Kosovë, vritet në zyrë kreu i AKP

Jun 15, 2012 | 14:12
Dino Asanaj, kreu i AKP, i vrarë dje në Kosovë

Kreu Agjencisë së Privatizimeve në Kosovë u vra dje pas një sulmi me thikë nga autorë të paidentifikuar, në zyrën e tij në Fshatin Ndërkombëtar në Veternik të Prishtinës. Rasti i paprecedentë është dënuar nga politikanët e të gjitha palëve në Kosovë dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në këtë vend. Vrasja e kreut të AKP-së, Dino Asanaj, 52 vjeç, mori jehonë në të gjitha mediat e rajonit, por edhe më gjerë. Asanaj, i cili ishte edhe qytetar amerikan, vdiq në spital nga plagët e marra me thikë nga sulmi. Policia konfirmoi sulmin pa dhënë detaje të ngjarjes. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shprehu dhimbjen e thellë për vdekjen tragjike të Dino Asanajt. Ajo e quajti atë “veprimtar dhe njeri i përkushtuar në shërbim të vendit dhe të popullit dhe puna e tij në Agjencinë e Privatizimit ishte e suksesshme, duke ndihmuar kështu në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”.
Mjeku
Mehmet Maxhuni, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë dhe shef i ekipit të mjekëve që e kanë operuar Dino Asanajn, tha se ai kishte mbërritur në spital pothuajse pa shenja jete. “Ne kemi bërë gjithçka për ta shpëtuar, por nuk ia dolëm”, tha Maxhuni duke shtuar se “pacienti, derisa mbërriti në QKU, ka humbur shumë gjak, për shkak të plagëve të marra në fyt dhe në anën e majtë të gjoksit”, ka saktësuar ai. Mediat kosovare shkruajnë se ai ishte goditur shtatë herë me thikë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:20 të së enjtes.
Denoncimet
Vrasja e kreut të AKP-së ndodhi dy javë pas denoncimeve publike në mediat kosovare për përfshirjen e Asanajt në korrupsion. Remzi Ejupi, pronar i kompanisë “Eurokoha” si dhe kryetar i Odës Ekonomike Gjermane, një nga aksionerët e hotel “Grand”, tha se Dino Asanaj i ka kërkuar dy herë para për ta zhbllokuar procesin e privatizimit të hotelit. Sipas Ejupit, sekserët e Asanajt fillimisht i kishin kërkuar 4 milionë euro si kusht të vetëm për ta lejuar zhbllokimin e procesit. Pas këtij denoncimi, biznesmeni tjetër Abdurraman Konjufca deklaroi se Asanaj i kishte kërkuar para për të zgjatur kontratën e shfrytëzimit të objektit fermë në Lipjan duke i thënë se përveç tij, në këtë çështje janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit.
Mediat
Lajmi u përcoll nga shumë media të botës, që nga ato të rajonit, e deri të ato europiane e amerikane. Mes tyre, AFP, ORF, Bloomberg, Focus, B92, AGI, ANT5 etj. Përpos deklaratave zyrtare dhe rrethanave të ngjarjes, shumë prej tyre kujtojnë se zoti Asanaj ishte një qytetar amerikan dhe u vra në një fshat ku jetonin ndërkombëtarë. Agjencia e Privatizimit të Kosovë u themelua në vitin 2008, kur u deklarua pavarësia. Ajo kontrollohet nga Parlamenti i vendit dhe është e ngarkuar me shitjen e aseteve shtetërore për investitorët. Shteti i Kosovës ka fituar mbi 600 milionë euro nga privatizimi i ish-kompanive dhe ndërmarrjeve shtetërore në Kosovë gjatë viteve të fundit. Megjithatë, ekspertë të mediave dhe ata ekonominë kanë ngritur zërin herë pas here, duke u ankuar se politika ka ndërhyrë në këtë proces, duke e kthyer agjencinë në një terren të përshtatshëm për korrupsionin.

Feith: Jam i pikëlluar, ngushëllime familjes
Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, shprehu keqardhjen për vrasjen e kreut të privatizimeve në Kosovë. “Dino Asanaj ka punuar pa pushim për të ardhmen e vendit të tij, për demokraci të lirë dhe europiane, të bazuar në ekonominë e tregut. Jam i pikëlluar thellë nga lajmi për vrasjen dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij”, tha Feith. “Shumë miq e kolegë të tij në Zyrën Civile Ndërkombëtare do ta mbajnë mend Dino Asanajn për udhëheqjen e përkushtimin e tij për ta çuar Kosovën drejt një të ardhmeje ekonomike me më shumë prosperitet”, theksoi Feith.

Zhbogar: Më tronditi vrasja e Asanajt
Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zhbogar, e dënoi vrasjen e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanajt, duke deklaruar se ishte tronditur kur mësoi mbi ngjarjen. “Vetëm disa javë më parë ne u takuam dhe diskutuam planet e privatizimit të Kosovës. E dënoj këtë akt brutal, që është një sulm mbi sigurinë e përgjithshme dhe mbi sundimin e ligjit në Kosovë. U bëj thirrje Gjyqësorit dhe autoriteteve të sigurisë që të japin maksimumin dhe të sjellin autorët para Drejtësisë”, tha Zhbogar.

Krasniqi dënoi aktin: Vrasje makabre
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e dënoi vrasjen e Dino Asanajt, si një vrasje makabre dhe akt të shëmtuar kriminal. “Ky akt ka ngjallur pezëm te të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe institucionet e vendit. Kërkojmë nga organet e rendit që të zbulojnë autorët e vrasjes dhe t’u japin dënimin e merituar”, theksohet në deklaratën e Krasniqit.

© Panorama.al

Te lidhura