Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të shkarkojë nga detyra anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-ve të zgjedhur nga shoqëria civile, për t’i zëvendësuar ata me propozimet e PS-së dhe të PBDNJ-në.Megjithatë, në mbledhjen e zhvilluar pasdite u miratuan vetëm një pjesë e anëtarëve të PBDNJ-së, ndërsa propozimet e PS-së u kthyen mbrapsht për shkak se nuk garantonin pjesëmarrjen e 30% të grave. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha në mbledhjen e zhvilluar në mesditë se u ka kërkuar dorëheqjen anëtarëve të pavarur, ndërkohë që ata do të emërohen si ndihmësteknikë të KZAZ-ve në komisionet ku më parë ishin emëruar anëtarë. “Të ndodhur në situatën ku jemi dhe për të krijuar një konsensus dhe përfaqësim të gjerë në KZAZ, mendova t’u kërkoja dorëheqjen dhe në mënyrë vullnetare ata ta bënin një gjë të tillë. Gjeta konsensus tek ata lidhur me problemin dhe jam i mendimit që t’i angazhojmë në vazhdimësi si ndihmësteknikë pranë KZAZ-ve dhe të jenë në gatishmëri në rast se do të kemi vakanca gjatë menaxhimit të procesit”, u shpreh Ristani. Në të njëjtën kohë u miratua edhe vendimi për të shpërblyer përfaqësuesit e shoqërisë civile që për më shumë se një muaj kanë mbajtur këtë funksion. Sipas vendimit të KQZ-së, ata do të përfitojnë një shumë prej 25 mijë lekësh për punën që do të bëjnë nga dita e sotme deri më 8 maj. “KQZ, mbështetur në Vendimin Nr. 42, datë 1.12.2010 ‘Për miratimin e procedurave për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit për pjesëmarrjen në zgjedhje ditën e votimit’ vendosi të caktojë shpërblimin për personelin e angazhuar si ndihmësteknik i sekretarit të KZAZ për zgjedhjet vendore të vitit 2011 në masën 25 mijë lekë”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga KQZ-ja.
Anëtarët e PS
Në mbledhjen e pasdites, ku ishin të pranishëm pas shumë javësh bojkot, përfaqësuesit ligjorë të PS-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të miratojë listën e anëtarëve të propozuar nga PS për KZAZ-të. Kjo për shkak se nuk plotësohej kuota 30% e pjesëmarrjes së grave. “Nga 165 propozime për anëtarë të KZAZ-ve nga PS, 160 kanë dokumentacion të plotë. Propozimet për anëtarë nuk plotësojnë kriterin e gjinisë, të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Nga 50 (që i takon 30%), është 44. Përsa u përket sekretarëve, nga 33 propozime, 31 kanë dokumentacionin e plotë”, tha sekretarja e Përgjithshme e KQZ-së, Aljona Mansaku. Në të njëjtën kohë, nga 66 anëtarë të propozuar nga PBDNJ për KZAZ-të, 60 prej tyre u emëruan, ndërsa gjashtë të tjerë kishin probleme me dokumentacionin. Në mbledhjen e mbrëmshme, përfaqësuesit e PS-së dhe të PD-së replikuan lidhur me shkeljen e ligjit për propozimet në KZAZ. Njazi Kosovrasti i PD-së, u shpreh se kjo situatë është krijuar për shkak se PS nuk solli në kohë emrat për anëtarët e komisioneve. “Nuk ndodhemi përpara një rasti të ndodhur rastësisht, por jemi para një rast për një mungesë të qartë të shprehur të dëshirës për të paraqitur komisionerët në kohë në KQZ. Edhe pas thirrjes së bërë nga kryetari i KQZ-së, dy partitë nuk iu përgjigjën thirrjes për të dërguar komisionerët. Procesi zgjedhor mund të shkonte drejt dështimit. Ishin komisionerët e shoqërisë civile, të cilët plotësuan numrat dhe KZAZ-të filluan të marrin vendime. Nuk mund të dalë ai që ka shkelur ligjin dhe të ngrejë zërin fort e lart dhe të thotë se më është shkelur e drejta ime”, tha Kosovrasti. Ndërsa Gjonçaj i PS-së tha se as PD nuk i ka dërguar në kohë emrat e komisionerëve. “Është e vërtetë që PS nuk solli propozimet në kohë, por as PD nuk i ka sjellë propozimet në kohë. Të thuash që PS nuk ushtroi në kohë të drejtën e saj, ndërkohë që asnjë nga partitë që garojnë në zgjedhje nuk e kanë ushtruar këtë të drejtë, mua nuk më duket korrekte”. Ndërsa kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha në fund të mbledhjes së “komisionerët që po lirohen do të vazhdojnë të jenë në detyrë deri në momentin që kuorumet nuk do të rrezikohen. Gjithmonë katërshja do të jetë e mundur të jetë në punë në komisionet e nivelit të dytë”.
