KQZ, tërhiqet. Tjetër afat për PS-në

Feb 25, 2011 | 12:03

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të japë një afat të dytë për opozitën për të dorëzuar anëtarët e KZAZ-së. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi dje se PS-ja dhe PBDNJ-ja mund të sjellin emrat e anëtarëve të KZAZ-ve ndonëse ka përfunduar afati ligjor. Në rast të kundërt, ai paralajmëroi se KQZ-ja do të emërojë vetë me konkurs anëtarët e KZAZ-ve për të formuar kuorumin për vendimet që duhen për përgatitjen e zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, Ristani tha se edhe nëse opozita kthen mendje më vonë, ajo do të ketë humbur shansin për të pasur anëtarin e katërt që do emërojë KQZ-ja me konkurs. “Ligjërisht nuk ka më kohë. Afati ligjor ka mbaruar.

KQZ-ja është duke diskutuar mundësitë që edhe në një kohë të dytë ta lërë derën hapur për të parë mundësitë e riparimit të kësaj situate. Në rast se do të kujtohen për ta zbatuar ligjin, çështja është që sa më vonë të kujtohen, aq më e vështirë bëhet për t’i lënë të gjitha vendet për ta”, tha Ristani. Nëse PS-ja sjell me vonesë kandidaturat për komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve, asaj tashmë do t’i takojnë vetëm tre komisionerë në KZAZ-të ku ka kryesinë, dhe dy në ato ku ka minorancën. I pyetur për akuzat për shkelje të Kodit, Ristani tha se vendimi i KQZ-së ka qenë në zbatim të ligjit. “Absolutisht nuk është shkelur Kodi Zgjedhor. Jemi para faktit nëse do të arrijmë t’i organizojmë zgjedhjet ashtu siç duhet apo jo. Duke iu referuar Kushtetutës dhe përdorimit me analogji të të drejtës që ka KQZ-ja në ditën e zgjedhjeve për ta shtrirë dhe më përpara kësaj dite, ne morëm vendimin që morëm”, shtoi Ristani.
Kutitë e votimit
Ndërkohë, sot KQZ-ja do të vendosë për blerjen e mëse 6 mijë kutive të reja të votimit, për shkak të dëmtimit të tyre. Sipas relacionit përkatës të KQZ-së, do të blihen kuti të reja për materialet zgjedhore, pasi ato përdoren që nga viti 2003. Mundësia e riciklimit të tyre është e vogël, ndaj dhe KQZ-ja ka vënë në dispozicion 180 milionë lekë për të blerë kutitë. Ndërsa kuti të reja për votim mund të blihen shumë pak. Opozita prej mëse një viti e gjysmë kërkoi hapjen e kutive të votimit, duke dhënë edhe mundësinë e blerjeve të kutive të reja, por tashmë të gjitha fletët e votimit janë djegur.

Regjistrohet PD

Partia Demokratike u regjistrua dje në KQZ për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 8 majit, duke u bërë partia e parë që regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Njëkohësisht, dje u regjistrua edhe LDK-ja, e drejtuar nga Nikollë Lesi. Ndërkohë, sot do të regjistrohet partia MEGA e minoritet grek, por edhe Partia e Emigrantëve.

© Panorama.al

Te lidhura