Kryebashkiaku dhe ndërkombëtarët

May 25, 2011 | 10:44

ALFRED CAKO

Gjithmonë e jo vetëm sot, ka pasur dhe ka një interes të gjerë në lidhje me suksesorët kryesorë të politikës, qofshin këto ngjarje në vendet e mëdha a të vogla, qofshin në mbretëritë a demokracitë e vjetra të lashtësisë a në republikat e kohëve moderne. Kësisoj, edhe beteja midis z. Basha dhe z. Rama ka gjithashtu një interes të madh kombëtar, si dhe një përkushtim të dukshëm ndërkombëtar, sepse do të tregojë kahun, axhendën dhe erërat që do të fryjnë së shpejti në dy partitë kryesore dhe në gjithë politikën shqiptare. Pas 21 vjetësh duket se dy karrocat blu e rozë që kanë tërhequr osh të gjithë establishmentin shtetëror, institucional, si dhe vetë shoqërinë shqiptare, mund të ndërrojnë dy drejtuesit e tyre. Themi mund, pasi kjo do të ndodhë vetëm nëse fitues do të shpallej z. Basha. Në të kundërt, do të kemi një statuskuo të gjatë, të paktën në drejtim të emrit të karrocës rozë. Pra, e thënë më thjesht, nëse do të shpallej fitues z. Rama, kjo do të thoshte se te PD-ja nuk ka gjasa të ketë një ndërrim të shpejtë fytyre të liderit historik, pasi anëtarët e lidershipit të saj, duke futur në të edhe humbësin hipotetik Basha, do të ishin fytyra të zbehta e pa ndonjë “background” të spikatur e të besueshëm. Edhe në rast se kjo do të ndodhte, me një lider pa kurorë, PD kishte gjasa të copëtohej e fragmentarizohej në shumë vektorë dhe mund ta shkërmoqte më tepër politikën e diversifikuar të Aleancës Efemere të maxhorancës së sotme. Por, nëse fitues do të shpallej z. Basha, kjo do të shkaktonte një tërmet ndoshta pozitiv në të dy kampet respektive me dy kohë: në fillim do të kishim një tërmet të shpejtë te PS-ja e më pas – ndoshta para zgjedhjeve të përgjithshme – plaku i politikës Berisha, nuk do të kishte shanse të tjera veçse të mendonte për t’u tërhequr me nder përballë yllit të ri në shkëlqim, z. Basha, i cili, natyrisht që do të ishte suksesori më i mundshëm i tij në krye të PD-së. Në këtë rast, edhe z. Rama, i përballur me humbjen e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, me një kurorë të vetme krenarie në gjoks (fitoret e shumicës së bashkive të mëdha në Shqipëri) dhe pas një humbjeje të përsëritur nga zgjedhjet e përgjithshme 2009, do ta kishte të vështirë të mbijetonte si lider i partisë rozë. Nukli i kryebashkiakut që mblidhte interesat e shumë mbështetësve të tij arrivistë do të shpërbëhej dhe z. Rama shumë shpejt do të dukej si “Aladini” i përrallës perse, që i ka konsumuar 3 kërkesat ndaj xhindit të madh e të mirë të fatit të tij me tri postet e veta të larta si ministër Kulture, kryebashkiak dhe kryetar i PS, përgjatë 13 viteve rresht në pushtet. Natyrisht që fitorja e Bashës, sipas kësaj linje gjykimi, mund të shihet si shumë e dobishme për të ardhmen e politikës shqiptare dhe çtensionimin e saj, si dhe për futjen e saj në një hulli më moderne e me kompromise më të gjera në funksion të së ardhmes së gjithë shqiptarëve në rajon. Nuk dua të shpreh këtu mbi aksiomën e dobishmërisë që mund të shihet nga ndërrimi i dy liderëve politikë aktualë, të cilët e kanë mbajtur këto 3 vjet si rrallëherë të tensionuar politikën shqiptare (ndërsa z. Berisha edhe më gjatë kur ishte në opozitë). Por, ndërsa z. Berisha ka provuar rënien nga Olimpi në Hades dhe anasjelltas, z. Rama ka qenë më i përkëdhelur nga fati. Duket se z. Berisha ka ditur të pranojë edhe humbjen për shkak të origjinës së tij dhe një jete të vështirë si gjysmë bohem, shkallët e së cilës i ngjiti me shumë kompromise e sakrifica, si ndonjë personazh balzakian. Ndërsa z. Rama e ka pasur dhe e ka të vështirë, si i përkëdhelur relativisht nga fati i origjinës së tij, që të pajtohet me daljen e vërtetë në opozitë dhe ringritjen nga hiri, po të perifrazonim publicistin P. Zogaj, me ndihmën e mitologjisë