Miratohen listat e këshilltarëve për 7 parti
KQZ-ja miratoi gjatë dy mbledhjeve të ditës së djeshme listat e kandidatëve për këshilltarë të Bashkisë së Tiranës për shtatë parti, ndërkohë që u kthyen listat për Partinë Komuniste për shkak të mungesës së dokumentacionit. Partitë që iu miratuan listat janë: Partia Balli Kombëtar Demokrat, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Demokracia Sociale, Partia Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Ora e Shqipërisë, Partia Aleanca Demokristiane dhe Partia Agrare Ambientaliste.
Debati për listat
Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, i kërkoi Komisionit që të ndërhyjë lidhur me akuzat që po bën opozita për ndryshimin e listave paraprake të zgjedhësve, megjithëse afati i fundit ishte 8 maji. “Çështja e listave është një problem që prej kohësh KQZ duhet ta kishte marrë në shqyrtim. Ka një shqetësim të madh publik edhe të opozitës për lëvizjet në listat e zgjedhësve, veçanërisht pas datës 8 mars, data e fundit sipas Kodit që lejohen ndryshimet në listat paraprake”, tha Gjonçaj. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti, u shpreh se “unë nuk e di se ku ka një nen në Kodin Elektoral që e ngarkon KQZ-në të merret me listat paraprake të zgjedhësve. Këto janë probleme që janë në autoritetin e organeve të pushtetit vendor”.
PS: KZAZ-të u mbyllën para kohe
Partia Socialiste ngriti dje shqetësimin se në KZAZ Nr. 19, që ndodhet në qarkun e Fierit, kandidatët e kësaj force politike, së bashku me anëtarët e Këshillit Bashkiak, nuk janë regjistruar pasi përfaqësuesit e KZAZ-së nuk ishin në punë deri në orën 24:00. “Nuk është regjistruar asnjë kandidat i majtë në KZAZ-në Nr. 19 në Fier, me shqetësimin që personat e ngarkuar nga ligji për të administruar procesin deri në orën 12:00 nuk kanë qenë në krye të punës së tyre sipas asaj që ka orientuar edhe KQZ-ja. Do të ishte në interesin tuaj të ndërhynit në këtë situatë”, tha përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj. Ndërsa Kosovrasti u përgjigj duke thënë se opozita duhet të apelojë në KQZ vendimin e KZAZ-së nëse ky fakt është i vërtetë.
KQZ ndan mandatet e deputetëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë dje vendim për të zëvendësuar deputetët që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 8 majit. Deputetët e rinj pritet të bëjnë betimin në mbledhjen e ardhshme të Parlamentit. Konkretisht, në qarkun e Elbasanit do të largohet Lulzim Basha dhe në vend të tij do të vijë Aurel Bylykbashi. Në Durrës ka lënë mandatin ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri dhe në vend të tij do të hyjë Ndriçim Babasi. Në qarkun e Vlorës do të largohet Ardian Kollozi dhe në vend të tij hyn Kosta Barka. Përsa i përket PS-së, në qarkun e Lezhës largohet Gjok Jaku dhe në vend të tij hyn Ndrec Deda, ndërsa në qarkun e Fierit largohet Fatos Tushe që do të kandidojë për Bashkinë e Lushnjës dhe në vend të tij hyn Arion Muçaj.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











