Ndërpritet pjesërisht procesi i numërimit të votave në Tiranë.Lodhja e komisionerëve dhe e numëruesve ka çuar mbrëmë në pezullimin e procesit deri në 8 orë, ose shtyrjen e tij për ditën e sotme, siç ka ndodhur në KZAZ Nr. 49 dhe Nr. 54. Situata ka qenë pothuajse e njëjtë në të gjitha KZAZ-të në Tiranë, edhe pas mbledhjes së KQZ-së, që i urdhëroi ato për rifillimin e procesit. Nga 11 njësitë bashkiake ku janë instaluar qendrat e numërimit të votave, vetëm 3 prej tyre kanë punuar dje me ritme pak më të shpejta (njësitë 4, 9 dhe 11). Procesi në këto KZAZ është ndërprerë vetëm në rastet e ndërrimit të numëruesve të votave, ose kur janë pastruar ambientet. Në një moment të tillë pastrimi rastisëm në ambientet e shkollës “Bajram Curri”, ku numëruesi i PS-së, Trëndafil Tarja, ishte ulur në një bordurë dhe po priste rifillimin e procesit. “Jam këtu prej 22 orësh dhe vetëm në drekë pushova tri orë”, tha ai për gazetën, ndërsa theksoi se ndërprerjet e shkurtra në këtë KZAZ kishin ardhur për shkak të lodhjes, dhe jo të problemeve mes komisionerëve apo numëruesve të votave. Nga jashtë, kjo KZAZ ishte e rrethuar me militantë që prisnin në ankth lajmin për hapjen e çdo kutie votimi, por edhe me dhjetëra policë. Në fakt, forcat e rendit duket se janë ato më të palodhurat në këtë para dhe pas proces zgjedhor. Ngjitur me KZAZ-në Nr. 46 të Njësisë Bashkiake Nr.2, që ndodhet e instaluar përballë stadiumit “Qemal Stafa”, shefi i Komisariatit, Gjelosh Prendi, po hante diçka në makinë. “Mos u çudit, ka dy ditë që këto makinat tona (të policisë) janë bërë si shtëpi. Po hamë, po flemë dhe ndërrohemi disi këtu”, tha Prendi për gazetën “Panorama”, duke theksuar se aty kishte më shumë se 36 orë pa lëvizur. Me ushqim në duar ishin edhe shumë efektivë të tjerë policie, ndërsa brenda kësaj KZAZ-je komisionerët dhe numëruesit e votave ankoheshin se ishin sfilitur, duke rënë dakord për pushim disaorësh. “Me pushime”, madje të gjata, ishin edhe komisionerët dhe numëruesit e disa KZAZ-ve në Tiranë, duke ia nisur që nga ajo me numër 57, që ndodhet te Njësia Bashkiake Nr. 1, që edhe pas 6 orësh çlodhjeje (16:00-22:00), ende nuk dukeshin shenja për të vijuar procesin. Të pyetur nga gazeta, ata thonë se lodhja u vjen ngaqë edhe para këtij procesi kanë qenë të angazhuar në fushatë. Por edhe më i lodhur duket se është opinioni publik, i cili pret me padurim fituesin e Bashkisë së Tiranës.
Bllokimet ne 11 njesite e tiranes
KZAZ Nr.57, Njësia Bashkiake NR.1
Ka pasur ndërprerje të procesit të numërimit nga ora 16.00 me marrëveshje për të rifilluar në orën 22.00, për shkak të lodhjes.
KZAZ NR 46, Njësia Bashkiake NR.2
Janë bërë disa ndërprerje të numërimit të votave. Nga 20 numërues të partive, vetëm 8 prej tyre punonin gjatë natës.
KZAZ NR. 47, Njësia Bashkiake NR. 3
U bllokua numërimi për 7 orë, për shkak të mungesë së diplomës së një komisionari, si dhe pretendimit të PS-së për parregullsi.
KZAZ NR.48, Njësia Bashkiake NR.4
Numërimi i votave është ndërprerë me nga 1-2 orë për shkak të lodhjes së numëruesve.
KZAZ NR. 49, Njësia Bashkiake NR.5
Numërimi është ndëprerë rreth orës 22.00, komisionerët bënë marrëveshje që procesi të shtyhet për sot në orën 8.00.
KZAZ numër 50, Njësia Bashkiake Nr. 6
Numërimi është ndërprerë për pesë orë rresht, nga ora 12.00 deri në 17.00.
KZAZ NR.51, Njësia bashkiake Nr.7
është bërë ndërprerje gjatë darkës për shkak të lodhjes së komisionarëve dhe numëruesve.
KZAZ Nr.54, Njësia Bashkiake Nr.8
Procesi eci fillimisht me ritme më të shpejta se në qendrat e tjera, por në mbrëmje u ndëpre komplet, duke e lënë për sot numërimin.
KZAZ NR. 53, Njësia Bashkiake Nr. 9
Ka patur ndëprerje të procesit të numërimit të votave, por me intervale të shkurtra. Madje, disaminutëshe.
KZAZ NR.54, Njësia Bashkiake NR.10
Numërimi nisi pas mesditës për shkak të problemeve me dokumentacionin e komisionarëve dhe mostrajtimit të numëruesve.
KZAZ 55, Njësia Bashkiake NR.11
Ka patur disa herë ndërprerje për shkak të lodhjes së komisionarëve dhe numëruesve të votave.
PDIU fiton Bashkinë e Rrogozhinës
Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, i propozuar nga PDIU, Ndriçim Dushku, fitoi dje bashkinë e Rrogozhinës. Ndërsa në bashkinë Delvinë, PDIU është shpallur forcë e parë politike, ndërsa deri tani është forcë e dytë politike në bashkitë Peqin, Rrëshen dhe Bajram Curri. Kjo u bë e ditur nga një deklarate për mediat nga drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në PDIU, Ardit Bido. Njëherësh, PDIU përshëndeti atmosferën në të cilën u zhvilluan zgjedhjet gjatë ditës së djeshme. “Shqiptarët dje kanë votuar si qytetarë europianë. Për Shqipërinë dhe shqiptarët është e nevojshme që këto zgjedhje të jenë në përputhje me standardet europiane. PDIU u bën thirrje forcave politike që janë pjesë e administrimit të procesit zgjedhor që të ruajnë standardet e këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Bido. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi një fushatë të konsiderueshme në këto zgjedhje, ndërsa vendosi kandidatë potencialë për zgjedhjet e 8 majit, si pjesë e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”.
PS kryeson në Bashkinë e Kavajës
Kandidati socialist për Bashkinë e Kavajës, Elvish Roshi, kryeson me vota përballë kryetarit aktual në këtë bashki, demokratit Refik Rugija. Deri dje në orët e vona, kur kishin mbetur edhe 9 kuti për t’u numëruar, kandidati i PS kishte 4009 vota, ndërsa kandidati demokrat 3507. Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, deklaroi dje se kandidati i Aleancës për të Ardhmen, që garon për Bashkinë e Kavajës, është përpara me vota, kundrejt kandidatit demokrat, pikërisht në këtë zonë që prej vitesh është bastion i Partisë Demokratike. Socialistët i kanë dhënë shumë rëndësi garës në qytetin e Kavajës, ku e majta nuk ka fituar në asnjë zgjedhje, si ato administrative, ashtu dhe ato politike, duke e shndërruar në këtë mënyrë Kavajën në një bastion të pathyeshëm të Partisë Demokratike. Kreu socialist, në mbështetje të kandidatit socialist, zhvilloi dy herë takime në këtë qytet gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa në të janë angazhuar dhe disa nga deputetët socialistë.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











