Kosovë, sot rezoluta për fundin e mbikëqyrjes

Jan 31, 2012 | 10:19

PRISHTINE- Kuvendi i Kosovës mban sot seancë të jashtëzakonshme, ku do të debatohet një projekt-rezolutë për t’i dhënë fund fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Rezoluta është propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo projekt-rezolutë nuk është mbështetur vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka parë atë si një “tentativë të qeverisë Thaci për të mbuluar koncesionet në negociatat me Serbinë”.

Visar Ymeri i “Vetëvendosjes” ka deklaruar se arsyeja pse nuk e përkrahin rezolutën është se përmes saj Kuvendi duhet të marrë disa obligime, e që sipas tij, nuk saktësohet se për çfarë obligimesh bëhet fjalë.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka thënë se kjo rezolutë ka si qëllim të koordinojë veprimet e institucioneve të vendit me ato ndërkombëtare rreth përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Lidhur me takimin e së premtes që nuk është mbajtur në ambiente zyrtare të institucioneve të Kosovës, por në një restorant, ka reaguar AAK-ja.

Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, ka thënë të mos e dijë pse është zhvilluar kaq me nxitim nga kryeministri Thaçi menjëherë pas kthimit të tij nga Vjena.

Të shtunën, kryeministri Hashim Thaçi ka biseduar me liderët e partive politike, përfshirë edhe opozitën,  përveç Vetëvendosjes, ku ka marrë mbështetjen për kryerjen e obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, si parakusht i vendosur nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues, për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe kalimit në fazën e pavarësisë së plotë.

© Panorama.al

Te lidhura