Tirana është barometri perfekt elektoral shqiptar për katër arsye të ndërlidhura. Së pari, si pasojë e lëvizjeve demografike, Tirana është përzierje mjaft e mirë e Veriut, Jugut dhe Shqipërisë së Mesme. Së dyti, Tirana ka një përzierje mjaft të mirë të popullsisë urbane dhe rurale. Së treti, Tirana është një përzierje e shtresave të ndryshme sociale , që nga ata me shumë lekë që banojnë apo kanë biznese në Bllok, deri tek ata që punojnë dhe jetojnë në zona informale rreth qytetit. Së katërti, si pasojë e prezencës së fuqishme mediatike, diplomatike dhe politike, Tirana është një nga hapësirat elektorale ku mundësia e manipulimit është më minimale. E thënë ndryshe, është shumë e vështirë të bësh manipulime masive në Tiranë. Për të gjitha këto arsye, Tirana është barometër i mirë, që tregon tendencën elektoral në Shqipëri.
Prandaj kriza e sotme elektorale në Tiranë është, në fakt, tregues i krizës së përgjithshme elektorale me të cilën përballet Shqipëria. Thelbi i krizës aktuale qëndron në faktin se asnjëra palë nuk e ka fituar Tiranën politikisht. E thënë ndryshe, politikisht zgjedhjet në Tiranë kanë dalë barazim, ato nuk kanë nxjerrë asnjë fitues të qartë. Pikërisht këtu qëndron thelbi i përplasjes, polarizimit dhe acarimit politik, që rrezikon procedurën dhe institucionet elektorale. Këtu qëndrojnë edhe gafat politike dhe elektorale të secilës palë.
Ishte qesharak dhe idiotesk nxitimi i PS-së për të shpallur fitoren në Tiranë vetëm me 10 vota, ndërkohë kur kanë votuar 250 mijë qytetarë. Edhe gabimi më minimal njerëzor në numërim nuk të garanton një avantazh prej 10 votash pa bërë një rinumërim ose të të gjithë votave të pavlefshme, ose të të gjitha votave. Por, edhe sikur Edi Rama të ishte realisht 10 vota përpara Lulzim Bashës, ai mund të pretendonte një fitore procedurale, por jo politike. Me 10 vota më shumë, Rama kurrsesi nuk mund të pretendonte se përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Tiranës. Aq më tepër kur pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë votuar për asnjërën palë.
Për të njëjtat arsye, edhe pretendimi i Berishës se Basha ka fituar me 78 vota, apo me 81, sikurse thotë KQZ, është qesharak. Të thuash se Tirana u bë blu sepse Basha ka marrë 80 vota më shumë se Rama, ndërkohë që me mijëra vota të Bashës janë votat e kuqe të LSI-së, pa përmendur ata që nuk kanë votuar, është një gënjeshtër e pastër. Aq më tepër kur fitorja e Bashës është nxjerrë, mbi të gjitha, nga KQZ-ja e Berishës dhe pa miratimin e opozitës.
Rezultati elektoral në Tiranë tregoi se asnjëra palë nuk arriti të marrë shumicën elektorale, edhe pse njëra palë mund të ketë pesë apo dhjete vota më shumë se pala tjetër. Me mënyrën e tij të votimit dhe të mosvotimit, elektorati Tiranas tregoi në tërësinë e tij se nuk mbështet as Ramën, as Bashën, as Berishën. Natyrisht, PS mori votën e saj, PD të sajën, dhe LSI gjithashtu, por rezultati final tregoi se në Tiranë, të dyja kampet kanë të njëjtën mbështetje elektorale.
Në mungesë të një rezultati fitues, secila palë anatemon palën tjetër dhe përpiqet të manipulojë institucionet, siç po bën Partia Demokratike me KQZ-në, ose të ushtrojë presion popullor, siç po bën PS-ja. Situata është polarizuar në atë farë feje saqë çdo koment mbi zgjedhjet lokale automatikisht pozicionohet me njërën apo tjetrën palë. Në polarizimin Rama-Basha/Berisha, fakti i thjeshtë se zgjedhjet politikisht nuk kanë prodhuar fitues humbet tërësisht. E gjithë beteja përqendrohet te përcaktimi procedural i fituesit, çka prodhon edhe trysninë e papërballueshme mbi institucionet dhe polarizimin politik. Në mungesë të verdiktit nga elektorati në skenë futen analistët, gazetarët dhe politikanët që mundohen të fitojnë mediatikisht atë që kandidatët nuk fituan dot politikisht.
