Kriza, Dule: Të krijohet një qeveri e ndërmjetme

May 28, 2011 | 15:01
Vangjel Dule

Kreu i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule i ka kërkuar sot presidentit të Republikës, Bamir Topi që të bëhet garant i zgjidhjes së ngërçit politik në vend,  sipas tij, me krijimin e një qeverie të re, të ndërmjetme. Gjatë një Konference për shtyp, nga qyteti i Gjirokastrës, Dule tha se “dëshirojmë që paralelisht me kapërcimin e fazës delikate dhe përmbyllëse të procesit zgjedhor, të mendohet seriozisht që me iniciativën e Presidentit të Republikës, të ndërmeren të gjitha ato nisma të domosdoshme në përputhje me Kushtetutën e vendit, për ta futur jetën politike në normalitetin e saj”.

Sipas kreu të PBDNJ-së, kjo nuk mund të ndodhë veç me ngritjen e një qeverie të ndërmjetme, me një periudhë kohore të përcaktuar qartë mandatimi, me objektiv ndërmarrjen e një reforme të thellë zgjedhore, e cila do të garantojë një proces të ardhshëm electoral, të ndershëm, të barabartë e të pakontestueshëm.

Dule tha se, kjo zgjedhje do të japë atë produkt të qeverisë për të cilin momentalisht ka nevojë vendi,  që është sfida e integrimit evropian.

Dule ka shprehur shqetësim lidhur me edminsitrimin e zgjedhjeve të 8 majit, si dhe ka shprehur mbështetje për deklaratën OMONIA-s e cila kundërshton mospërfshirjen e kombësisë në formatin e ri të certifikatës që tashmë ka filluar të përdoret në vend. Ai theksoi se do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore për ta kthyer vendimin.

© Panorama.al

Te lidhura