Operatori dhe gazetari i televizionit “Top Channel” janë dhunuar nga një grup të rinjsh, të cilët u kanë shkatërruar edhe kamerën dje, ndërsa po xhironin në afërsi të Qytetit Studenti.Njëri nga autorët e dyshuar të ngjarjes rezulton të jetë drejtor i Doganës në Lezhë. Policia tha se grupi i xhirimit të televizionit “Top Channel” u sulmua në afërsi të Qytetit Studenti, ku kishin shkuar për të ndjekur një denoncim të përfaqësuesve të Partisë Socialiste, se në Qytetin Studenti po votohej me karta të falsifikuara. Gazetari Marin Mema dhe operatori Eno Çuçllari ndodheshin përballë Qendrës së Votimit Nr. 1718, të Njësisë Nr. 2 dhe operatori po filmonte ambientet e jashtme të qendrës kur janë sulmuar nga disa persona të panjohur. Në kallëzimin që ata kanë bërë në Komisariatin Nr. 1 kanë treguar se janë sulmuar nga një grup prej 20-30 personash, të cilët fillimisht kanë goditur operatorin, duke i hequr me forcë kamerën nga duart. Ndërsa në momentin kur gazetari Mema është afruar për të shmangur konfliktin, agresorët e kanë goditur edhe atë. Më pas ata kanë rrëmbyer kamerën dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. “Morëm informacion për kapjen e dy kartave false. Shkuam për të bërë filmim dhe aty kemi hasur në reagimin e 20-30 personave që na kanë sulmuar dhe i kanë marrë kamerën operatorit”, është shprehur gazetari Marin Mema, në denoncimin që ka bërë në polici. Disa orë pas ngjarjes, kamera është gjetur e shkatërruar vetëm 200 metra larg vendit të ngjarjes, në rrugën “Pjetër Budi”, pranë një kompleksi pallatesh. Grupi i xhirimit ka shpjeguar në polici se personat që i kanë sulmuar kishin hequr nga kamera kasetën me pamjet filmike të konfliktit mes tyre, pasi në momentin kur operatori është sulmuar, po xhironte dhe kishte fokusuar një pjesë të sulmit ndaj tij. Në një kohë të shkurtër pas marrjes së kallëzimit, forcat e policisë kanë bërë të mundur ndalimin e dy personave, lidhur me këtë ngjarje. Sipas burimeve nga policia, një prej të dyshuarve është Agim Toçilla, drejtori i Doganave në Lezhë, i cili edhe në zgjedhjet e mëparshme është përfshirë në incidente të ndryshme. Policia ka shoqëruar edhe një 14-vjeçar me inicialet D. B., ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Zgjedhjet në Shkodër e Fier, rrihen komisionerët e qendrave të votimit
SHKODER/ FIER – Rrahjet mes komisionerësh ose dhunë nga persona të tjerë ndaj përfaqësuesve politikë në qendrat e votimit ishin të zakonshme gjatë procesit të djeshëm zgjedhor. Në qarkun e Shkodrës u regjistruan dy raste dhune, një në fshatin Kuç të komunës Guri i Zi, si dhe në komunën Shllak. Në rastin e parë, në fshatin Kuç, ka qenë një përplasje fizike mes nënkryetarit të kësaj qendre dhe të një anëtari të këtij komisioni. Përplasja, e cila arriti deri në konfrontime me grushte, ka ndodhur në rrugën në afërsi të kësaj qendre votimi, por që sipas të lënduarit ka lidhje me sherrin e mëparshëm. Bahri Meti, gjatë një prononcimi për mediat ka pohuar se ai është rrahur, pasi nuk kishte lejuar votimin e një personi për tërë familjen. Sipas Metit, ai si përfaqësues i PDK-së është paraqitur rreth orës 07.00 në qendrën e votimit 0345 në fshatin Kuç të komunës Guri i Zi. Gjatë kohës që ato po sistemonin bazën materiale të qendrës së votimit u ka kërkuar anëtarëve të këtij komisioni që të mos ketë votime një për familje, por çdo person do të votojë vetëm një herë dhe me kartë identiteti. “Kjo ndërhyrje imja nuk i pëlqeu nënkryetarit të këtij komisioni, Zamir Fushës, përfaqësuesit të PD-së, i cili më kërcënoi. Më pas, sapo dola nga qendra e votimit në rrugë për arsye të miat, më kanë ardhur 4-5 persona të afërm të nënkryetarit të komisionit Fusha, që më kanë qëlluar, duke më shkaktuar plagë të mëdha. Pas kësaj, unë jam dërguar në spital ku kam marrë mjekimet e duhura”, pohoi Fusha. Ndërsa në lidhje me këtë rast, kryetari i komisionit, përfaqësues i PS-së, ka mohuar të ketë dijeni se çfarë i ka ndodhur anëtarit të komisionit, duke thënë se në brendësi të qendrës nuk e ka rrahur njeri. Një tjetër denoncim është bërë nga ana e kandidatit për kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës, Dedë Dodani, i “Aleancës për të ardhmen”, i cili akuzoi se është kërcënuar me jetë nga një inspektor i Policisë Bashkiake. Sipas Dodanit, shkak u bë kontestimi i prezencës së efektivit në qendrën e votimit të fshatit Shelqet dhe propagandën për kandidatin rival. Dhunë është ushtruar dhe në qendrën e votimit Nr.3209, në fshatin Seman i Ri komuna Topojë në Fier, ku dy persona kanë fyer dhe qëlluar me pëllëmbë dy anëtarë të komisionit të kësaj qendre votimi. Ndërsa në qendrën e votimit në lagjen Afrim në Fier, dy anëtarë të komisionit janë konfliktuar dhe goditur me njëri-tjetrin. Për këto raste është dashur ndërhyrja e policisë që situata të qetësohej, për të vazhduar procesi i votimit më vonë.
