
Skënderbeu po përjeton ditë të vështira, po nëse në fundjavë nuk rrëmbejnë një fitore ndaj Shkumbinit, në Korçë shpallet kriza.Nga Durrësi ku ndodhet skuadra, në një prononcim për gazetën, trajneri Shpëtim Duro jep alarmin, ndërsa kërkon fitoren me Shkumbinin në shtëpi, që të mos shpallë zyrtarisht krizën.
“Nëse nuk fitojmë me Shkumbinin këtë fundjavë, atëherë duhet të shpallim krizën e Skënderbeut. Peqini është ndeshja e fundit e shansit që kemi për të ndryshuar. Unë besoj se do t’ia dalim dhe pres që lojtarët të reagojnë në fushë”. Kampionët, pas një barazimi me dinjitet me beratasit, kanë shfaqur anën më të keqe të tyre, duke marrë një barazim ndaj Dinamos. “Në këtë fillimkampionati skuadra vjen me dy rezultate të njëjta, por me lojë krejt të kundërt nga njëra-tjetra. Teksa me Beratin patëm një barazim ku u prodhua një lojë e mirë gjatë pjesës së dytë, barazimi me Dinamon ishte thjesht i shëmtuar. Nuk ka funksionuar asgjë në fushën e lojës. Është e dhimbshme ta thuash, por kjo ndeshje ishte skandaloze nga ana e futbollistëve. Lojtarët u përfshinë në ngërç, duke mos mundur të jepnin atë për të cilën ishin në fushë. Presioni ynë më i madh është se kemi objektiva për të realizuar dhe na nevojiten rezultatet. Gjithsesi, unë shpresoj që ta kalojmë këtë moment”, ka deklaruar njëshi i pankinës korçare. Në dy javët e para, kampionët nuk kanë shënuar asnjë gol, në një kohë që kalendari nga ana e tyre të paktën për 4 javët e para të këtij sezoni ishte konsideruar i lehtë. “Në letër ndeshjet na dukeshin mjaft të lehta, ndërsa tani mund të thuhet me bindje se nuk ka më ndeshje të lehta, aq më pak me situatën ku ndodhemi. Kemi ndeshjen e kupës në mesjavë, por ajo që na intereson është kampionati, për të cilin do kemi të gjithë vëmendjen tonë. Natyrisht, fitorja në kupë do kishte një efekt psikologjik pozitiv, por tani nuk na lejohen më gabime”, ka shtuar më tej tekniku Duro. Bilanci i Skënderbeut është vetëm 2 pikë në dy javët e para dhe kjo nuk është alarmante, por fakti që skuadra nuk po shënon, është më shqetësues. Ndërkaq, Duro lëshon ultimatumin për takimin me peqinasit në shtëpi, gjë që do të thotë se ky ekip do të ketë të garantuar vazhdimësinë e tij. Sigurisht që Duro ka peng që në ndeshjen me Dinamon nuk kishte në lojë kapitenin Shkëmbi, shërbimet e të cilit kanë qenë shumë më tepër se të nevojshme.











