Kreu i KLSH, PD rrëzon Sali Shehun

Nov 4, 2011 | 10:56

Sali Shehu, propozimi i rrezuar i Bamir Topit per kreun e KLSH

Oketa, e vetmja votë pro Topit, Abazi e Gashi të PS votojnë si PD.
Partia Demokratike rrëzon në Parlament propozimin e Presidentit Topi: Sali Shehu për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Pasi votuan kundër në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, 73 deputetë nga maxhoranca dhe dy nga opozita dhanë sërish votën kundër edhe në seancën e djeshme parlamentare. Përpara votimit deputetët e Partisë Socialistë kërkuan që votimi të bëhet i mbyllur për shkak se në këtë rast votohej për një individ, por kryeparlamentarja Topalli i kujtoi opozitës ndryshimin e Rregullores, sipas së cilës, dekretet e Presidentit votohen hapur. Gjatë votimit, të pranishëm ishin 133 deputetë, nga të cilët 128 morën pjesë në votim. Kundër dekretit të Presidentit votuan 73 deputetë të Partisë Demokratike dhe dy deputetët e PS-së, Sadri Abazi i qarkut të Dibrës dhe Azir Gashi i qarkut të Fierit. E vetmja votë pro kandidaturës së Sali Shehut ishte ajo e deputetit të PD-së, Gazmend Oketa, i njohur si një nga mbështetësit e Presidentit Topi. Ndërkohë, opozita abstenoi në votim. Pas rrëzimit të këtij dekreti, Presidenti pritet t’i propozojë një tjetër emër Kuvendit, ku më i favorizuari është ish-deputeti i PD-së, Bujar Leskaj.
Banka e Shqipërisë
Sa i përket votimit për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, opozita votoi kundër emrave të propozuar nga qeveria, ndërsa emrat e propozuar nga forcat politike u votuan me konsensus. Konkretisht, guvernatori aktual i Bankës, Ardian Fullani, mori një tjetër mandat shtatëvjeçar si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, ku u votua me 75 vota pro, 54 kundër dhe 4 abstenime. Këshilltari i Kryeministrit, Petraq Milo, mori 75 vota pro, 55 kundër dhe 2 abstenime, ndërsa Elisabeta Gjoni mori 78 vota pro, 53 kundër dhe një abstenim. I propozuari i PD-së, Dhori Kule, mori 124 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime. Propozimi i LSI-së, Ela Golemi, u votua me 123 vota pro, 6 kundër dhe 2 abstenime.

VOTIMI NE KUVEND
Sali Shehu në KLSH
75 kundër, 1 pro, 52 abstenim
Ardian Fullani në BSH
75 pro, 54 kundër, 4 abstenim
Petraq Milo në BSH
75 pro, 55 kundër, 2 abstenim
Elisabeta Gjoni në BSH
78 pro, 53 kundër, 1 abstenim
Dhori Kule në BSH
124 pro, 5 kundër, 3 abstenim
Ela Golemi në BSH
123 pro, 6 kundër, 2 abstenim, 1 nuk votoi
Ermelinda Meksi në BSH
123 pro, 7 kundër, 2 abstenim

© Panorama.al

Te lidhura