Kremlini reagon për dorëheqjen e shefit të stafit të Zelenskyt: Kievi po zhytet në një krizë të thellë politike

Nov 28, 2025 | 20:57

Kremlini ka reaguar ndaj dorëheqjes së kreut të zyrës presidenciale të Volodymyr Zelenskyt, duke e cilësuar situatën në Kiev si shenjë të një “krize të thellë politike”. Deklarata u bë të premten nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas raportimeve të agjencisë ruse TASS.

kremlin

Peskov tha se zhvillimet në Ukrainë “reflektojnë një krizë të thellë politike të shkaktuar nga skandalet e korrupsionit”. “Nuk mendoj se në këtë moment ka nevojë të shtrojmë pyetjen se ku do të çojnë të gjitha këto,” u shpreh ai për gazetarët.

Andriy Yermak, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Zelenskyt dhe kreu i ekipit negociator të Ukrainës në bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA, dha dorëheqjen të premten, vetëm pak orë pasi autoritetet kundër korrupsionit bastisën banesën e tij. Bastisja u krye në kuadër të një hetimi për mashtrim në sektorin e energjisë.

Dorëheqja e tij po interpretohet si një tronditje e fortë brenda lidershipit ukrainas, në një moment kur vendi po përballet me sfida të mëdha të brendshme dhe të jashtme.

© Panorama.al

Te lidhura