Një tërmet me fuqi 7.6 ballë në shkallën Rihter u regjistrua në veriperëndim të Kosta Rikës, duke shkaktuar një alarm cunami në pjesën më të madhe të vendeve të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Lëkundjet u regjistruan 140 kilometra larg kryeqytetit San Hoze dhe epiqendra e tyre ishte 41 kilometra nën sipërfaqe. Sipas banorëve, një tërmet kaq i fortë nuk ishte ndier prej më shumë se 50 vitesh. Dhjetëra ndërtesa u shkatërruan në qytetet në afërsi të epiqendrës së tërmetit, por ka pasur krisje muresh edhe në kryeqytet. Lëkundjet janë ndier deri në El Salvador dhe Nikaragua. Në shumë zona të Kosta Rikës ka pasur ndërprerje energjie dhe rrjeti komunikimi.











