë Socialiste, që kandidon për një mandat të katërt për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, do të votojë në Njësinë Bashkiake Nr.7 në Tiranë, në shkollën “Pjetër Budi”, pranë Institutit të Historisë. E veçantë mbetet kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila do të përmbushë të drejtën e saj kushtetuese duke votuar në Shkodër. Ajo është e vetmja figurë e rëndësishme e politikës, e cila nuk figuron si zgjedhëse në qytetin e Tiranës, por do të shkojë të votojë në lagjen “N. Mazi”, në Shkodër. Njësia bashkiake më e populluar me VIP-at e politikës duket se është ajo numër 5, ose siç njihet ndryshe, ish-Blloku. Në qendrat e votimit të kësaj zone do të hedhin votën bashkëshortët Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi (Kopshti Nr. 31), por edhe figura të tjera nga LSI-ja, si: nënkryetari Petrit Vasili (Kopshti Nr. 42), kandidatja për këtë minibashki, Erisa Xhixho (shkolla “Emin Duraku”) etj. Në ish-Bllok rezulton gjithashtu kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu (Kopshti Nr. 11, blloku “1 maji”), lideri i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi (shkolla “Edit Durham”), kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo (shkolla “Dëshmorët e Lirisë”), ministri Genc Pollo (shkolla “Emin Duraku”), koordinatori i Partisë Socialiste, Erjon Veliaj (shkolla “Fan Noli”) etj. Më në periferi nga të gjithë personalitetet politike duket se do të votojë kandidati për Bashkinë e Tiranës nga Partia Komuniste, Hysni Milloshi. Ai është i regjistruar në Njësinë Bashkiake Nr. 3 dhe do të votojë në shkollën 9-vjeçare “Xhezmi Delli”, që gjendet në rrugën “Kongresi i Manastirit”.

Mijëra emigrantë kthehen për të votuar

Mijëra emigrantë nga Greqia kaluan kufirin gjatë 24 orëve të fundit, me qëllimin për të votuar në zgjedhjet që do të mbahen ditën e sotme. Burime nga pika kufitare e Kakavijës bënë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit kaluan kufirin 5 mijë emigrantë dhe qindra mjete. Ndërsa në pikën kufitare të Kapshticës janë regjistruar 2500 emigrantë dhe 800 mjete. Në të dy pikat doganore, emigrantët deklaruan se do të ktheheshin sërish në vendet e tyre të punës pasi të votonin për zgjedhjet vendore të 8 majit. Ata kanë ardhur më së shumti të organizuar me autobusë, pa krijuar probleme të qarkullimit ndërkufitar në doganë.

Më shumë politikanë në zonën e Berishës

Në Njësinë Bashkiake Nr. 2, pra aty ku është i regjistruar si zgjedhës Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ndodhen edhe një numër i madh politikanësh. Këtu figuron presidenti i Asamblesë së Nderit të Partisë Republikane, Sabri Godo, i cili do të votojë në qendrën e ngritur në shkollën “Hoxha Tahsim”; kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka etj. Ndërkaq, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ashtu si gjithmonë, rezulton si votues në shkollën “Dora Distria”, në Njësinë Bashkiake Nr. 10.

 

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura