
GJIROKASTER- Kryqi hidhet në kazan dhe merret nga prifti i kishës. Kjo ka ndodhur në Gjirokastër në ditën e shënuar të ujit të bekuar ku festohet tradicionalisht me hedhjen e kryqit në ujra të Rrjedhshme.
Duket se rrebeshi i shiut i cili mbizotëroi qytetin përgjatë ditës së premte pa pushim, ka trembur “pa masë” klerikët ortodoksë lokalë të cilët janë mjaftuar veçse t’i bien rreth e rrotull kishës së Shën Mihajllos në lagjen Varrosh dhe më pas të hyjnë brenda duke respektuar ritin fetar të hedhjes së kryqit.
Kryqi është hedhur nga priftërinjtë ortodoksë At Theodhori dhe At Dhionizi në kazanin metalik që shërben për pagëzime dhe është tërhequr po nga ata dhe nga një fëmijë dy vjeçar duke simbolizuar në këtë mënyrë pagëzimin e Krishtit në ditën e ujit të bekuar.
Është rasti i dytë në pesë vitet e fundit që kryqi hidhet në kazanin e Kishës Ortodokse të Shën Mihajllos në Lagjen “Varrosh” të Gjirokastrës në ambjentet e brendshme të saj përfshirë edhe ceremoninë tradicionale me psalma dhe thirrje për një vit të mbarë dhe të paqtë.
Dhjetra besimtarë ortodoksë, kanë shprehur zemërim jo për motin e keq i cili pushoi në orën 11, por për veprimin e klerikëve ortodoksë të cilët u nxituan më tepër se c’duhet duke e kryer ceremoninë tradicionale një orë më herët se c’duhej. Ndërkaq në kishat ortodokse të fshatrave të Dropullit, kryqi është “pagëzuar” në rjedhat e përrenjve apo të Drinos, duke sfiduar në këtë mënyrë kapriciot e motit të keq.
Piro Nase
© Panorama.al