Kandidati i PS shkatërron kutitë e votimit
Incidenti i ndodhur dje në qendrën e votimit 15/92 të fshatit Xibrakë, komuna Shalës në Elbasan, ka shtyrë për një tjetër ditë votimin për kryekomunar. Sipas policisë, shkak është bërë dhunimi i materialeve të votimit nga vetë kandidati për kryetar komune, i zgjedhur nga PS, Skënder Çapja. Ai mësohet se ka shkuar në qendrën e votimit në Xibrakë, i shoqëruar me dy të afërm të tij dhe me karrige ka thyer kutitë e votimit. Menjëherë është pezulluar edhe në këtë qendër votimi, për t’u kryer në ditët në vijim. Në këtë qendër do të votonin 800 votues, por ata do të paraqiten në një tjetër datë, pas dëmtimit të kutive të votimit bashkë me fletët brenda tyre. m.s
Rreh djemtë e komisionerit të PD, në kërkim ish-truproja i Nanos
TIRANE – Policia e Tiranës tha dje se ish-truproja i ish-kryeministrit Fatos Nano dhe njëri prej të akuzuarve të dosjes “Hajdari”, u shpallën në kërkim pasi kanë dhunuar dje djemtë e një komisioneri të zgjedhjeve në rrugën “Irfan Tomini”. Policia tha se dy personat akuzohen të jenë autorë të dhunimit të dy djemve të komisionerit të PD-së në Qendrën Nr. 1849, në rrugën “Irfan Tomini”, ngjarje e ndodhur dje rreth orëve të drekës. Burimet zyrtare nga policia kanë pohuar dje se Viktor Agolli, 43 vjeç dhe Fatmir Meta, 42 vjeç, janë denoncuar si përgjegjës për incidentin e ndodhur dje rreth orës 15:30, në Kopshtin Nr. 45, në Tiranë. Policia e Komisariatit Nr. 2 është njoftuar se dy vëllezërit, Erald dhe Energis Hasaj, 18 dhe 19 vjeç, janë sulmuar duke u goditur me grushte në fytyrë dhe me objekte të tjera të forta nga dy të kërkuarit. Nga burimet e policisë është pohuar se të dëmtuarit janë djemtë e Përparim Hasajt, i cili është komisioneri i subjektit Partia Demokratike, në Qendrën e Votimit Nr. 1849, të Minibashkisë Nr. 5. Forcat e policisë së Komisariatit 2 u kanë marrë kallëzim të dëmtuarve Erald dhe Energis Hasaj, të cilët kanë treguar rrethanat e ngjarjes, duke theksuar se janë sulmuar nga dy agresorët pa asnjë shkak. Menjëherë policia ka mundur të identifikojë dy autorët e ngjarjes dhe ka bërë shpalljen në kërkim policor.
Dhunohet vëzhguesi shqiptaro-amerikan
TIRANE – Një vëzhgues i shoqatës “Vatra” është dhunuar mesditën e djeshme teksa mbikëqyrte procesin e votimit në shkollën “Naim Frashëri”, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, për Minibashkinë Nr.7. Burime zyrtare nga Policia thanë se i dëmtuari është një shtetas shqiptaro-amerikan, me banim të përkohshëm në Tiranë, i cili kishte mbërritur vetëm për të vëzhguar procesin zgjedhor. Forcat e policisë së Komisariatit Nr.2 janë njoftuar për ngjarjen nga i dëmtuari Isat Nuhi Billali, 38 vjeç, i cili pretendon se është sulmuar pa asnjë shkak nga disa persona ende të paidentifikuar, të cilët ndodheshin mes personave të tjerë që prisnin në radhë për të votuar. Ai ka treguar në polici, se rreth orës 13:30, teksa tentonte të futej në qendrën e votimit për të parë se si po ecte procesi zgjedhor, disa persona kanë tentuar ta pengojnë duke e ndaluar në mes të radhës me njerëz. Autorët e kanë shtyrë duke e larguar disi nga personat që prisnin për të votuar dhe e kanë goditur me grushte në fytyrë, duke e rrëzuar në tokë dhe më pas janë larguar. Policia ka marrë edhe përshkrimet e të dëmtuarit për autorët e sulmit ndaj tij dhe po punon për identifikimin e tyre.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











