Në një vendim prej 55 faqesh, që miratoi dje, KQZ argumenton veprimin e tij për hapjen e kutive për të lexuar votën në kutitë e gabuara. Në faqet e para KQZ jep argumentet e tij ligjorë, si dhe eksperiencën në vitet e kaluara në lidhje me këtë çështje.Më pas, në mënyrë të detajuar, KQZ jep rezultatin përfundimtar ku kandidati demokrat Lulzim Basha fiton garën për Tiranën me një diferencë prej 81 votash. Në këtë vendim, KQZ pranon se “KZAZ-të ia kanë paraqitur çështjen KQZ-së në këtë funksion, sepse votat e hedhura nga zgjedhësit në një kuti tjetër votimi janë të pavlerësuara e të panumëruara dhe qartazi mund të influencojnë në rezultatin e zgjedhjeve për njësinë e qeverisjes vendore Bashkia Tiranë”.
Rrethanat e çështjes
Në këtë vendim, KQZ shprehet se KZAZ-të e njësisë së qeverisjes vendore Bashkia Tiranë, në tërësi kanë konstatuar mungesën e një procedure uniforme për trajtimin e kësaj çështjeje, si dhe mungesën e udhëzimeve dhe rregullave të posaçme në manualet e punës së GNV-ve dhe KZAZ-ve për fletët në kutitë e gabuara. “KZAZ-të për këtë gjë kanë debatuar dhe kanë vepruar në mënyra alternative”, thuhet në vendim. Më tej thuhet se në të gjitha rastet, KZAZ-të e njësisë së qeverisjes vendore Bashkia Tiranë, nuk i kanë përfshirë në rezultate këto fletë votimi të hedhura aksidentalisht në një kuti tjetër votimi të së njëjtës qendër votimi. Vullneti i zgjedhësit, i shprehur qartë nëpërmjet votimit, i ruajtur dhe i administruar në kuti me të gjitha elementet e sigurisë, sipas Kodit Zgjedhor, nuk është “përkthyer” në favor të asnjërit prej subjekteve zgjedhore garuese në zgjedhjet vendore të datës 8 maj 2011. “Gjatë shqyrtimit të këtyre fletëve të votimit, në përputhje me kriteret e nenit 117, për të përcaktuar nëse këto vota ishin të vlefshme apo të pavlefshme, anëtarët e grupeve të numërimit dhe KZAZ-të përkatëse janë vënë para pamundësisë ligjore për të përcaktuar vlefshmërinë e këtyre fletëve dhe votave të shprehura në to. Për pasojë, këto vota, ligjërisht, janë të pavlerësuara dhe të panumëruara në përputhje me kriteret dhe procedurat e neneve 116, 117 dhe 118 të Kodit Zgjedhor”, thuhet në vendim.
Argumentet ligjore
Në vendimin e miratuar dje nga KQZ thuhet se nga dokumentacioni i paraqitur, rezulton se KZAZ-të ia kanë paraqitur çështjen KQZ-së në këtë funksion, sepse votat e hedhura nga zgjedhësit në një kuti tjetër votimi janë të pavlerësuara e të panumëruara dhe qartazi mund të influencojnë në rezultatin e zgjedhjeve për njësinë e qeverisjes vendore Bashkia Tiranë. “Gjatë shqyrtimit të këtyre fletëve të votimit, në përputhje me kriteret e nenit 117, për të përcaktuar nëse këto vota ishin të vlefshme apo të pavlefshme, anëtarët e grupeve të numërimit dhe KZAZ-të përkatëse janë vënë para pamundësisë ligjore për të përcaktuar vlefshmërinë e këtyre fletëve dhe votave të shprehura në to”, thuhet në vendim. Sipas KQZ, në zgjedhjet parlamentare asnjë KZAZ e përfshirë në zonën zgjedhore nuk mund të nxjerrë tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore për shkak se zona zgjedhore përfshin dy ose më shumë ZAZ. “Në kontekstin e këtyre zgjedhjeve, në përputhje me nenin 2, pika 25, njësia e qeverisjes vendore Bashkia Tiranë është zonë zgjedhore më vete”, thotë vendimi i KQZ.
Kompetencat
Në një kapitull më vete KQZ argumenton se ka të drejtë dhe tagër ligjor për të vepruar si KZAZ e Tiranës. Sipas vendimit, KQZ këtë kompetencë e ka ushtruar edhe në zgjedhjet e vitit 2001, në zonën e njohur si të Dushkut, në rastin kur KZZ Nr. 60 nuk i ushtroi detyrat e saj për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve në këtë zonë. KZZ në Zonën 60 nuk mundi të binte dakord për procesverbalin e rezultateve dhe, përfundimisht, ai nuk arriti të përfundonte procesverbalin. Më tej thuhet se në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2003, KQZ pati një vendimmarrje të ngjashme për nxjerrjen e rezultatit për Bashkinë Tiranë. “Kodi Zgjedhor në fuqi ka suprimuar komisionin e zonës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe komisionin për zgjedhjet e qeverisjes vendore për zgjedhjet e pushtetit vendor, duke thjeshtuar dhe unifikuar nivelin e mesëm të administratës zgjedhore pavarësisht llojit të zgjedhjeve”, thuhet në vendim.
