Kroacia “fut” në hall Italinë, nuk mjafton Pirlo

Jun 15, 2012 | 14:59

Tani çdo gjë komplikohet. Barazimi i dytë 1-1 i Italisë e detyron këtë skuadër që minimalisht të mundë Irlandën, por duhet edhe të shpresojë që nuk do të marrë ndonjë “dhuratë” të pakëndshme nga ana e spanjollëve dhe kroatëve, e cila do t’i çonte në shtëpi.
Është realisht për të ardhur keq pasi për herë të dytë skuadra e Prandelit nuk arrin që të mbrojë rezultatin duke u ndëshkuar, në një farë mënyre me meritë nga vetvetja. Edhe ndaj Kroacisë është e njëjta skuadër si me Spanjën dhe Prandeli bën të njëjtën lëvizje duke zëvendësuar që të dy sulmuesit. Në fund merr të njëjtin rezultat, një pikë (dy në total), duke vënë në dyshim kalimin për në çerekfinale. Sfidë delikate, më shumë për “axurrët” dhe me detyrimin e vetëm: fitore. Por misioni i papërfunduar në kahun e duhur. Nuk ishte aspak e lehtë që të përballeshe ndaj kësaj Kroacie, e cila vinte me luksin e dy pikëve më shumë në renditje dhe luante për dy rezultate: fitore dhe barazim. Ndaj një skuadre me lojtarë shumë të mirë fizikisht, por ku nuk mungojnë edhe kualitetet, Prandeli hodhi nga minuta e parë sërish Balotelin në sulm duke lënë Di Natalen fillimisht në stol. Goli i Pirlos në minutën e 39-të nga një goditje dënimi perfekte erdhi në fund të një pjese të parë ku Italia pati vështirësi në organizim, por gjithsesi arriti të provojë disa herë dorezat e portierit kroat. Disa gjuajtje të Markizios mund të kishin prishur me kohë ekuilibrin në fushë, ashtu sikundër edhe dy raste të shpërdoruara nga Baloteli, i cili u pa në këtë ndeshje më i qetë dhe me më shumë dëshirë për të vënë “vulën” e tij në listën e golashënuesve. Sakaq, Kasano u duk disi më pak, i markuar më së miri nga mbrojtësit kroatë. Kroacia nuk është nga ato skuadra që shkëlqen me kualitete, por i mjaftojnë për të vënë në vështirësi më shumë se një herë para se të barazonte me Mandzukiç. Kështu që Italia e Prandelit për minuta të tëra u detyrua të kthehej në mbrojtje duke ua lënë komandën e lojës kroatëve. Në këtë situatë Prandeli ndryshon mesfushën duke futur Montolivon për një Tiago Mota “të fikur” dhe pak minuta më pas bën të njëjtën lëvizje si me Spanjën: jashtë Baloteli dhe në fushë Di Natale. Zëvendësimi, në vend që të sillte dyfishimin e rezultatit, sikundër ndodhi me Spanjën kur hyri në lojë sulmuesi i Udinezes, u bë parantezë e gafës së Kielinit në mbrojtje dhe barazimit nga ana e kroatëve me të përhershmin Mandzukiç. Shokohet Italia dhe Prandeli shkarthit sërish kartat: jashtë Kasano dhe në lojë Xhiovinko, por edhe dyshja tjetër e sulmit, ashtu sikundër e para nuk dha rezultatet e kërkuara. Kështu, pas disa ecejakeve të Markizios dhe Pirlos, kryesisht në limitet e zonës kroate, vjen dhe vërshëllima e anglezit Hauard Ueb: Italia barazon dhe në horizont shfaqen fantazmat e europianit 2004 kur 2-2 i Suedi-Danimarkë nxori jashtë që në fazën e grupeve.

SKEDA E NDESHJES
Itali-Kroaci 1-1

Shënues: Pirlo 39’/ Mandzukiç 72’
Kartonë të verdhë: T.Mota 57’, Montolivo 80’/ Shildenfeld 86’
Gjyqtarë: Houard Ueb/ M.Mularkej dhe P.Kirkup (ANG)
Italia (3-5-2): Bufon, Kielini, De Rosi, Bonuçi, Maxhio, Markisio, Pirlo, Tiago Mota (Montolivo 62’), Xhiakerini, Baloteli (Di Natale 69’), Kasano (Xhiovinko 83’). Trajner: Çesare Prandeli

Kroacia (4-1-3-2): Pletikosa, Srna, Korluka, Shildenfeld, Striniç, Vukojeviç, Rakitiç, Modriç, Perisiç (Pranjiç 68’), Mandzukiç (Kranjçar 90’), Jelaviç (Eduardo 83’). Trajner: Slaven Biliç

ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Andrea Pirlo është lojtari më i mirë në fushën e lojës. Mesfushori shënoi një gol spektakolar nga
goditja e dënimit.
Më i dobëti – Xhorxhio Kielini. I pafalshëm gabimi i tij në momentin e pësimit të golit.
Çelësi i përballjes – Ajo që vendosi rezultatin e kësaj ndeshjeje më shumë se gafa e Kielinit, ishte mënyra se si Italia u soll gjatë pjesës së dytë. “Axurrët”, pas një pjese të parë fantastike, me raste për shënim, ranë disi në qetësi në 45  minutat e dyta, duke lëshuar më së shumti në mesfushë.
E veçanta – Kroacia konfirmohet si “macja e zezë” për Italinë, të cilët vetë në një rast kanë mundur që të fitojë ndaj kësaj skuadre, si në rezultat dhe në lojë. Shtatë precedentët e luajtur, e vetmja fitore e Italisë, daton më 1942-shin.
Moviola – Arbitri anglez Ueb ka drejtuar në mënyrë mjaft korrekte ndeshje, duke mos krijuar raste të dyshimta. Të vetmet gabime në fakt vijnë nga ndihmësit e tij, të cilët i ndaluan në pozicione jashtë loje dy herë italianët: në fillim Maxhiond dhe më pas Di Natalen, që në fakt rezultoi se të dy lojtarët ishin në limitet e pozicionit jashtë loje.

