KQZ shkarkon 4 komisionerë të PS, bllokuan procesin e numërimit

May 11, 2011 | 10:48

Ndërpritet për 20 orë me radhë numërimi i votave në KZAZ-në 54 të Njësisë Bashkiake Nr. 10, të ngritur në ambientet e shkollës “Avni Rustemi”. Shkak janë bërë akuzat e komisionerëve të majtë, të cilët kanë pretenduar se vulat janë të zbardhura dhe të dyshimta. Ata kanë pezulluar numërimin duke kërkuar verifikimet, ndërsa komisionerët e djathtë këmbëngulën që të vijojnë procesin. Sipas tyre, kjo situatë ishte inskenim i PS-së për të bllokuar numërimin, ngaqë Basha po avanconte me vota shumë më para sesa Rama. Debatet mes komisionerëve janë acaruar orë pas ore, por kulmi ka arritur kur në dyert e kësaj KZAZ-je, dy deputetë të PS-së, Paulin Sterkaj dhe Fatmir Toçi, janë ndaluar nga policia teksa tentonin të hynin brenda pa pasur autorizimin përkatës. Ata janë kthyer mbrapsht nga forcat e rendit, por Sterkaj u ka shpëtuar atyre, duke kaluar kangjellat rrethuese dhe duke depërtuar menjëherë në ambientet ku bëhej numërimi. Pas këtij incidenti, rreth orës 14:30, KQZ-ja mori vendimin që t’i drejtohej shërbimeve të Policisë, të cilët nxorën jashtë personat e paautorizuar në këtë KZAZ, përfshirë deputetin Sterkaj. Gjithashtu, KQZ shkarkoi 4 komisionerët dhe 10 numëruesit të majtë, për shkak se bllokuan procesin e numërimit pa fakte ligjore, si dhe i kërkoi PS-së që të dërgonte urgjentisht emrat zëvendësues për miratim në KQZ. Procesi i zëvendësimit mori disa orë të tjera vonesë. Fillimisht erdhën komisionerët e rinj të PS-së: Joana Bushi, Altin Ibro, Arbër Begaj dhe Albana Koçiu e PBDNJ-së, të cilët zhvilluan mbledhjen për zgjedhjen e numëruesve. Këta të fundit duheshin trajnuar para se të nisnin numërimin, çka bëri që përfundimisht puna në këtë KZAZ të niste rreth orës 19:30.

© Panorama.al

Te lidhura