Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka arritur në pikën kufitare në Merdare ne mesdite.
Ai pritet që me helikopter të bartet për në Manastirin e Deçanit për festimin e Krishtlindjeve ortodokse, transmeton Indeksonline.
I pari i shtetit serb, i cili vjen me ftesë të peshkopit Teodosije, me ambasadorët Aleksandër Konuz dhe Vladimir Qushin do të marrin pjesë sot në festimin e Krishtlindjeve ortodokse në Deçan dhe ditën e shtunë ata do të jenë pjesëmarrës në Patrikanën e Pejës, ku do të mbahet liturgjia e shenjtë për lindjen e Krishtit.
Burime të gazetës në kushte anonimiteti kanë sqaruar se për të pasur siguri më të madhe, KFOR-i ka angazhuar helikopterë, të cilët do të bëjnë transportimin e personaliteteve nga Beogradi dhe të cilët do të vëzhgojnë situatën nga qielli në tërë Kosovën e kryesisht në regjionin e Dukagjinit.
Të njëjtat burime kanë sqaruar se KFOR-i së bashku me EULEX-in do të përkujdesen për sigurinë e afërt të presidentit serb, i cili edhe këtë vit është zotuar se do të vijë për të dhënë deklarata religjioze dhe jo politike.
Policia e Kosovës në anën tjetër do të përkujdeset për sigurinë e përgjithshme në vend. Kjo e fundit bashkë me KFOR-in e EULEX-in gjatë të enjtes kanë dhënë pak informacione në lidhje me planin e veprimit për të pritur presidentin e Serbisë.
“Janë çështje të sigurisë dhe nuk mund të komentoj se cili do të jetë roli i KFOR-it, por sido që të jetë KFOR-i është i gatshëm që të kontribuojë në siguri për të gjithë”, ka thënë shkurt zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, Uve Nowicki.
EULEX në anën tjetër ka konfirmuar se për pritjen e presidentit Tadic ka plan të përbashkët veprimi me KFOR-in e Policinë e Kosovës. “Përfshirja e misionit në lidhje me vizitën e Tadicit është e kufizuar në dy aspekte, atë të sigurisë dhe të transportit. Ky është një operacion i përbashkët i EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi.
Policia e Kosovës, sipas zëdhënësit Baki Kelani, lidhur me vizitën e paralajmëruar të presidentit serb Tadic ka përgatitur urdhrin operativ për të ofruar siguri dhe për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike përderisa personaliteti dhe delegacioni i tij do të qëndrojnë në territorin e Kosovës.
“Do të bëhet shtimi i masave mbrojtëse dhe të sigurisë përgjatë lokacioneve ku pritet të vizitohen nga delegacioni në fjalë”, ka njoftuar Kelani ndonëse një ditë më parë Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, kishte thënë se në adresë të organeve të rendit të Kosovë nuk ka ardhur ndonjë kërkesë për t’u siguruar ardhja e presidentit Tadic.
Aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje”, duke u bazuar në përvojën e viteve të kaluara kur në ceremoni fetare Tadic në Kosovë ka dhënë deklarata politike, kanë thënë se nuk i besojnë zotimeve të dhëna nga Tadic. Për këtë arsye ata kanë konfirmuar të enjten se janë duke punuar për planin se si do t’ia bëjnë pritjen presidentit serb Tadic. (Zeri)
© Panorama.al