Kutitë e gabuara
Në lidhje me fletët në kutitë e gabuara, KQZ argumenton se ato kurrsesi nuk mund të shpallen si të pavlefshme. “Lloji i vendimmarrjes i KZAZ lidhur me vlefshmërinë ose jo të një flete votimi, në rastet kur ka fletë të tilla të kontestuara, sipas nenit 118, nuk ka të bëjë në thelb më shpalljen e tyre të vlefshme ose jo, pasi ato janë të tilla për efekt të ligjit, por ka të bëjë me mënyrën se si këto fletë do të paraqiten në tabelë dhe rrjedhimisht, a do të përbëjnë ose jo rezultat. Për sa kohë KZAZ nuk ka tagër të shpallë të pavlefshme një fletë votimi duke u bazuar mbi diskrecionin e saj, por ka vetëm për detyrë të konstatojë dhe të verifikojë nëse fleta e votimit përkatëse i plotëson elementet e përcaktuara në nenin 117, pika 3 të Kodit Zgjedhor, çdo lloj vendimi lidhur me shpalljen si të pavlefshme të fletëve të caktuara të votimit, të cilat nuk janë gjetur gjatë procesit përkatës të numërimit, është absolutisht i pavlefshëm, është vendim nul”, thuhet në vendim. Më tej specifikohet se vota për kryetarin e Bashkisë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e minibashkisë dhe këshillin e minibashkisë është dhe duhet të konsiderohet prej saj si votë e vlefshme sepse është vullnet i patjetërsueshëm i zgjedhësve dhe është në përputhje me parimet e ushtrimit të së drejtës së votës, e lirë, e fshehtë dhe e barabartë. Vendimi thotë se KQZ, në rolin e tij si KZAZ e njësisë së qeverisjes vendore Bashkia Tiranë, harton tabelën përmbledhëse të rezultateve të votimit për këtë Bashki, pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave për njësitë bashkiake dhe të evidentohen, vlerësohen dhe numërohen të gjitha fletët e votimit, të cilat janë hedhur aksidentalisht në një kuti tjetër votimi gjatë zgjedhjeve vendore të datës 8 maj 2011.
Argumentet e KQZ
Hedhja e votës prej zgjedhësit në një kuti tjetër të së njëjtës qendër votimi, sipas Kodit Zgjedhor, nuk e bën fletën e votimit të pavlefshme.
Bazuar në udhëzimet e KQZ-së, një anëtar i KQV-së kishte për detyrë udhëzimin e drejtë të zgjedhësve në momentin e hedhjes së votës, pra barra bie mbi KQV-në, dhe jo mbi zgjedhësin.
Qartazi në këtë proces dhe në rolin e KQZ-së si KZAZ e Bashkisë Tiranë shfaqet një interes publik sepse zgjedhësi e ka bërë zgjedhjen e tij të qartë, të saktë dhe të paidentifikueshme.
Këto vota janë të barabarta me votat e tjera të numëruara, janë të pacenuara juridikisht, lehtësisht të identifikueshme për qëllime këqyrjeje dhe vlerësimi dhe të gjitha kanë respektuar parimin e votës së fshehtë.
Këto fletë votimi janë të pacenuara fizikisht. Fletët e votimit kanë të njëjtën madhësi, formë dhe ngjyrë me fletën e votimit dhe elemente sigurie të miratuara nga KQZ-ja dhe në to është shprehur qartë vullneti i zgjedhësit. Në të gjitha këto fletë votimi është vula e KQV-së dhe vula e kryetarit të KQV-së.
KQZ kur vërtetoi parregullsi në transkriptimin e kodeve të sigurisë, në tri raste refuzoi të hapë dhe të vlerësojë fletët e votimit që aksidentalisht ishin hedhur në këto kuti.
KQZ duhet të vlerësojë, një për një, këto fletë votimi të pavlerësuara dhe të panumëruara, dhe të vendosë së për cilin prej kandidatëve apo subjekteve për Bashkinë e Tiranës, si në rang bashkie, ashtu edhe minibashkie, do të llogariten këto fletë votimi. Në përfundim të këqyrjes dhe vlerësimit duhet të miratojë ndryshimin e tabelës së GN-ve të QV-ve përkatëse dhe tabelën përmbledhëse të njëmbëdhjetë KZAZ-ve të Bashkisë Tiranë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