Prandeli: Shpërdoruam një mundësi të artë
Çezare Prandeli nuk e ka fshehur hidhërimin pas barazimit të marrë ndaj Kroacisë, kur Italia e tij ishte në avantazh: “Humbëm një rast të shkëlqyer, hodhëm poshtë një mundësi të artë. Ishim në avantazh dhe nuk po rrezikonim shumë, pastaj u bë ai krosimi dhe ne pësuam golin. Në pjesën e parë patëm mundësi shumë të mira edhe për të dyfishuar rezultatin, ndërsa në të dytën kroatët bënë shumë presing. Gjithsesi, më pëlqeu ekuilibri ynë. Mendoj se ajo që na mungoi ishte grinta më e madhe dhe energjia, por gjithsesi nuk kemi pse të dorëzohemi”. Trajneri i Italisë nuk dëshpërohet dhe thekson se ka ende besim se Italia mund ta kalojë fazën e grupeve: “Skuadra është optimiste dhe ne do të luftojmë deri në fund, nuk kemi ndër mend të heqim dorë për asnjë arsye. Edhe pse duket e vështirë, duhet të japim maksimumin në ndeshjen e fundit dhe të presim rezultatet e rivalëve. Gjithsesi, jemi optimistë, sepse mendojmë që mund t’ia dalim”, thekson Çezare Prandeli.

Kroacia, Biliç akuzon arbitrin për barazimin
Trajneri i Kroacisë, Slaven Biliç, ka komentuar barazimin me Italinë duke iu kundërvënë ashpër arbitrit: “A ka ndonjë vendim të arbitrit që më ka nervozuar? Nuk jam aspak dakord me trajnerët që nuk duan të flasin për arbitrat. Puna e tyre është pjesë e simes. Ndoshta unë nuk mund të jem tërësisht objektiv, por penalltia për Jeleviçin duhej të ishte dhënë, ashtu siç nuk ishte e drejtë goditja e dënimit nga e cila Pirlo shënoi golin”, kritikon trajneri i Kroacisë. “Arbitri, pra, favorizoi Italinë. Por nuk kam ndër mend të polemizoj. Për sa i përket ndeshjes, mund të them se nuk është kurrë e lehtë që të luash kundër skuadrave të forta si Italia. Patëm disa raste në pjesën e parë, por në të dytën bëmë një lojë të shkëlqyer. Ndryshuam disa pozicione, spostova Rakitiçin në krah, bëmë më tepër presing, duke treguar edhe një herë tjetër forcën tonë me një zotërim më të madh topi se rivalët. Mund të kishim fituar, jam i kënaqur nga skuadra”.

Intrigë “axurre”, ja se si mund të kualifikohet Italia
Barazimi i djeshëm ka bërë që edhe Italia të vihet në rrethana dyshimi për mundësinë e kalimit për në çerekfinalet e këtij europiani. Aktualisht skuadra e Prandelit ka vetëm 2 pikë (2 barazime) dhe do t’i duhet që të fitojë me patjetër në ndeshjen e fundit në grup me Irlandën, për të kaluar më tej. Por, edhe fitorja mund të mos i mjaftojë kësaj skuadre në rast se Spanja nuk e mund Kroacinë në ndeshjen e fundit në grup. Kroatët kanë 4 pikë, po aq sa edhe spanjollët, dhe në fund do jetë golavarazhi ai që do të vendosë se kush do të kalojë më tej. Por, nëse Kroacia dhe Spanja në ndeshjen e fundit barazojnë 2- 2, atëherë janë këto dy skuadra që do kalojnë më tej, pavarësisht se sa fiton Italia me Irlandën, pasi sipas rregullores, në fillim merren për bazë ndeshjet direkte dhe më pas golat e shënuar në ndeshjet direkte. Nëse pas ndeshjeve të fundit, Italia, Spanja e Kroacia do të kenë nga pesë pikë secila, atëherë do të jenë këto dy të fundit që do të shkojnë për më tej, gjithnjë nëse ndeshja mes tyre përfundon në barazim 2-2, ose edhe 3-3 a më shumë. Vetëm nëse ndeshja Spanjë-Kroaci përfundon në barazim 1-1, atëherë do të llogaritej golavarazhi i përgjithshëm, ku një fitore me goleadë ndaj Irlandës, 3-0 a më shumë, do t’i çonte “axurrët” në çerekfinale. Ndërkohë kalon Italia, gjithnjë nëse fiton me Irlandën, nëse mes Spanjës dhe Kroacia do ketë një fitues, pra nuk do përfundojë në barazim.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura