Ngjarja e rëndë e dhunimit homoseksual të një të mituri (Neni 100/2, marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur në bashkëpunim më shumë se një herë) është një krim pedofilie. Si i tillë, ka domosdoshmëri të trajtohet gjatë dhe me kujdes, pasi përmban rrezikshmëri të lartë. Krimi seksual ndaj të miturve duhet trajtuar nga policia dhe prokuroria si një krim ku duhet punuar jo vetëm për zbardhje, por edhe për parandalim dhe rehabilitim. Në teoritë bashkëkohore të kriminologjisë, krimi seksual dhe kryesisht ai ndaj të miturve, konsiderohet si ngjarje që nëse nuk “kurohet”, mund të kthehet në fenomen të zgjeruar “epidemi” krimesh, ose krime me efekt “zinxhirë”. Kjo do të thotë më shumë viktima nga i njëjti autor, ose viktima që kthehen jo për faj të tyre, por për shkak të psikologjisë së tronditur, në autor të të njëjtit veprim. Një krim i tillë mund të duket spontan, por pas ngjarjes mund të fshihen krime seksuale të mëparshme ose premisa për krime të ardhshme. Ndër karakteristikat e autorëve dhe viktimave të përfshira në pedofili janë dy: recidivizmi dhe post trauma e fëmijërisë.
Recidivizmi
Pedofili është një person, femër ose mashkull, mbi gjashtëmbëdhjetë vjeç, që ka tendencë të kryejë marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur pa pjekuri seksuale. Kjo preferencë konsiderohet një shmangie, shqetësim që nuk përkon me sjellje të natyrshme seksuale. Edhe pse pedofilia konsiderohet si një diagnozë, Organizata Botërore e Shëndetit ka akte normative që e ndalojnë përjashtimin e subjektit nga përgjegjësia penale, duke e konsideruar veprimin jo si mungesë e ekuilibrit mendor, por si sjellje kriminale. Një pedofil mund të shfaqë veprime që përkojnë me tri momente të diagnozës: pedofil latent që do të thotë joveprues, por thjesht adhuron të miturit si objekt seksual; pedofil aktiv që vepron dhe kryen akt seksual ndaj një të mituri që nuk ka mbërritur në pubertet. Rasti më i rëndë është pedofili killer (vrasës), ky i fundit përmbush kënaqësinë seksuale nëpërmjet sadizmit, pra duke shkaktuar dhimbje dhe vdekje të viktimës së tij. Në vend kemi pasur raste të abuzimit seksual deri në marrje jete. Më i fundit është rasti i Shpëtim Zises në 2009-n, në Dibër. Pedofilia nuk kurohet, por trajtohet personi në mënyrë të tillë që preferenca e tij të mos konkretizohet në veprime. Kur autorët janë të rinj, mundësia potenciale që ata të kryejnë krime të ngjashme edhe pas dënimit është e lartë. Madje, përsëritja e veprimit mund të shoqërohet me më shumë agresivitet dhe pasoja. Policia e Shtetit duhet të krijojë me shumë kujdes skedën penale të këtyre autorëve, pasi kjo skedë do të duhet të konsiderohet për një kohë të gjatë dhe ndaj këtyre individëve duhet kujdes dhe monitorim policorë gjatë dhe pas vuajtjes së dënimit.
I akuzuari, ish-viktimë
Një nga autorët e dhunimit homoseksual të dymbëdhjetëvjeçarit është edhe vetë i mitur. Sipas disa studimeve të psikanalizës dhe të kriminologjisë, një pjesë e të dënuarve për krime seksuale janë vetë ish-të abuzuar seksualisht në fëmijëri. Frojdi, në teorinë e tij të Psikanalizës, afirmonte se traumat fëminore në përgjithësi janë të pashërueshme dhe lënë plagë që nuk korrigjohen dhe që provokojnë në moshë madhore rishfaqje fenomeni në shumë forma, si imitim, kundërshtim, agravim i një veprimi të parë apo të pësuar. Këto veprime shoqërohen me ngarkesë të fortë emocionale dhe sjellje jonormale, që shkojnë deri në tendenca për dhunë apo forma melankolie përshkallëzuar në suicid (vetëvrasje). Në rastin e abuzimeve seksuale, i mituri viktimë ka premisë të kthehet në një abuzues që imiton të njëjtin verim që ka pësuar dikur nga agresori i tij. Sipas rrëfimit të fëmijës së abuzuar në rastin e Devollit, shoku i tij gjashtëmbëdhjetëvjeçar i identifikuar si R. M., gjatë tri rasteve të para të përdhunimit ka kryer akt homoseksual i vetëm, është shumë i rëndësishëm për analizë se i rrituri nëntëmbëdhjetëvjeçar, i identifikuar si Eduard B., thjesht e ka ndihmuar të miturin të kryejë aktin duke e mbajtur viktimën nga duart që të qëndronte pa lëvizur. Ai (Edi) është bashkuar në veprim në rastin e katërt të aktit homoseksual. Nëse do të gjykonim sjelljen e gjashtëmbëdhjetëvjeçarit në tri rastet fillestare, jemi përpara rastit kur një i mitur ka kryer abuzim i nxitur dhe ndihmuar nga një i rritur. Kjo e rëndon situatën prej fajtori të abuzuesit tjetër që është në moshë madhore. Duke e konsideruar shumë konkrete teorinë e krimit seksual nga një autor ish-viktimë, doktrina e procedurës penale në vende të tjera të zhvilluara, si p.sh SHBA apo fqinja jonë Italia, sanksionon detyrimin e hetimit më gjerë mbi krime të mëparshme në rastet kur autorët janë të mitur, ose në moshë shumë të re. Në vendin tonë doktrina penale nuk e përmban një detyrim ligjor për çelje hetimi mbi fëmijërinë e autorëve, por në rastin e kësaj ngjarjeje, policia dhe prokuroria në Korçë duhet të hetojnë nëse autorët në moshë kaq të hershme janë vetë viktima të ndonjë abuzuesi seksual pak më të hershëm që ka vepruar në këtë zonë dhe nuk është proceduar.
Dhjetë për qind e krimeve seksuale kryhen nga të miturit
Numri i të miturve shqiptarë që kanë kryer krime të rënda seksuale në vitet e fundit është shqetësues. Dinamika e pjesëmarrjes dhe agresiviteti në veprim janë në nivele të larta. Në 2004-n, një trembëdhjetëvjeçar nga Berati vrau një grua teksa strehoheshin të dy në mbrojtje nga një stuhi shiu. Vrasja kishte nxitje seksuale pasi i mituri synonte dhe realizoi marrëdhënie seksuale të karakterit nekrofili (akt seksual me një kufomë) me gruan tashmë kufomë e mbytur prej tij. Duke qenë në kufirin e moshës për papërgjegjshmëri penale, ky person u la i lirë dhe nuk u mor asnjë masë për rehabilitim të tij. Në pesëvjeçarin 2002 – 2007, gjykatat shqiptare kanë dënuar tetëmbëdhjetë të mitur autorë të krimeve të rënda seksuale. Po kaq të mitur u kanë shpëtuar procedimeve për këtë lloj kriminaliteti, pasi nuk kanë qenë mbi kufirin e moshës për përgjegjësi penale. Përqindja e të miturve autorë të krimit seksual kundrejt totalit të personave të dënuar për këtë grup krimesh është tetë deri dhjetë për qind. Kjo më e lartë se për grupe të tjera veprash penale, si p.sh. vjedhjet, që janë krime që përkojnë me numër të lartë autorësh të mitur. Ky koeficient i të miturit autor krimi seksual është tepër shqetësues dhe dëshmon mangësi në formimin social dhe psikologjik të fëmijëve, si dhe ekspozim ndaj fenomenit që nxit agresivitet në fazat e para të seksualitetit.
Krimi ndaj të miturve dhe krimi me të mitur paraqesin vështirësi në hetim dhe procedim. Viktimizimi i të miturve në vendin tonë është tepër shqetësues dhe më e rëndësishmja ka të bëjë me faktin që disa forma të këtij kriminaliteti kërkojnë punonjës të specializuar. Veç oficerit të policisë që merret me krimet, kërkohen grupe hetimi me prezencë të ekspertëve të psikologjisë apo sociologjisë kriminale. Nuk është e mundur që një krim seksual ndaj të miturve të skedohet, hetohet dhe zgjerohet në analizë nga një oficer i thjeshtë i policisë së një rrethi, i pa specializuar në karakteristika të veçanta të këtij krimi. Dy elementët e prezantuar më sipër si recidivizmi i autorit pedofil dhe imitimi i krimit nga një i akuzuar dikur viktimë, janë haptazi element që kërkojnë ekzistencën e një departamenti të veçantë pune në Prokurorinë e Përgjithshme më një njësi hetimi në Policinë e Shtetit.
ARANITA BRAHAJ











