Kthehej nga qyteti, vritet 100 metër larg shtëpisë 60-vjeçari

Dec 13, 2011 | 14:09

PUKE – Vritet me një plumb në kokë një 60-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Gjegjan të rrethit Pukë, ku Gjon Prendi është gjetur i vrarë me armë zjarri 100 m larg banesës. Burime nga drejtoria e policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20.30 të mbrëmjes së hënës, kur persona ende të paidentifikuar, pasi i kishin zënë pritë më parë, kanë qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në drejtim të 60-vjeçarit, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Të parët që e kanë gjetur të shtrirë përtokë kanë qenë një nga djemtë tij si dhe nipi. Si viktima, ashtu edhe djali me nipin paraditen e së hënës kishin qenë në qytetin e Shkodrës për të kolauduar makinën e djalit të viktimës. Në drejtorinë e kolaudimit ka pasur shumë radhë dhe shërbimi i kolaudimit po vonohej. Në këto rrethana, 60-vjeçari Prendi nuk ka pritur më, por ka vendosur që të kthehej në shtëpinë e tij me autobusin e linjës Shkodër-Pukë dhe më pas me një furgon për në fshatin Gjegjan të Pukës. Personi që ka vrarë 60-vjeçarin, duke përfituar nga errësira dhe nga fakti që Prendi ishte kthyer vetëm i kanë zënë atij pritë në një kthesë të rrugës, rreth 100 metër larg banesës së viktimës. Sapo Prendi është afruar pranë autorit, ai e ka qëlluar me pistoletë, me një plumb në kokë. Pas kësaj autori është larguar në drejtim të paditur duke përfituar nga errësira si dhe terreni i thyer e malor. Trupi i viktimës është gjetur buzë rrugës ku e kanë qëlluar, nga djali dhe nipi i tij të cilët po ktheheshin nga Shkodra. Më pas ata kanë njoftuar edhe shërbimet policore, të cilat me të mbërritur në vendin e ngjarjes kanë filluar menjëherë nga hetimi për zbardhjen e krimit. Sipas policisë, zbulimi i kësaj ngjarjeje është tejet e vështirë pasi viktima ashtu edhe siç kanë pohuar banorët e zonës, por edhe familjarët gjatë marrjes në pyetje, njihej për njeri korrekt. “Kur ke të bësh me një person të tillë, që nuk ke asnjë indicie për të ngritur ndonjë pistë të mundshme apo për të identifikuar autorin e ngjarjes, është tepër e vështirë për të hetuar rastin në fjalë”, pohojnë burime pranë drejtorisë së policisë së Shkodrës. Për momentin pisa më e mundshme mendohet të jetë ajo e ndonjë tentative grabitjeje. Ndoshta autori, duke përfituar nga rasti që viktima po kthehej vetëm për në banesë, në errësirë në një rrugë të një komune rurale, i ka dalë para me shpresën se mund të marrë ndonjë send me vlerë nga Prendi.                                 r.d

Viktima, baba i tre fëmijëve
Viktima Gjon Prendi ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajze. Djali i tij i madhi ishte i martuar, djali i dytë beqar, ndërsa e bija është studente në Universitetin e Shkodrës, dega Psikologji. Nga burime pranë fshatit Gjegjan mësohet se viktima, po ashtu edhe familjarët e tij ishin persona të qetë, që shihnin punën e tyre dhe që nuk kishin asnjë problem me ndonjë person. Kthimi i viktimës vetëm në atë orë e tregon më së miri që ai nuk kishte probleme dhe se nuk i frikësohej askujt.

© Panorama.al

Te lidhura