Eurozona mbetet në krizë të thellë dhe analistët po e krahasojnë situatën me Depresionin e Madh të vitit 1937.Në një analizë të publikuar në “Washington Post”, Roxher C. Altman, kreu i partneritetit “Evercore” dhe nënsekretar thesari për administratën e ish-Presidentit Klinton, shkruan se Europa është në prag të kaosit financiar. Tregjet globale të kapitaleve, tashmë forca më e madhe mbi tokë, po humbasin me shpejtësi besimin në koherencën financiare të 17 vendeve të eurozonës. Sipas Altman, zanafilla e këtij kaosi ishte falimentimi i Lehman Brothers në 2008. Shkrirja e eurozonës mund të nxisë një tjetër tronditje financiare glabele. Madje, një kthim të dytë të Recesionit të Madh. Edhe Altman ka drejtuar gishtin nga Gjermania, e cila sipas tij, nuk po bën sa duhet për të treguar integritet fiskal. Kreu i “Evercore” (kompani këshilluese e pavarur, lidere në tregun bankar e investues) paralajmëroi se tregjet botërore nuk kanë kohë të presin derisa eurozona të bindet se duhet të hedhë hapat e duhur për depozitat e përbashkëta për qeveritë dhe një mekanizëm për rikapitalizimin e bankave që mund të jenë të rrezikuara.
Ndërkohë, krerët e financave të shtatë fuqive të industrializuara (G7) takohen sot pas rritjes së alarmit global mbi krizën ën eurozonë. Greqia është problem shqetësues në grupin e monedhës së përbashkët, pasi falimentimi i saj në rast se populli grek zgjedh që të drejtohet nga Syriza radikale, mund të shkaktojë reaksione zinxhir në eurozonë dhe të ulë besueshmërinë në monedhën e përbashkët në të gjithë botën. Por tashmë epiqendër diskutimesh është bërë edhe Spanja. Vendi po shkon drejt kërkimit të padiskutueshëm të një fondi shpëtimi. Por ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës është shumë e vështirë për t’u shpëtuar.
Takimi i ministrave nga SHBA, Kanadaja, Japonia, Britania, Gjermania, Franca dhe Italia i paraprin atij të G20 në Meksikë, i cili gjithashtu do ta ketë fokusin mbi krizën në eurozonë.
Mario Monti
Kryeministri italian, Mario Monti, shprehu dëshirën që grekët të votojnë për të qëndruar në euro. “Shpresoj që grekët të votojnë për të qëndruar në euro, sepse përbën një garanci për një të ardhme të qëndrueshme me prosperitet”.
Shakaja e Berluskonit
Ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni ka deklaruar se po bënte shaka kur sugjeroi se Italia duhet të braktisë monedhën e përbashkët, euron, derisa Banka Qendrore Europiane të injektojë më shumë para në ekonomi. Politikani i polemikave dhe skandaleve, 75 vjeç, shkruante në faqen e tij në “Facebook”: “Ne duhet t’i themi Europës me forcë se BQE duhet të printojë para. Nëse nuk e bën, ne do të detyrohemi t’i themi ‘ciao, ciao’ dhe të lëmë eurozonën”. Por më pak se 24 orë më vonë idetë e tij u përplasën me ato të Kryeministrit Mario Monti. Më pas, Berluskoni shkroi në “Facebook”: “Po bëja shaka”…











