KRUJE – Prangoset një 32-vjeçar për vjedhjen e Teqesë së Gjurmës së Shenjtë në fshatin Krastë të Krujës. Sipas Policisë, Blerim Tufa, 32 vjeç banues në Fushë- Krujë, dyshohet të jetë autori i vjedhjes së teqesë, ngjarje e ndodhur më 22 qershor të këtij viti. Prokuroria e Krujës ka nxjerrë ndaj tij urdhrin e ndalimit të datës 19 korrik, pas identifikimit të tij si autor. Policia dyshon se Tufa nuk e ka kryer i vetëm grabitjen, ndaj po punon për të zbuluar bashkëpunëtorët e tij. Sipas Policisë, autori ka vjedhur para dhe objekte me vlerë në këtë vend të shenjtë, por që nuk janë gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij.











