Krimet e Rënda, 10 vjet burg pengmarrësit Romeo Leka

Feb 26, 2011 | 11:08

Një trupë gjyqësore e kësaj gjykate e deklaroi fajtor të pandehurin Leka për katër episode kriminale. Sipas vendimit të gjykatës, Romeo Leka u shpall i fajshëm për kryerjen e veprave penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”, “vjedhjes me armë”, “vjedhjes me armë të mbetur në tentativë”, “heqjes së paligjshme të lirisë”, si dhe “kanosjes”. Për shkak të gjykimit të tij me kohë të shkurtuar, çka mundëson uljen e 1/3-ës së dënimit përfundimisht Leka u dënua me 10 vjet heqje lirie.
Nga kafazi i sallës së gjyqit Romeo Leka e priti qetësisht dje vendimin që e lë 10 vjet pas hekurave. Ndërsa para tërheqjes së gjykatës në dhomën e këshillimit, Leka kërkoi mëshirë prej tyre. Duke pranuar se i kishte drejtuar armë punonjëses së bankës, si edhe vajzës që mbajti peng në rrugën pranë Presidencës, Leka tha se nuk u kishte bërë atyre asgjë të keqe. “Kërkoj mëshirë, pasi unë kam pasur mëshirë”, iu drejtua Leka gjykatës. Ndërsa mbrojtësi ligjor i Lekës, avokati Ferdinand Ndoja, pretendoi dje gjatë paraqitjes se konkluzioneve të mbrojtjes, që Leka nuk ishte fajtor vetëm për akuzën e grabitjes me armë në lagjen “Ali Demi”. “Klienti im është futur me armë në bankë dhe ka dalë. Nuk ka grabitur gjë. Ai është tërhequr nga kryerja e veprës penale, ndaj nuk mund të akuzohet për këtë”, u shpreh avokati.
NGJARJET
Ngjarjet për të cilat u deklarua i fajshëm Romeo Leka janë shënuar në harkun kohor 18-19 mars 2010. Sipas hetimeve, rezulton se në 18 mars 2010 ai ka shkuar në një filial banke të nivelit të dytë në lagjen “Ali Demi”. Nën kërcënimin e armës, ai i ka kërkuar punonjëses paratë e arkës. Sipas Prokurorisë, Leka ka dështuar në këtë grabitje. Pasi ka dalë “pa gjë” nga banka, Leka ka marrë një taksi dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar taksistit ta dërgonte drejt Kamzës. Por prania e një patrulle policie pak para mbërritjes në Kamës, ka trembur Lekën, i cili ka lënë taksistin dhe është larguar. Po sipas organit të akuzës, të nesërmen e asaj dite Leka ka grabitur me armë një filial banke të nivelit të dytë në ambientet e hotel “Rogner” në Tiranë. Grabitja u diktua menjëherë nga policia, ndërsa Leka po largohej me shpejtësi në drejtim të “Librit Universitar”. “Me synim largimin e tij, me qëllim për t‘ju shpëtuar punonjësve të policisë, si dhe të mos arrestohej, pikërisht në momentin që ka qenë pranë “Librit Universitar”, ka marrë peng një kalimtare të rastit dhe më konkretisht të dëmtuarën L. K, të cilës pasi i ka vënë pistoletën në kokë, e ka kapur prej krahu dhe e ka urdhëruar që të mos e kundërshtonte, por të vinte më të, pasi në të kundërt do ta vriste”, pohoi Prokuroria në seancën e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare.

© Panorama.al

Te lidhura