Ata që janë me PS-në, të verbuar nga urrejtja për Berishën, ose të etur për përfitimin që presin nga pushteti, përqendrohen vetëm te manipulimi i KQZ-së nga Berisha dhe nuk shikojnë se kandidati i tyre nuk ka fituar shumicën e elektoratit. Ramistët nuk arrijnë të pranojnë faktin e thjeshtë se politikisht është turp që kryetari i Bashkisë të Tiranës të shpallet me 10 vota më shumë. Por, për ramistët e rëndësishme nuk është fitorja e Ramës, por humbja e Berishës. Pa folur për ata që kanë interesa imediate te Bashkia e Tiranës.
Në të njëjtën mënyrë ata që janë me PD-në dhe LSI-në nuk arrijnë të pranojnë që shpallja e Bashës me 80 vota më shumë nga një KQZ e dominuar nga PD-ja nuk e bën atë përfaqësues të vullnetit të shumicës së elektoratit në Tiranë. Përkundrazi, ndryshimi që KQZ-ja i bëri fitores prej 10 votash të Ramës në avantazh prej 80 votash për Bashën, e delegjitimon arritjen elektorale të Bashës. Duke i dhënë fitoren, KQZ-ja po i njollos Bashës barazimin, që ishte fitorja e tij reale dhe që rrëzoi mitin Rama në Tiranë.
Është mungesa e një fituesi të qartë, ose barazimi politik që prodhon krizën e institucioneve dhe të procedurës. Në thelb të krizës aktuale nuk është numërimi i votës, manipulimi i procesit elektoral apo mungesa e pavarësisë së institucioneve. Ndonëse këtë na e thonë përditë ambasadorët, komentatorët dhe politikanët. Kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme me numërimin apo pavarësinë e institucioneve, por se këto probleme janë pasojat dhe jo shkaku i krizës sonë politike sot.
Numërimi, KQZ, Kolegji Zgjedhor dhe Kodi Elektoral bëhen tmerrësisht të rëndësishëm dhe tmerrësisht problematikë si pasojë e faktit se zgjedhjet nuk kanë prodhuar një fitues të qartë politik. Për pasojë, fituesi do të vendoset nga këto institucione, dhe jo nga elektorati që refuzoi t’ia japë fitoren ndonjërës prej palëve. Të njëjtat institucione që anatemohen sot funksionuan shumë mirë dje, në zgjedhjet lokale të vitit 2007, me një kod dhe infrastrukturë zgjedhore shumë më të keqe, për faktin e thjeshtë se dje elektorati foli mjaft qartë.
Ndërkohë që ne ndjekim rekomandimet shterpë të komunitetit ndërkombëtar duke u marrë me numërimin, procedurën, institucionet, apo Kodin Elektoral, thelbi i krizës aktuale është politik dhe jo procedural. Zgjedhjet nuk kanë prodhuar shumicë; këtu qëndron thelbi i problemit. Në kushte të tilla, çfarëdo vendimi që do të marrë KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, fituesi do të zgjidhet në tavolinë, dhe jo në elektorat, çka ndodhi edhe në zgjedhjet e shëmtuara amerikane të vitit 2001 mes Xhorxh Bushit dhe Al Gorit. Në kushte të tilla, përmirësimi i procedurës nuk sjell përmirësimin e demokracisë, përkundrazi, procedura e zëvendëson vendimin e munguar të shumicës.
Por ky është vetëm problemi imediat që mund të zgjidhej me një riorganizim të zgjedhjeve lokale në Tiranë, me shpresën se ato mund të prodhonin një shumicë elektorale, në mënyrë që rezultati mos të vendosej në tavolinë apo nga ambasadorët. Problemi themelor qëndron në faktin se ajo që po ndodh sot në Tiranë është pasqyrim i një fenomeni që ka filluar që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe ka mundësi të përsëritet sërish në zgjedhjet e vitit 2013. Kriza që po ndodh në Tiranë sot mund të zhvillohet përsëri nesër, kur zgjedhjet parlamentare të mos prodhojnë fitues, por një tjetër barazim, që do të prodhojë polarizim dhe acarim politik.
Zgjedhjet nuk nxjerrin asnjë palë fituese, pasi të dyja palët janë simetrike politikisht, materialisht, ideologjikisht, moralisht dhe, për pasojë, edhe nga pikëpamja e forcës elektorale. Ajo që i ndan ato është thjesht urrejtja për njëri – tjetrin. Përtej kësaj urrejtjeje, palët janë binjake në mënyrën se si e mbajnë, se si e ushtrojnë dhe se si e përdorin pushtetin, çka prodhon edhe barazimin politik, që është thelbi i krizës sonë politike. Por nuk mbaron këtu. Barazimi politik në vetvete është simptomë e një krize më të thellë strukturore që ka rrënjë politiko-ekonomike. Këtë krizë do ta shtjellojmë në artikullin në vijim, me titull “Kriza e klientokracisë shqiptare”.
© Panorama.al












