Rezultati për Bashkinë e Tiranës do të dalë mbi përllogaritjet që do të bëjë vetë KQZ-ja, dhe jo mbi shifrat që kanë ardhur nga KZAZ-të.Kjo për shkak se jo të gjitha Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve kanë arritur kuorumin e nevojshëm për të prodhuar një vendim mbi tabelën përmbledhëse të asaj zone për secilën qendër votimi. E fundit, tabelë që ka mbërritur dje në zyrën e protokollit të KQZ-së, është ajo e Njësisë Bashkiake Nr.5. Por kjo tabelë mban firmat e vetëm tre anëtarëve të këtij komisioni, të cilët janë përfaqësues të Partisë Socialiste. Katër anëtarët demokratë në këtë KZAZ nuk kanë pranuar ta firmosin procesverbalin, duke e bërë vendimin praktikisht të pavlefshëm, për shkak të mosarritjes së shumicës së nevojshme. Në këtë situatë, sipas Kodit Zgjedhor, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili do të kryejë rolin e KZAZ-së. KQZ-ja do të marrë tabelat përmbledhëse të të gjitha qendrave të votimit të Njësisë Nr. 5, do të kontrollojë saktësinë e tyre dhe në fund do të hartojë tabelën përfundimtare. Mbi këtë tabelë dhe rezultatet e 10 njësive të tjera do të dalë rezultati përfundimtar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Për këtë qëllim u miratua mbrëmë me shtatë vota pro një akt në KQZ. Vendimi përcakton edhe rrugën që do të ndiqet për kontrollin e të dhënave dhe hedhjen në tabelën përfundimtare.
Debati në KQZ
Gjatë mbledhjes së paradites në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës replikuan mes tyre për rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, i kërkoi sërish KQZ-së të ndërhyjë në KZAZ-në 49, që i takon Njësisë Bashkiake Nr. 5, duke thënë se kjo është një vonesë e qëllimshme. “Shumica në KZAZ-në 49 nuk pranon të bëjë detyrën konform ligjit, por sillet sipas urdhërimeve politike që i vijnë sipas forcave përkatëse që ata përfaqësojnë. PS kërkon ndërhyrje. KZAZ, organ nën jush, ka kërkuar ndërhyrje, nuk e di çfarë prisni të ndërhyni. Nuk e kuptoj sa ditë do t’i duhet KQZ-së të vendosë për këtë situatë. Ju duhet të tregoni prova që ndërhyni njësoj kudo. Unë kam të gjitha arsyet të besoj që kjo është një vonesë e qëllimshme, për të deformuar atë rezultat që ka dalë nga zgjedhjet e 8 majit për Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Gjonçaj. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së në këtë komision kërkoi që PS-ja të ndërhyjë në Njësinë Nr. 8, ku anëtarët demokratë nuk lejohen të kryejnë detyrën e tyre. “Fjalimet patetike, politike në KQZ nuk duhet të kenë vend, megjithatë, është e drejtë e cilitdo ta dijë vetë se çfarë thotë. Dëgjojmë gjithë këto sulme të paargumentuara për KZAZ-në 49 që drejtohet nga PD-ja. Pse nuk na thuhet çfarë ndodh në KZAZ 52 nga komisionerët e PS, që kur numëruesit tanë atje kërkojnë një të drejtë legjitime, ata haptazi ua mohojnë këtë dhe shkaktojnë tension? Më kërkoni mua të merrem në KZAZ-në 49, përse nuk ndërhyni ju në KZAZ-në 52?”, tha Kosovrasti. Në të njëjtën linjë me përfaqësuesin e PS-së ishte edhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila tha se “është shkelur edhe vendimi i KQZ-së. Ka filluar numërimi i votave në Njësinë Bashkiake 5, pa u mbyllur tabela e rezultatit zgjedhor për Bashkinë e Tiranës”.
Gjoncaj
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste ka kërkuar që të futet për shqyrtim në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një kërkesë për shkarkimin e katër anëtarëve të KZAZ-së në Njësinë Nr. 5. “I kam kërkuar kolegut Kosovrasti të ndërhyjë, ju kam kërkuar juve të ndërhyni, askush nuk ka ndërhyrë. Unë kërkoj shkarkimin e menjëhershëm të këtyre katër komisionerëve të papërgjegjshëm, kriminalë, dhe jo si ata kriminelët që do të iknin me vula në xhep. KZAZ-ja të urdhërohet të plotësojë menjëherë tabelën”, tha Gjonçaj.
Subashi
Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, tha dje se me refuzimin e firmosjes së procesverbalit në Njësinë Bashkiake Nr. 5, është shkelur vendimi për radhën e numërimit në Tiranë. “Vendimi i KQZ-së përcaktonte që në përfundim të procesit të numërimit të votave për kryetarin dhe këshillin, KZAZ-të janë të detyruar të hartojnë edhe tabelën përmbledhëse të rezultatit dhe, pasi të ketë përfunduar tabela përmbledhëse e rezultatit, fillohet nga numërimi i njësive bashkiake”.
Manjani: Gjonçaj foli si Braçe
Pas akuzave të Genci Gjonçajt për vonesa të qëllimshme në shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë, reagoi përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani. “Nuk ka asnjë arsye për t’u nxituar apo për të krijuar panik. Fërkova veshët disa herë se mendova që po dëgjoja zotin Braçe, por në fakt qenka zoti Gjonçaj sot me fjalët e zotit Braçe dhe nuk është normale që në këtë fazë përmbyllëse të procesit, të bllokohet”, tha Manjani.
Bllokohet numërimi te Njësia 5, sekretari i PS merr vulën dhe ikën
Procesi i numërimit në Njësinë Bashkiake Nr. 5 në Tiranë rezulton të jetë problematik dhe me vonesa edhe për kryetarin e Njësisë vendore. Kjo zonë u bë shpejt qendër e vëmendjes së të gjithë vendit, për shkak se numërimi i kutive të fundit do të përcaktonte se kush ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por dy ditët e fundit, teksa po numërohen votat për kryetarin e minibashkisë dhe këshillit të minibashkisë, janë evidentuar sërish probleme. Kjo për shkak se numërimi është ndaluar nga e diela paradite deri të hënën. Partia Demokratike akuzon komisionerët dhe numëruesit socialistë se janë larguar nga vendi i numërimit dhe kanë ardhur vetëm dje në orën 16:00. “Në KZAZ 49, që i përket Njësisë Minibashkiake Nr. 5 në Tiranë, që prej ditës së diel e deri të hënën, numëruesit e anëtarët socialistë të kësaj qendre, së bashku me sekretarin, që ka futur në xhep vulën, janë larguar duke braktisur detyrën”, tha zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj. Sipas saj, bllokimi që kanë bërë numëruesit dhe anëtarët socialistë të KZAZ ka nisur kur gjatë procesit të numërimit, në kutitë e hapura për kryetarin e kësaj Minibashkie u gjetën fletë që i përkisnin kandidatit për kryetar Bashkie. Zëdhënësja e PD-së shtoi më tej se votat që u gjetën për kryetarin e Bashkisë u tentua që të griseshin. Pas deklaratave të PD-së dhe kryeministrit Berisha, kanë reaguar komisionerët socialistë në këtë KZAZ. “Deklaratat e Kryeministrit janë të pabaza, ne nuk jemi larguar nga detyra”, u shprehën përfaqësuesit e PS-së në këtë komision. Më tej ata shtuan se votat që janë hedhur gabim në kutitë e Njësisë Bashkiake janë të pavlefshme dhe nuk do të llogariten në favor të kandidatëve për Bashkinë e Tiranës. Kjo përplasje mes komisionerëve ka bërë që procesverbali i rezultatit për Bashkinë e Tiranës të vijë vetëm me firmat e tre anëtarëve. Ndërkohë, KQZ-ja ka shkarkuar dje nga detyra sekretarin e KZAZ-së, Eduard Ahmeti, dhe në vend të tij është emëruar Enkelejda Omeri, sërish e PS-së.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











