Krujë, tritol në banesën e mësuesit

Jan 5, 2012 | 13:26
Shtëpia ku ndodhi shpërthimi

KRUJE – Tritol banesës së mësuesit në fshatin Derven të Krujës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 01:00, kur shpërthimi ka zgjuar në panik jo vetëm familjen ku ndodhi ngjarja, por edhe banorë të tjerë të fshatit. Madje, shpërthimi i fortë është dëgjuar deri në qytet. Policia bëri të ditur se shënjestra e kësaj ngjarjeje me lëndë eksplozive është shtetasi Shpëtim Gjura, me profesion mësues. “Një sasi eksplozivi është vendosur në portën kryesore të avllisë së një banese në fshatin Derven”, bëri të ditur dje Policia e Krujës, ndërsa po hetohet për të identifikuar autorët dhe shkakun. Fillimisht banorët kanë menduar se shpërthimi mund të kishte ndodhur në këmbën e ndonjë ure, shtylle të tensionit të lartë apo në afërsi të fabrikës së çimentos, fenomene tashmë të përsëritura në këtë zonë. Por më pas policia ka lokalizuar vendosjen e shpërthimit, pasi në sallën operative ka mbërritur një telefonatë nga i dëmtuari Shpëtim Gjura. Edhe pse shpërthimi ka qenë tepër i fuqishëm, fatmirësisht nuk janë shënuar dëmtime në njerëz. Në momentin e ngjarjes në banesë ka qenë kryefamiljari Shpëtim Gjura, së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij të mitur. Ata janë përfshirë në panik nga shpërthimi dhe kanë vënë në alarm menjëherë Policinë. Blutë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet. Mësohet se Gjura, mësues në ciklin e ulët, ka mohuar të ketë pasur konflikte me persona të tjerë. Policia ka nisur hetimet, por ende nuk ka një pistë të dyshimtë hetimi. Blutë përjashtuan që ngjarja të ketë ndodhur për shkak të detyrës së mësuesit, pasi ky i fundit nga hetimet e kryera, por edhe dëshmitë e dhëna, nuk ka pasur konflikte me asnjë prind të nxënësve që u jep mësim. Gjithashtu ai nuk ka as konflikte që kanë të bëjnë me prona. Për këtë shkak, Policia bëri të ditur se janë duke u marrë në pyetje jo vetëm të dëmtuarit, dy bashkëshortët Gjura, por edhe fqinjë të tyre. Paraprakisht policia bëri të dituar se lënda eksplozive është e llojit tritol, rreth 200 gramë. Mësohet se familja Gjura kishte 12 vite që kishte lënë fshatin e lindjes në Mafsheq të Krujës dhe ishte vendosur në fshatin Derven. Banesa e tyre ishte pranë rrugës nacionale, që lidh Fushë-Krujën me Mamurrasin.                               r.n

© Panorama.al

Te lidhura