dhe Feniksit, “Zogut të pamposhtur”. I mbrujtur me një psikologji të tillë të të përkëdhelurit të fatit dhe për më tepër i katapultuar çuditshëm pa asnjë rival në krye të një partie që ishte mësuar edhe ajo me të qëndruarit në pushtet për 50 vjet (1945-2005, përjashto vitet 1992-1996), z. Rama nuk do ta kishte të vështirë të fuste te lidershipi aktual rozë frymën e fitores me çdo çmim. Madje, në funksion të kësaj ideje, ai gaboi duke mos mësuar nga politika të ngjashme force që ndoqi z. Berisha në vitet 1997-2002, duke e kthyer kësisoj PS-në si një “NASDAP” nazist me SS-të e tij kokëqethur të trajnuar për të kërcënuar Forcat e Rendit dhe Sigurisë Kushtetuese. Ai, me sa duket nuk kishte llogaritur dy tregues, të cilët e kishin ndryshuar ambientin arkaik berishian: se Berisha e mori pushtetin kur kreu detanten institucionale me F. Nanon në 2002-shin dhe se sot vendi ka një qasje institucionale në strukturat euroatlantike. Gjithashtu, z. Rama, ndoshta ka gabuar në përzgjedhjen e aleatëve të vet, ndërkombëtarë. Pra, e thënë shkurt, një fitore e z. Basha si kryebashkiak do të përmirësonte bilancin në dy matricat respektive blu e rozë, bilance të cilat nuk kanë kapur optimumet e tyre të pritura nga shqiptarët, duke e mbajtur vendin në një tranzicion të gjatë rraskapitës, tranzicion i cili, për hir të së vërtetës, ka zgjatur edhe për shkaqe objektive dhe rajonale, por edhe për shkak të egërsisë, amatorizmit e diletantizmit jo vetëm të Berishës e Ramës, por edhe të Alisë, Nanos, Majkos, Metës etj. Parulla e vjetër “përça e sundo”, ka qenë shumë e lehtë për t’u adaptuar në terrenin plot humus shqiptar, me rrënjë historike.
Por, si ka qenë interesi i ndërkombëtarëve në drejtim të dy kandidatëve për kryebashkiakë? Natyrisht që me modesti do të jepja mendimin dhe perceptimin tim që nuk është absolut. Po të shohim me kujdes, ka një ngjashmëri në fatin e B. Pacollit dhe z. Rama. I pari u shpall fitimtar në Kosovë si President i saj dhe i dyti thuajse kaloi në delir me 10 votat e tij “shpëtimtare”. Natyrisht, që z. Pacolli mbahej si mik i lindjes e Rusisë dhe jo i Perëndimit dhe, me shkarkimin e tij “institucional” nuk ka fituar kush tjetër nga ndërkombëtarët, përveçse Perëndimit. A ka ndonjë lidhje në fatin e tyre “komiko-tragjik” dhe a mund të ketë ndonjë dorë, përveçse asaj të Zotit, në këtë simetri vrastare ndaj fatit politik të këtyre të dyve? Po ndërkombëtarët e interesuar për fitoren e Ramës a ka mundësi të jenë të njëjtat qendra okulte që kërkonin të kurorëzonin edhe z. Pacolli? Ndonjë naiv mund të mendojë se skema nuk është kaq e ndërlikuar dhe e ngatërruar, por unë nuk do ta pranoja, pasi qendrat okulte do t’i realizojnë skemat e tyre me të zgjedhurit e tyre në Tiranë, Maqedoni, Bullgari, Kosovë, Serbi, Greqi etj. Le të ecim në këtë logjikë e të shohim se si mund të jetë “puzzle” ballkanik dhe ai shqiptar në të, ani pse ministri i Jashtëm maqedonas deklaroi dje se ky “pazzel” tashmë është përfundimisht i zgjidhur e s’ka më të papritura. Më 21 janar u duk se në Tiranë kishte të paktën dy palë qendra që kishin qasje të ndryshme ndaj stabilitetit dhe destabilitetit të vendit. Të paktën u duk qartë se z. Arvizu, ambasadori i ri amerikan, diplomati profesionist i Georgetown University (ky universitet harton politikat e jashtme afatgjata të SHBA dhe të diplomuarit e saj janë nga më profesionistët në SHBA) kërkonte stabilitet dhe nuk i mbështeste veprimet e dhunshme dhe prishjen e rendit e të shtetit, qoftë edhe me çmimin e jetëve njerëzore. Edhe gjatë fushatës së fundit, në daljet e ndryshme ai gati-gati sa nuk bëri thirrje hapur që të votohej kundër z. Edi Rama dhe shtypi pranë PS-së do e kryqëzonte vazhdimisht atë. Në këtë kuptim, z. Arvizu me qëndrimin e tij si ambasador duket se ka venë një bast institucional për këtë çështje dhe një fitore e z. Rama