TIRANË- Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka bërë përgjegjëse politikën për bllokimin e reformave integruese në vend, pasuar me mohimin për dy herë radhazi të statusit kandidat për në BE.
Gjatë fjalës së tij në tryezën për drejtësinë, Spahiu ka vlerësuar rolin e padiskutueshëm të delegacionit të misionit të BE dhe mbështetjen e ekspertizës në të cilën për vite me radhë ky mision ka asistuar pranë KLD.
“Qytetarët i kanë sytë te drejtësia dhe presin drejtësi, që proceset të garantojnë barazinë e palëve në proces, duke parë që qytetari dhe politikani të jenë të barabartë para bankës së të akuzuarave. Presin që shteti dhe individi të jenë të barabartë. Të gjithë i kanë sytë te drejtësia, një drejtësi që duhet të tregojë integritet në problematikat më të rëndësishme, kur përballet me politikën, integriteti i një sistemi gjyqësor varet kur në bankën e të akuzuarve janë njerëzit me pushtet”- tha ai.
Ai e quajti rast të paprecedentë mohimin e statusit kandidat për vendin tonë. “Arsyet janë një, rrënjët ishin te kriza politike dhe mosrealizimi i shumë reformave edhe në drejtësi, të gjitha ligjet që kërkonin shumicë të cilësuar duke nisur nga Gjykata Administrative, Konferencës gjyqësore, KLD, Gjykatës së Lartë, Kushtetuese, për mese 3 vjet u paralizuan duke penguar vazhdimin e reformave në drejtësi”- tha Spahiu.
© Panorama.al











