
MERDARE- Prej mesnatës së shkuar Kosova dhe Serbia kanë nisur zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, e cila u arrit në kuadër të dialogut mes dy vendeve.
Raportimet e fundit të mediave kosovare nga pika kufitare e Merdares thonë se, qytetarët e Kosovës janë duke e kaluar kufirin të pajisur vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës.
Sipas Kosovapress, edhe pse në marrëveshje është paraparë, pala serbe nuk ka lëshuar dokumentet shtesë doganore, por ka lejuar lëvizjen vetëm me dokumentacione të Kosovës.
Zbatimin e marrëveshjes e ka konfirmuar edhe ministri i punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili i tha Radios Evropa e Lirë se në pikën kufitare në Merdarë tashmë ka nisur të aplikohen procedurat e parapara ne marrëveshje.
Rexhepi tha se marrëveshja vlen edhe për pikat kufitare në veri të Kosovës, por se nuk mund të zbatohet në atë pjesë të vendit për shkak të barrikadave të vëna nga serbët lokalë me të cilat pamundësohet liria e lëvizjes.
“Marrëveshja vlen natyrisht edhe për veriun e Kosovës, por në veriun e Kosovës nuk ka fluks të lëvizjes për shkak të barrikadave dhe teknikisht kompanitë e sigurimeve ende nuk kanë bërë zgjidhje për t’i pasur kontejnerët përkatës”, tha ai.
Kosovapress, njofton gjithashtu se lajmi për vendosjen e policive kufitare, ka shqetësuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, të cilët thonë se me këto tarifa goditen vetëm shqiptarët e Kosovës Lindore.
“Me këto tarifa pagesore goditen vetëm shqiptarët e Kosovës Lindore, ngaqë ata kanë nevojë të qarkullojnë mes kufijve Serbi-Kosovë, më shumë sesa serbët kosovarë. Në vend që Kosova për bashkëkombësit e vet të kujdeset që t’ua lehtësojë qarkullimin e lirë, ajo edhe më shumë i shtrëngon ata të integrohen në Serbi, madje edhe të asimilohen kombtarisht. Si mund ta ruajnë shqiptarët e Kosovës Lindore identitetin, kur atyre u gjobiten paratë në emër të kalimit kufitar, për t’u takuar me të afërmit e tyre, për t’u shkolluar e për të zhvilluar biznes”, thuhet në reagim Partisë Demokratike Kombëtare.
Më tej, theksohet se me këto veprime, Qeveria e Kosovës po e vështirëson komunikimin me vëllezërit e saj në krahun e saj lindor duke i lënë ata matanë kufirit në mëshirën e ligjeve të Serbisë dhe kamxhikut financiar, nëse hyjnë në shtetin e dytë të tyre amë, Kosovën.
© Panorama.al