do të thoshte që autoriteti i SHBA të binte shumë në Shqipëri, dhe personalisht z. Arvizu do ta kishte të pamundur të jepte nga sot e tutje mesazhe besimi te shqiptarët ose e thënë ndryshe, në Shqipëri kanë fituar qendrat Lindore okulte, të cilat mëtuan të ngrinin edhe Pacollin në Prishtinë. Këto qendra kulte, të cilat ndikojnë mbi politikat e rajoneve dhe organizmave të mëdha në botë janë disa. Në SHBA këto qendra janë disa, okulte ose think tank zyrtare, të cilat bashkohen dhe bien në ujdi si dhe ligjërojnë nëpërmjet të super fuqishmes CFR (Counsil on Foreign Relation). Brenda saj janë Urdhri Skull&Bones, grupi i bankierëve jahudinj dhe IBT (The International Brotherhood of Teamsters). Grupi i bankierëve të “NY” ka lidhje paralele edhe me Internacionalen Socialiste, si dhe dy qendrat e tjera të fuqishme okulte të Universitetit të Ingolshtadit – Iluminatin e Kominternin. Ndërsa qendra tjetër më e fuqishme në Londër, Rounde Table, ka afinitet me CFR e sidomos me grupin e saj dominues Skull&Bones, ku bëjnë pjesë neokonsët e Bushit, Çenejt, Ramsfeldit, White, T. Ridge etj, të cilët kanë në pronësi Bechtelin që ndërtoi rrugën Durrës-Kukës. Me këtë grup okult që rekruton çdo vit 15 anëtarë në Universitetin e Jale-s, hyri në konflikt së pari Xh. Soros e pas tij, Benjamini vet në Tiranë, z. Rama. Kur Rama fliste për “korrupsionin” e rrugës Durrës-Kukës, Gërdecin dhe Fazlliçin, ai i bënte qejfin Sorosit, i cili shfrytëzoi edhe ngjarjen e Gërdecit të ndodhur jo rastësisht ditën e “Ideve të marsit” (15 mars) si dhe tellallin e vet z. Rama, për të ngritur pazarin e vet në CFR e për të rrëmbyer shfrytëzimin e minierës së Zveçanit mbi Ibër. Pas kësaj, z. Rama, që nuk kishte se si ta dinte axhendën; i braktisur pakuptueshëm nga delfini i tij filantropist, ai filloi të bënte lëvizje kaotike e revolucionare ose u hodh në prehrin e Internacionales Socialiste, Kominternit dhe PASOK-ut. Ndërsa nga ana tjetër, tri fuqitë okulte të sipërpërmendura të CFR, RT dhe Iluminatit u takuan dhe u sinkronizuan pak me vështirësi në Tiranë, nën siglat institucionale të ambasadorit të SHBA, z. Arvizu (CFR+Rounde Table), BE (z. Sequi si përfaqësues i Iluminatit gjermano-francez) dhe OSBE (z. Volfarth si fasada dhe garancia euroatlantike e harmonisë së dy të parëve). Ka pasur në kohën e fushatës një ndryshim të lehtë në qëndrimet e tyre ndaj dy personazheve kryesore që do të sundojnë politikën e ardhshme të Tiranës, Basha e Rama, qëndrime të cilat kanë ardhur duke u afruar nga dita në ditë në favor të fitores së z. Basha dhe procedurës ligjore të zgjedhur prej tij. Këto hapa kanë qenë të frymëzuara nga vendimet e këtyre grupeve okulte, të cilat, natyrisht që kanë qenë të ethshëm në dërgimin e mesazheve ndaj përfaqësuesve të tyre këtu dhe indirekt, ndaj aktorëve politikë dhe atyre shqiptarëve, të cilët kanë qenë në gjendje t’i zbërthenin këto kumte simbolike. Duke ju kthyer kësaj logjike subjektive, ndoshta fitorja e z. Basha do të thoshte një fitore e Benjaminit të Skull&Bones dhe neokonsëve, të cilët me në krye administratën e presidentit Bush, e morën hopa Shqipërinë dhe e futën në NATO, si dhe insistuan tek Europa për të pranuar sa më shpejt Shqipërinë brenda saj. Në të kundërt, hedhja poshtë e vendimit të KQZ-së për një fitore të Bashës dhe nxjerrja fitimtar e z. Rama nga ana e Kolegjit Zgjedhor, do të tregonte se Shqipëria ka mbetur ende në Lindje dhe se politikanët e shumtë filofrancezë dhe filorusë të të dy krahëve të politikës, si dhe ata që ndodhen në krye të disa institucioneve të rëndësishme të shtetit, me intimidimin e tyre, vazhdojnë të kundërshtojnë axhendën panshqiptare të anglo-amerikanëve në rajon, e sidomos të grupit Skull&Bones dhe me siguri që një ditë ata ka gjasa se do të paguanin për këtë lojë të pamoralshme e hipokrite.

© Panorama.al

Te lidhura