KQZ shtyn vendimin për Tiranën

May 16, 2011 | 10:23

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë sot një vendim për të verifikuar të gjitha të dhënat e procesverbaleve për të 485 qendrat e votimit në Tiranë, përpara se të shpallet rezultati përfundimtar për kryetarin e Bashkisë.Në aktin që iu shpërnda dje anëtarëve të Komisionit, ky proces do të bëhet me dy etapa. Fillimisht, do të krahasohen rezultatet në tabelën përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga KZAZ-ja me tabelat origjinale të rezultateve për çdo qendër votimi. Më pas, këto të dhëna do të krahasohen me rezultatet për subjektet përkatëse që ndodhen në bazën e të dhënave. Etapa e dytë parashikon rastin kur nga të dhënat që krahasohen, rezulton se ka mospërputhje të shifrave. “Nëse vërehen mospërputhje të shifrave të mësipërme, krahasimi me shifrat në bazën e të dhënave të bëhet duke u bazuar në origjinalet e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit. Mospërputhjet e vërejtura të mbahen shënim dhe t’i raportohen KQZ-së. Pas dhënies së pëlqimit nga KQZ-ja, të bëhen rregullimet përkatëse në bazën e të dhënave dhe të printohet prej saj tabela përmbledhëse e rezultateve për Bashkinë Tiranë”, thuhet në vendimin e KQZ-së. I pyetur se kur do të ketë një rezultat përfundimtar për Tiranën, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha në një prononcim për mediat se “procedurat ligjore janë të parashikuara në nenin 123 të Kodit Zgjedhor dhe, në bazë të këtij neni, KQZ merr tabelat e rezultateve në KZAZ-të e Tiranës. Do të bëjë një verifikim të tyre për mënyrën se si është pasqyruar rezultati dhe brenda 48 orësh nga momenti që do t’i mbledhë, do të ketë një tabelë përmbledhëse për rezultatin e Tiranës”.
Debati
Në mbledhjen e djeshme, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, kërkoi që të dalë sa më shpejt rezultati përfundimtar i këtyre zgjedhjeve në Tiranë, pasi siç tha ai, procesi u ndoq nga të gjithë njerëzit dhe fituesi dihet. “Nuk besoj se do ketë ndonjë vonesë në këtë drejtim, aq më tepër që tani gjithçka është përfunduar, shifrat dhe numrat janë. Askush nuk mund të gjykojë për to, ju pëlqen apo nuk ju pëlqen. Duhet ecur shpejt për të certifikuar atë rezultat që njerëzit e dinë”, u shpreh Gjonçaj. Në përgjigje të kësaj deklarate, Njazi Kosovrasti i PD-së tha se për të shpallur rezultatin përfundimtar, duhet pritur edhe periudha e ankimimit. “Nuk arrij të kuptoj nervozizmin e përfaqësuesit të PS-së. Është e pafalshme të thuhet që rezultati është tashmë dhe juve ju mjafton vetëm ta certifikoni. Kjo do të thotë të mos e njohësh KQZ-në, të mos njohësh Kolegjin. Procesi është ende në pjesën e tij të fundit, por nuk ka mbaruar”, tha Kosovrasti. Një tjetër çështje e ngritur nga Gjonçaj ishte nxjerrja e fletëve për kryetar bashkie të cilat ishin hedhur gabim në kutinë e kandidatëve të minibashkive. “Fletët e gjetura në kutinë e gabuar nuk janë të vlefshme. Për këtë të rrinë të qetë të gjithë qytetarët. Ligji për fletët që janë në kutinë e gabuar thotë se janë të pavlefshme dhe, komisionerët të mos mbahen peng”, tha Gjonçaj. Ndërsa, sipas Kosovrastit “Është kompetencë e KZAZ t’i vlerësojë fletët. Cilido nga numëruesit apo komisionerët ka të drejtë të thonë që ‘s’jam dakord’ dhe ligji e ka thënë që ‘merre këtë fletë votimi dhe fute te votat e kontestuara'”.

PS: PD nuk mbyll numërimin te 5-a
“Pas përfundimit të procesit, kjo KZAZ nuk ka përfunduar tabelën dhe vendimin përkatës, i cili do vinte në lëvizje mekanizmin e shpalljes së rezultatit përfundimtar për Bashkinë e Tiranës. Ishte në sytë e miliona njerëzve ai proces, u numërua edhe kutia e fundit dhe në mënyrë antiligjore në Njësinë 5 procesi bllokohet nga komisionerë të papërgjegjshëm, kriminalë, të cilët nuk pranojnë të përfundojnë atë që është numëruar dhe certifikuar në njësinë e tyre”, u shpreh Genci Gjonçaj, dje në mbledhjen e KQZ.

PD: Të zbatohen afatet e ankimimit
“Vërtet atje janë kryer sipas ligjit dhe kodit të gjitha procedurat që ligji i ngarkon, por ka një KQZ-së që ka një sërë detyrash për të kryer këtu. Pas kësaj, janë subjektet politike që kanë të drejtën ligjore që atje ku ka problematike, t’i drejtohen KQZ-së dhe Kolegjit. Nuk është thjesht që ka mbaruar kjo punë dhe i themi KQZ-së që kjo punë mbaroi. Jo more. Do të respektohen të gjitha afatet ligjore, të gjitha institucionet që vendosin mbi fatin e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Njazi Kosovrasti.

485 kuti
Sipas Kodit Zgjedhor, nuk mund të ketë një rezultat përfundimtar për Tiranën pa ardhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve procesverbalet e 485 kutive të të gjitha qendrave të votimit.

