Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të presë sot Kryeministrin Nikola Sarkozi në takimin e parë për vitin 2012 për të rifilluar edhe një herë diskutimet mbi fatin e monedhës europiane euro. Dyshja Merkel-Sarkozi, të cilët kanë zhvilluar gjatë vitit të kaluar një seri takimesh kokë më kokë, pritet që dhe për këtë vit të jenë më aktivët në diskutimin e problemeve me të cilat po përballet eurozona. Në fakt, takimi vjen në një kohë kur statistikat zyrtare të publikuara të premten nga Eurostat pasqyrojnë një eurozonë me një nivel më të lartë papunësie në fund të 2011-s, si dhe me një recension në vazhdim. Sakaq, sektori industrial i Gjermanisë në shifra tregohet i lëkundur dhe më i dobët nga ecuria e ekonomisë. Përkundër këtyre statistikave mbi ekonomitë e BE-së, epiqendër e takimit Merkel-Sarkozi do të jetë zgjidhja e problemit të monedhës euro, e cila është shfaqur e dobët ndaj një dollari në forcim të vazhdueshëm, por në këtë takim pritet të shfaqen edhe këndvështrimet Merkel-Sarkozi, të cilat deri pak javë më parë kishin treguar një unitet të vazhdueshëm, por që ndryshuan kur u diskutuan planet e taksimit të transaksioneve në BE. Sarkozi, i cili këtë vit do të përballet me garën për t’u rizgjedhur, u shpreh se Franca do të vendoste e vetme se si do të administronte takimin e saj duke u bërë një shembull për Europën. “Nuk do të presim që dhe të tjerët të bien dakord, do ta bëjmë vetëm sepse besojmë tek kjo”, tha Sarkozi pas takimit me Kryeministrin italian, Mario Monti, të premten në Paris. Ky i fundit paralajmëroi Kryeministrin francez për më shumë kujdes, në mënyrë që Franca të mos marrë iniciativa e vetme. Këndvështrimi i Gjermanisë mbi një taksë të re tek transaksionet ka qenë më skeptik, duke theksuar rëndësinë e studimit të saj dhe më pas paraqitjes e aplikimit të saj për gjithë BE-në. Takimi Merkel-Sarkozi që do të zhvillohet sot, do të pasohet nga takimi tjetër i Kancelares gjermane me Kryeministrin italian, Mario Monti, të mërkurën në Berlin.
Taksa Robin Hood
Komisioni Europian ka adaptuar një plan për të ashtuquajturën taksa “Robin Hood”, por kjo taksë duhet të gjejë unanimitet mes 27 vendeve pjesëtare të BE-së dhe më pas të zgjerohet e aplikohet tek të gjitha. Në thelb, taksa synon mbledhjen e të ardhurave nga transaksionet mes shteteve. Gjermania është shprehur më skeptike për taksën që aplikohet vetëm për 17 vende të BE-së.
Hungaria
Pikë e rëndësishme në diskutimet e liderëve europianë të këtyre ditëve pritet që të bëhet edhe Hungaria. Të premten, Fitch, një nga agjencitë e vlerësimit të kreditit, iu bashkua të njëjtit vlerësim që bëri pak kohë më parë Moody’s dhe Standard and Poor’s, duke e kaluar statusin e borxhit të Hungarisë në “junk” e njëherazi përkeqësuar. Hungaria është bërë tashmë pjesë e planeve të FMN-së.











