Kodi +355, Shqipëria nuk ka shprehur interes

Sep 6, 2012 | 21:25

PRISHTINE- Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi sot Projektrezolutën lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë, por siç raporton agjencia e lajmeve Kosovapress, duke iu referuar burimeve brenda Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Shqipëria nuk duket të jetë shumë e interesuar për këtë çështje.

Se shteti shqiptar nuk është shumë e interesuar për këtë çështje është edhe fakti të cilin e përmend deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, i cili tha në seancë se në Shqipëri këto ditë po mbahet një konferencë, ku është prezent edhe ITU-ja, por institucionet e Kosovës nuk janë ftuar, shkruan Kosovapress.

Ai madje ka kërkuar nga institucionet e vendit që të shkojnë edhe pa ftesë vetëm që të marrin pjesë dhe të bisedojnë me zyrtarët e ITU-së.

Ndërkohë, burime të agjencisë së lajmeve Kosovapress bëjnë të ditur brenda Ministrisë Zhvillimit Ekonomik se ka pas konsulta për këtë çështje, por shteti shqiptar nuk ka shpreh gatishmëri që Kosova të ketë kodin telefonik +355.

“Kemi dërguar letër ministrit të Telekomunikacionit qysh moti, por nuk na ka kthyer kurrfarë përgjigje për këtë çështje. Nuk janë duke shprehur interesim as ata me bashkëpunuar me neve në lidhje me kodin telefonik”, ka thënë burimi.

Deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta, në një prononcim për Kosovapress ka thënë se nuk duhet të paragjykohet në lidhje për këtë çështje pa pasur një hap të bisedimet mes dy qeverive.

“Unë konsideroj që paragjykimet që nuk mund të bëhet një gjë e tillë nuk duhet të na privojnë ne nga e drejta për të provuar diçka. Ne e kemi nisur këtë mocion, jemi të bindur që me përpjekje të vazhdueshme të argumentuara ne mund t’ia arrijmë këtij qëllimi. Negociatat me Republikën e Shqipërisë janë të domosdoshme dhe duhet pëlqim i dyanshëm për këtë çështje dhe pasi të arrihet kjo të provohet edhe me ITU-në që të merret pëlqimi i saj dhe të realizohet kjo në terren”, ka theksuar Kuleta.

Deputeti ka thënë se tash varet shumë prej Qeverisë së Kosovës sa do të jetë aktive në këtë drejtim.

Për më tepër, ai ka shtuar se deri më tani të dy Qeveritë nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret deri më tash në lidhje më këtë.

“Mendoj që ende nuk është testuar ky vullnet sa duhet. Mendoj që duhet të provohet seriozisht kjo çështje. Ne dëgjuam aty në kuvend se ka më shumë retorikë prej Republikës së Shqipërisë sesa që ka punë konkrete, konsideroj që retorikë ka edhe prej anës tonë shumë. Prandaj ky mocion është një rast i mirë që të dëshmojmë me vepër që jemi të interesuar për këtë çështje dhe pastaj të testojmë se sa është e interesuar dhe serioze Republika e Shqipërisë, por pa e provuar nuk guxojmë të paragjykojmë”, ka deklaruar ai.

Ndryshe Projektrezoluta e Lëvizjes për Bashkim është paraqitur javën e kaluar me arsyetimin pasi që Kosova nuk mund të ketë kodin e vet telefonik, pasi nuk është e anëtarësuar në OKB, të shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë dhe jo kodet telefonik të Serbisë, Sllovenisë dhe Monakos. Por kjo Projektrezolutë nuk ka arritur që të votohet në Kuvend, pasi që nuk ka pasur kuorum as për t’u hedhur në votim.

Pas shterjes së debatit, sot udhëheqësi i seancës e ka hedhur në votim, ku me 47 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime është miratuar.

Projektrezoluta parasheh këtë:

Kuvendi i Republikës së Kosovës në bazë të Kushtetutës të Republikës së Kosovës neni 6 paragrafi 1 dhe nenit 52 pika 2 duke qenë se Republika e Kosovës ende nuk është anëtare e OKB-së dhe Unionit Ndërkombëtar për Telekomunikacion rrjedhimisht, nuk mund të ketë kod të vetin telefonik.

Duke i pasur parasysh humbjet e mëdha financiare qindra milionëshe të cilat i ka pësuar dhe i pëson nga shfrytëzimi i kodeve telefonike, të Monakos, Serbisë e Sllovenisë.

Duke pas parasysh koston e qytetarëve të shfrytëzimit të kodeve telefonike, duke e parë lëvizjet e qytetarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas që janë rritur dhe komunikimet, ndërkohë kostoja e këtij komunikimi është shumë e lartë, duke pasur parasysh cenimin e sigurisë shtetërore në seancën plenare të 30 gushtit miratojë këtë rezolutë.

1. Qeveria e Kosovës të marr vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale që i shfrytëzon Kosova +381, +386, dhe +377 me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë me +355.

2. Në bazë të realizimit të këtij qëllimi brenda një kohe shumë të shkurtër të inicioj negociatat me Republikën e Shqipërisë

3. Në qoftë se kostoja e shkëputjes së kontratave aktuale valide me ofruesit e kodeve telefonike është më e lartë se sa respektimi i tyre deri në fund këto kontrata të zbatohen deri në afatin e paraparë për përfundimin e tyre dhe ato të mos vazhdohen më tutje.

© Panorama.al

Te lidhura