Kreditë, ligji kundër “hileve” të bankave

May 26, 2011 | 10:44

Bankat nuk do të kenë mundësi të ndryshojnë kushtet e kontratave të kredisë lidhur me interesin, pa marrë fillimisht pëlqimin e konsumatorit.Në ndryshimet që i janë bërë ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, kjo është një nga pikat që qeveria ka vendosur t’i shtojë nenit 27, ku përfshihen kushtet e padrejta. “Janë kushte të padrejta në kontrata të drejtat e tregtarit, kur ndryshojnë kushtet e kontratave të kredisë, veçanërisht metodën/metodologjinë e përllogaritjes së normës së interesit dhe elementet e saj, pa marrë më parë pëlqimin e konsumatorit”, thuhet në pikën (m) të nenit 27 të ligjit. Problematika e ndryshimit të interesit nga bankat për kreditë është një problem që është lakuar shpesh edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila ka bërë thirrje për më shumë transparencë. Bankat në vend aplikojnë “sistemin” e yjeve për interesat të cilat caktohen si fikse, por me një kusht ndryshimi në një periudhë të caktuar. Edhe publiciteti që institucionet bankare ofrojnë ndaj klientëve do të duhet të jetë më i qartë në të ardhmen, duke përfshirë brenda këtij publiciteti informacionin standard. Sipas vendimit të miratuar dje, informacioni standard, përveçse është i qartë dhe i saktë, përfshin në vetvete edhe një shembull ku specifikohen: normat e huasë, fikse ose të ndryshueshme ose të dyja së bashku, me veçoritë e çdo pagese/detyrimi të përfshira në koston totale të kredisë për konsumatorin, shuma totale e kredisë, norma vjetore e përqindjes së pagesave/detyrimeve apo norma efektive e interesit (NEI), siç përcaktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë, nëse është e zbatueshme kohëzgjatja e marrëveshjes së kredisë, në rastin e një kredie në formën e një pagese të shtyrë, për një mall ose shërbim të veçantë; çmimi në para (kesh) dhe shuma e çdo pagese në avancë, shuma totale e pagesës për konsumatorin dhe shumat e pagesave për këstet. Konsumatorit, nga ana tjetër, duhet që t’i sigurohet mundësi informacioni për alternativa të ndryshme të kredisë, në mënyrë që ai të zgjedhë sipas interesave të tij, pasi të ketë bërë krahasimin. Ky informacion duhet t’i sigurohet nga ndërmjetësi i kredisë dhe duhet të jetë në formë të shkruar apo format tjetër të disponueshëm. Edhe një herë vendimi i mëshon kujdesit që duhet të bëhet në informacionin e dhënë, i cili duhet të jetë sipas standardeve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë. Edhe mbi këtë pikë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka theksuar jo pak herë se edukimi i konsumatorit është një nga gjërat më të rëndësishme që lidhet me sektorin bankar. Por çfarë parashikon vendimi për situatën kur konsumatori ka marrë një kredi dhe kërkon të heqë dorë prej saj apo kërkon të bëjë shlyerjen e parakohshme. Vendimi i ri detajon mënyrën se si veprohet në këto raste. “Konsumatori ka të drejtë në çdo kohë të shlyejë plotësisht ose pjesërisht detyrimet e tij, gjithnjë sipas marrëveshjes së kredisë. Në këto raste, konsumatorit i jepet e drejta e reduktimit të kostos totale të kredisë që konsiston në uljen e interesit dhe kostove për periudhën e mbetur të kontratës së kredisë”, përcakton vendimi. Mbrojtja e konsumatorit në rastet e kreditimit nuk është e vetmja pjesë ku është ndërhyrë në ligj. Vendimi i ri e cakton si taksativ faktin që kontrata e nënshkruar duhet të ketë një format të caktuar në mënyrën e shkrimit, duhet të jetë në shqip, si dhe të ketë formulim të qartë. Në rastet kur ky formulim në vend është i paqartë apo interpretohet në mënyra të ndryshme, e drejta i jepet gjithmonë konsumatorit.

Kthimi i mallit

Një tjetër pjesë që vendimi përcakton, lidhet me ndarjen e pozicioneve të konsumatorëve dhe tregtarëve, duke përcaktuar të drejtat e detyrimet e secilit karshi tjetrit. Kështu, për rastet kur një  konsumator kthen mallin brenda 14 ditëve kalendarike pa asnjë argument, atëherë kostoja e kthimit të mallit i ngarkohet konsumatorit. Ndërkaq, për rastin e kundërt, kur shërbimi apo malli nuk është ofruar në kohën e përcaktuar, konsumatori ka të drejtë që të kthejë këtë shërbim pa marrë përsipër asnjë kosto. Kjo në fakt vlen për produktet që nuk hyjnë në kategorinë e ushqimeve dhe për shërbimet që nuk lidhen me transportin apo kushtet e fjetjes.

Ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit” lidhur me kreditimin

Në pikën 4, të nenit 27, shtohet shkronja “m” me këtë përmbajtje:
“Janë kushte të padrejta në kontrata të drejtat e tregtarit, kur ndryshojnë kushtet e kontratave të kredisë, veçanërisht metodën/metodologjinë e përllogaritjes së normës së interesit dhe elementet e saj, pa marrë më parë pëlqimin e konsumatorit”, thuhet në pikën “m”, të nenit 27 të ligjit. Problematika e ndryshimit të interesit nga bankat për kreditë është një problem që është lakuar shpesh edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila ka bërë thirrje për më shumë transparencë. Bankat në vend aplikojnë.
Në nenin 45 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë vijon:
“1. Çdo publicitet në lidhje me marrëveshjet e kredisë, e cila tregon një normë interesi apo ndonjë shifër në lidhje me çmimin e kredisë për konsumatorët, duhet të përfshijë informacionin standard të përcaktuar në këtë nen.
Ky informacion standard duhet të jepet në mënyrë të qartë, të saktë dhe të dukshme, me anë të një shembulli përfaqësues, ku të specifikohen:
a) norma e huasë, fikse, e ndryshueshme ose të dyja së bashku, me veçoritë e çdo pagese/detyrimi të përfshira në koston totale të kredisë për konsumatorin;
b) shuma totale e kredisë;
c) norma vjetore e përqindjes së pagesave/detyrimeve apo norma efektive e interesit (NEI), siç përcaktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë;
ç)  nëse është e zbatueshme, kohëzgjatja e marrëveshjes së kredisë;
d) në rastin e një kredie në formën e një pagese të shtyrë, për një mall ose shërbim të veçantë, çmimi në para (kesh) dhe shuma e çdo pagese në avancë;
dh)  shuma totale e pagesës për konsumatorin dhe shumat e pagesave për këstet.”
2. Pas pikës 1, shtohen pika 1.1 dhe 1.2, me këtë përmbajtje:
“1.1. Në një kohë të arsyeshme, përpara se konsumatori të pranojë ndonjë ofertë ose të lidhë kontratë, kreditori dhe, kur është e zbatueshme, ndërmjetësuesi i kredisë, i sigurojnë konsumatorit, në bazë të kushteve të kredisë dhe kushteve të ofruara nga kreditori, si dhe nëse është e zbatueshme, preferencave të shprehura apo informacionit të dhënë nga ana e konsumatorit, të dhënat e nevojshme për të krahasuar ofertat e ndryshme, në mënyrë që të marrë sipas këtyre të dhënave një vendim për lidhjen e një marrëveshjeje kredie.
Një informacion i tillë, i dhënë me shkrim apo me një mjet tjetër të qëndrueshëm, duhet të jetë sipas formës/formave standarde të informacionit të kredisë konsumatore, të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.
1.2. Në kuptim të këtij neni, “ndërmjetësuesi i kredisë” është çdo person fizik ose juridik, i cili nuk vepron si kreditor, por për qëllime që lidhen me tregtinë, biznesin ose profesionin e tij:
i. paraqet ose ofron marrëveshje kredie te konsumatorët;
ii. ndihmon konsumatorët për punën përgatitore në lidhje me marrëveshjet e kredisë, ndryshe nga ato të përmendura në nënndarjen “i”;
iii. lidh marrëveshje kredie me konsumatorët në emër të kreditorit, mbi bazën e një tarife, që mund të jetë me para ose me ndonjë formë tjetër financiare, për të cilën është rënë dakord.”
3. Pas pikës 2, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Konsumatori ka të drejtë në çdo kohë të shlyejë plotësisht ose pjesërisht detyrimet e tij, sipas marrëveshjes së kredisë. Në këto raste, konsumatorit i jepet e drejta e reduktimit të kostos totale të kredisë, që konsiston në uljen e interesit dhe kostove për periudhën e mbetur të kontratës së kredisë.”
4. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Marrëveshjet e kredisë hartohen me shkrim ose me një mjet tjetër të qëndrueshëm dhe një kopje e saj u jepet palëve.”

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura