Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndalojë përdorimin e listave paralele nga komisionerët socialistë në zgjedhjet e 8 majit. Pas shqetësimeve që ngritën dje përfaqësuesit e PD-së dhe të LSI-së në KQZ, referuar deklaratave të Paulin Sterkajt, KQZ do të miratojë sot një akt ku ndalohet përdorimi i dokumenteve veç atyre që kanë marrë KZAZ-të. Në këtë projekt, i cili disponohet nga gazeta “Panorama”, thuhet se në ditën e votimit nuk do të lejohet të përdoren nga anëtarët e komisioneve as lexuesit e kartave të identitetit apo stilolapsat që filmojnë mënyrën e votimit. “Gjatë procesit të votimit anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit, në asnjë rast nuk mund të zhvillojnë procedura të paparashikuara në ligj dhe nuk mund të përdorin asnjë mjet tjetër përveç materialeve zgjedhore, të cilat janë marrë në dorëzim sipas nenit 100 të Kodit Zgjedhor nga KZAZ-ja përkatëse, përveçse kur parashikohet ndryshe me vendim të KQZ-së”, thuhet në projekt-vendimin, i cili do të diskutohet gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së. Sipas draftit, këto mjete, të cilat nuk janë parashikuar nga Kodi Zgjedhor si materiale zgjedhore që merren në dorëzim nga KQVja, nuk mund të përdoren ditën e votimit gjatë procesit zgjedhor. “Gjithashtu, procedura të cilat duhet të ndiqen nga komisionerët e qendrave të votimit, janë të përcaktuara qartë në nenet 101-107 të Kodit Zgjedhor dhe çdo veprimtari tjetër e komisionerëve, përveç atyre të parashikuar në ligj, dëmton procesin zgjedhor në tërësi. KQZ duhet të nxjerrë një akt në mënyrë që të marrë masat e nevojshme për të mos lejuar përdorimin e këtyre mjeteve”, thuhet më tej në akt. Në të njëjtën kohë, nuk do të lejohet që vëzhguesit e partive që kanë të drejtë të qëndrojnë në ambientet e brendshme të qendrave të votimit, të përdorin materiale që dublojnë ato që janë shpërndarë nga KQZ-ja.
LISTAT
Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti dhe ai i LSIsë, Ylli Manjani, reaguan ndaj deklaratave të deputetit Paulin Sterkaj një ditë më parë në Top Channel, se komisionerët e opozitës do të kenë listat e tyre në qendrat e votimit. “Deklarata e Sterkajt është dëgjuar pak më përgjithësisht nga vetë kryetari i PS-së. Na deklarohet se nëpunësit zgjedhorë që do të ndodhen në komisionin e qendrës së votimit mund të kenë edhe dokumentacionin jashtëligjor. Kjo është shumë e rrezikshme. Kjo mund të shkaktojë një konflikt dhe të shkatërrojë procesin zgjedhor”, u shpreh Kosovrasti. Ndërsa Manjani theksoi: “U bëj thirrje të gjithë komisionerëve të emëruar se listat e zgjedhësve janë legjitime vetëm ato që janë miratuar nga
kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të nenit 54 të Kodit. Çdo lloj përdorimi i listave të tjera, i dokumenteve të tjera zgjedhore që janë jashtë kontekstit të miratimit të KQZ-së dhe KZAZ-ve përkatëse,
janë të paligjshme dhe ata që do t’i përdorin do të marrin përgjegjësi ligjore për mashtrim të pastër elektoral”. Nga ana e tij, përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, tha se Kodi ka përcaktime të qarta për këtë situatë. “Ne nuk duhet të ecim mbi bazën e ëndrrave apo hedhjes së fallit në filxhanë për situata të cilat do të ndodhin dhe që janë situata ekstraligjore. Nëse dikush ka një informacion që dikush shkel Kodin Zgjedhor, rrugët janë të përcaktuara edhe
për komisionerët dhe përfaqësuesit e partive. Nuk është mirë që në këtë situatë të ngushtë parazgjedhore të japim mesazhe për të tensionuar”, u shpreh Gjonçaj.
OSBE: Listat e dubluara, absolutisht të paligjshme
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, tha dje se futja e listave të dubluara, veç atyre zyrtare në komisionet e qendrave të votimit, është e jashtëligjshme. Në një intervistë në gazetën “Albanian daily neës”, diplomati i OSBE-së u shpreh: “Lejomëni ta them absolutisht qartë, se nuk mund të ketë asnjë lloj bllokimi apo braktisjeje nga asnjëra palë. Komisionerët duhet të qëndrojnë në krye të detyrës e t’i shërbejnë publikut. Në këtë pikë, mendoj se është e rëndësishme të sqarohet mirë se ekziston vetëm një listë ligjore zgjedhësish. Çfarëdolloj përpjekjeje, nga kushdo qoftë, për të prezantuar ndonjë lloj liste zgjedhësish të dytë ‘të privatizuar’, është absolutisht e kundërligjshme dhe duhet të dënohet pa asnjë kusht nga të gjitha partitë politike që respektojnë shtetin e së drejtës. Të gjitha rastet e tilla duhet të trajtohen siç duhet nga sistemi i drejtësisë”. Sipas tij, “partitë politike
e kanë për detyrë t’i sigurojnë që gjithë votuesit të votojnë në një atmosferë të qetë e paqësore e që vota e tyre të numërohet. Kur të dalin rezultatet, të gjitha partitë politike duhet t’i pranojnë ato dhe të ecin përpara në të mirë të interesit publik. Unë shpresoj që të gjitha partitë politike të punojnë së bashku brenda kuadrit te Kodit Zgjedhor”.
Sterkaj: PS me listat e saj në votime
Deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj tha dy ditë më parë në një intervistë televizive se komisionerët e opozitës do të kenë listat e tyre të votuesve me qëllim parandalimin e manipulimit nga ana e maxhorancës. Pas kësaj deklarate të
deputetit socialist reaguan dje përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së në KQZ dhe kjo e fundit bëri një akt për ta votuar sot, ku ndalohen të gjitha materialet zgjedhore që nuk parashikohen në kod. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Sterkaj tha se PD po tenton të manipulojë votimin me votat e emigrantëve.
“Kemi specifikuar të gjitha tendencat e maxhorancës për manipulimin e zgjedhjeve. Ata kanë falsifikuar të gjitha kartat e emigrantëve që duan ti fusin në votim në tetë maj. Komisionerët janë trajtuar që të njohin manipulimin dhe kartat e falsifikuara. Gjithashtu komisionerët kanë informacionin e
saktë rreth emigrantëve dhe do të bllokohet çdo lloj manipuluesi”, tha deputeti i PS-së.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