Vendimi i KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi:
1. Të miratojë modelin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë për kryetar, sipas tabelës 1 dhe për Këshillin sipas tabelës 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Tabela përmbledhëse e rezultatit të printohet nga baza e të dhënave e krijuar nga transmetimi i rezultateve të çdo QV-je nga VNV-të përkatëse në KQZ, pasi të jenë bërë veprimet si më poshtë:
2.1 Të krahasohen rezultatet në tabelën përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga KZAZ-ja me tabelat origjinale të rezultateve për çdo qendër votimi dhe më pas këto të dhëna të krahasohen me rezultatet për subjektet përkatëse që ndodhen në bazën e të dhënave.
2.2 Nëse vërehen mospërputhje të shifrave të mësipërme, krahasimi me shifrat në bazën e të dhënave të bëhet duke u bazuar në origjinalet e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit. Mospërputhjet e vërejtura të mbahen shënim dhe t’i raportohen KQZ-së. Pas dhënies së pëlqimit nga KQZ-ja, të bëhen rregullimet përkatëse në bazën e të dhënave dhe të printohet prej saj tabela përmbledhëse e rezultateve për Bashkinë Tiranë.

Debati në KQZ
Genc Gjonçaj: Ligji është i qartë, mbaron numërimi për kryetarin dhe bashkinë, pastaj vazhdon me njësinë bashkiake. Nuk besoj se do ketë ndonjë vonesë në këtë drejtim, aq më tepër që tani gjithçka ka përfunduar, shifrat dhe numrat janë. Askush nuk mund të gjykojë për to, ju pëlqen apo nuk ju pëlqen. Duhet ecur shpejt për të certifikuar atë rezultat që njerëzit e dinë. Kam depozituar një kërkesë në KQZ, ku bëhet fjalë për një kërkesë absurde dhe të patolerueshme në KZAZ 49. Pas përfundimit të procesit, kjo KZAZ nuk ka përfunduar tabelën dhe vendimin përkatës, i cili do vinte në lëvizje mekanizmin e shpalljes së rezultatit përfundimtar për Bashkinë e Tiranës. Ishte në sytë e miliona njerëzve ai proces, u numërua kutia e fundit dhe në mënyrë antiligjore në Njësinë 5 procesi bllokohet nga komisionerë të papërgjegjshëm, kriminalë, të cilët nuk pranojnë të përfundojnë atë që është numëruar dhe certifikuar në njësinë e tyre. Unë kam kërkuar që KZAZ të urdhërohet të përfundojë procesi zgjedhor në këtë njësi, në të kundërt kam kërkuar shkarkimin e komisionerëve të papërgjegjshëm që i përkasin PD-së dhe LSI-së në këtë komision. Në këtë KZAZ, po ndodhin edhe çudira të tjera që teksa gjenden fletë votimi të kryetarit të Bashkisë së madhe në kuti votimi të njësive bashkiake apo këshilltarëve, këto vota ndalohen dhe përpiqen që të shkruhen si vota që mund të konsiderohen në një moment apo proces tjetër. Ligji flet për fletë votimi të vlefshme dhe të pavlefshme. Fletët e gjetura në kutinë e gabuar nuk janë të vlefshme. Për këtë të rrinë të qetë të gjithë qytetarët. Ligji për fletët që janë në kutinë e gabuar thotë që janë të pavlefshme dhe komisionerët të mos mbahen peng. Procesi për kryetar bashkie është i përfunduar. Askënd të mos e gënjejë mendja se nëpërmjet këtyre makinacioneve mund të shpëtojë ndonjë gjë.
Arben Ristani: KQZ respekton vendimmarrjen e komisioneve të dyta dhe të treta sipas kompetencave ligjore që ata kanë. Për zgjidhjen e situatave që ju pretendoni është tërësisht kompetencë e KZAZ-së të vendosë se si do trajtojë çështjen që i del për shqyrtim. Është tërësisht vendimmarrje e KZAZ-së. Nëse subjektet nuk janë dakord me vendimet e KZAZ-së, vijnë në KQZ me ankim. Kjo është procedura ligjore.
Njazi Kosovrasti: Nuk arrij të kuptoj nervozizmin e përfaqësuesit të PS-së. Është e pafalshme të thuhet që rezultati është tashmë dhe juve u mjafton vetëm ta certifikoni. Kjo do të thotë të mos e njohësh KQZ-së, të mos njohësh kolegjin. Procesi është akoma në pjesën e tij të fundit, por nuk ka mbaruar. Vërtet atje janë kryer sipas ligjit dhe kodit të gjitha procedurat që ligji i ngarkon, por ka një KQZ-së që ka një sërë detyrash për të kryer këtu. Pas kësaj, janë subjektet politike që kanë të drejtën ligjore që atje ku ka problematike, t’i drejtohen KQZ-së dhe Kolegjit. Nuk është thjesht që ka mbaruar kjo punë dhe i themi KQZ-së që kjo punë mbaroi. Jo more. Do të respektohen të gjitha afatet ligjore, të gjitha institucionet që vendosin mbi fatin e zgjedhjeve në Shqipëri. Lidhur me problemin e vlerësimit të fletëve të votimit, është kompetencë e KZAZ t’i vlerësojë fletët. Cilido nga numëruesit apo komisionerët kanë të drejtë të thonë që ‘s’jam dakord’ dhe ligji e ka thënë që ‘merre këtë fletë votimi dhe fute te votat e kontestuara’. Çfarë të keqe ka këtu? Gjithë veprimtaria që po bëjnë komisionet zonale është e ligjshme. Është e paligjshme dhuna që po përdoret në KZAZ-në 52 nga sekretarët tuaj që nuk pranojnë të shkruajnë në dokumentacionin zyrtar çfarë po ndodh në KZAZ.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura