BULQIZE – Policia e Bulqizës vetëm rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm ka bindur autorin e vrasjes së Elton Koçit, D. Tasha, që të dorëzohet. Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër pohuan për “Panorama” se shumë shpejt policia ka arritur të identifikojë autorin e ngjarjes së rëndë, të ndodhur në qendër të Bulqizës. Mësohet se 17-vjeçari Tasha ka sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke pohuar se Elton Koçi e nipi i tij, Andi Sulku, e kanë goditur me grushte në bilardo. Në këto rrethana, sipas tij ka shkuar në shtëpi ku ka marrë një thikë dhe me të ka goditur dy të rinjtë, duke lënë njërin të vdekur dhe tjetrin të plagosur rëndë. Pak minuta pasi ka mësuar ngjarjen, Xhemal Koçi, 50 vjeç, i ardhur nga zona e Gollobordës ka tentuar të vetëvritet. Burime të sigurta informacioni thanë se babai i 22-vjeçarit, sapo ka marrë lajmin e kobshëm se djali i tij ka humbur jetën në një bilardo të qytetit ka tentuar të hidhet para një makine që lëvizte në sheshin “Minatori” të qytetit të Bulqizës. Mësohet se Koçi nuk ka pësuar lëndime, megjithatë është dërguar për kontroll në spitalin e Bulqizës. Ndërkaq, policia lokale njoftoi se shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bashkëpunim me forcat e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda, si dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër kanë bërë të mundur arrestimi në flagrancë të shtetasit D.Tasha, 17 vjeç, banues në qytetin e Bulqizës. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë, njoftoi Policia, për konsumim të veprave penale të “vrasjes me dashje”, “vrasjes me dashje, mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Po sipas Policisë, shtetasi i arrestuar ka goditur me thikë shtetasin Elton Koçi, 22 vjeç, nga qyteti i Bulqizës, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë shtetasin A.Sulku, 21 vjeç, nga qyteti i Bulqizës që tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një thikë, të cilën autori dyshohet ta ketë përdorur në momentin e ngjarjes. h.p











