Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pezullon publikimin e rezultateve paraprake për Bashkinë e Tiranës.Vendimi ka ardhur pas përfundimit të numërimit në kutinë e fundit në Njësinë Bashkiake Nr. 5, ku si pasojë e ngatërresës së shifrave, për një kohë të gjatë kishte konfuzion si nga Partia Demokratike dhe nga Partia Socialiste për fituesin e këtyre zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së, Arti Lushi, tha mbrëmë në orën 20:30 në një konferencë për shtyp se nuk do të ketë më rezultate paraprake, në kushtet kur gara mes Ramës dhe Bashës është e ngushtë. “KQZ ka detyrimin mbi bazën e Kodit Zgjedhor që të shpallë rezultatin e zgjedhjeve duke certifikuar dhe shpallur rezultatin për secilin kandidat për kryetar Bashkie të Tiranës. Në bazë të nenit 123 të Kodit Zgjedhor, KQZ e shpall rezultatin vetëm pasi të ketë verifikuar tabelën e secilës KZAZ me tabelën e rezultatit të çdo KQV-je dhe, në rast se ka mosakordime, KQZ shpall rezultatin bazuar vetëm në rezultatin e tabelave të qendrave të votimit”, tha zëdhënësi i KQZ-së. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se gjatë hedhjes së të dhënave mund të ketë pasur gabime njerëzore. “Me qëllim garantimin e një transparence maksimale dhe informimin e publikut hap pas hapi, KQZ ngriti një sistem për raportimin e të dhënave në kohë reale nga çdo QV dhe kushdo arriti të përjetojë garën elektorale me të gjithë emocionin e saj në numërimin e çdo kutie votimi, gjatë transmetimit të rezultateve paraprake. Aktualisht, rezultati paraprak konsiderohet i pakuptimtë, sepse kandidatët garues u ndanë me një diferencë shumë të vogël midis tyre. Është e kuptueshme që mund të ketë gabime njerëzore gjatë hedhjes së të dhënave paraprake, sepse edhe praktika e tregoi këtë ndonëse në shumë pak raste”. Sipas zëdhënësit të kQZ-së, “për këtë arsye KQZ, duke marrë në konsideratë interesin e madh të zgjedhësve dhe të subjekteve zgjedhore, do të fillojë menjëherë verifikimin e tabelave të rezultateve të secilës QV dhe do të shpallë menjëherë rezultatin në bazë të Kodit Zgjedhor”.
Fletët për Bashën
Ndërkohë, burime nga KQZ-ja bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” një fakt të ri që mund të ndryshojë rrjedhën e këtyre zgjedhjeve. Duke iu referuar informacioneve të ardhura nga 11 KZAZ-të e kryeqytetit, mësohet se ka një numër të madh fletësh votimi të kandidatit Lulzim Basha, të cilat janë hedhur gabimisht jo në kutinë për kryetarin e Bashkisë, por në 3 kutitë e tjera, të kandidatëve për kryetar njësie, për Këshillin Bashkiak dhe për këshillin e minibashkisë. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se deri tani janë konstatuar mbi 100 fletë votimi, ku qytetarët kanë vënë shenjën dalluese në emrin e kandidatit të PD-së, Lulzim Basha, por që nuk janë numëruar, për shkak se janë hedhur në kutinë e gabuar. Konstatimi i këtij fakti, në kushtet kur vullneti i qytetarëve është shprehur drejt, por është hedhur në kutinë e gabuar, mund të çojë në kontestimin e rezultatit dhe kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për rivlerësimin e këtyre fletëve të votimit. Më pas do të jetë në dorë të shtatë anëtarëve të këtij Komisioni, të cilët do të vlerësojnë për pretendimet e mundshme të partive politike.
PD ankohet për Poliçanin
Kandidati i “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Poliçanit, Çaush Qato, u ankua në KQZ për dy qendra votimi në këtë zonë, të cilat sipas tij kanë ndryshuar rezultatin. Avokati i Qatos tha në mbledhjen e djeshme të KQZ-së se në një qendër votimi, 25 fletë votimi janë deklaruar të pavlefshme, ndërkohë që nuk kanë qenë të tilla, ndërsa në një qendër tjetër, ku rezultati ka qenë 312 vota për kandidatin e djathtë dhe 298 për kandidatin e majtë, kanë përfunduar në favor të këtij të fundit. KQZ-ja vendosi që kërkesa e koalicionit të djathtë të shqyrtohet në mbledhjen e të hënës.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











