PRISHTINE- Qeveria e Kosovës e ka thënë shumë herë qartë, asnjëherë nuk do pranojë të flasë për veriun e Kosovës me Serbinë, në dialogun e “lehtësuar” nga Brukseli.
Sidoqoftë, nuk shkuan shumë muaj nga nisja e dialogut kur qeveria kosovare jo vetëm që u pajtua të flasë për diçka që i përket veriut, “pikat e kalimit” me Serbinë, mirëpo edhe arriti marrëveshje para temave të tjera që kanë qenë në agjendë nga fillimi i dialogut.
“Zëri” ka marrë vesh nga burime zyrtare vendore që edhe i tërë veriu do jetë pjesë e dialogut me Beogradin, mirëpo për këtë Prishtina duhet të lëshojë pe.
“Presionet po bëhen në të njëjtën kohë edhe ndaj Beogradit edhe ndaj Prishtinës. Serbisë i kërkohet të pranojë mundësinë që Kosova të marrë pjesë në nismat rajonale e ndërkombëtare me të drejtë vote, ndërsa pas kësaj Prishtina duhet të krijojë mundësinë që serbëve në veri t’u jepet diçka më shumë”.
Ky zyrtar nuk pranon të tregojë nëse fjala është për diçka më shumë sesa që ofron për komunitetin serb, Pakoja e Ahtisaarit apo çfarë saktë.
© Panorama.al











