Me ndihmat ruse, një ikonë e Putinit për serbët

Dec 16, 2011 | 9:22

Kamionet me ndihmat ruse  për serbët e veriut të Kosovës, të bllokuara që nga e marta në pikëkalimin në Jarinë, është nisur pak pas orës shtatë në drejtim të Mitrovicës.

Ndihma, njoftojnë mediet serbe, do t’i dorëzohet Kryqit të Kuq të Serbisë në Zveçan ku gjendet një depo e madhe e kësaj organizate.

Pasi u arrit marrëveshja e kalimit në Kosovë, më shumë se 20 kamionë me 300 tonë, me përcjellje të Policisë së EULEX-it gjatë natës kanë kaluar kontrollin në pikën kufitare të Jarinës dhe pastaj janë nisur për në Kosovë. Policë të EULEX, të cilët në Jarinë shkuan përmes Merdarit, kanë bërë kontrollimin dhe kanë lëshuar kamionët.

Ndihmat në Zveçan sot do t’i dorëzojë ambasadori rus në Beograd Aleksandar Konuzin. Ai serbëve të Kosovës do t’ua dhurojë edhe një ikonë që kryeministri rus Vladimir Putin ua ka dhuruar serbëve në Kosovë.

BE e shqetesuar

Bashkimi Evropian është i interesuar që sa më parë të mundësohet kalimi i ndihmave humanitare ruse për në pjesën veriore të Kosovës, thanë përfaqësues të këtij institucioni, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ata bënë të ditur se pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Rusisë janë duke vazhduar kontaktet me të gjitha palët e përfshira deri në gjetjen e mundësive për zbatimin e marrëveshjes.

Edhe pse kundërshtoi ekzistimin e një krize humanitare në veri të Kosovë, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijançiç, theksoi për Radion Evropa e Lirë rëndësinë e arritjes sa më parë të ndihmave në vendin e paraparë.

Ajo tha se kamionët do të shoqërohen nga misioni evropian në Kosovës, që ka edhe mandatin për ta bërë këtë.

“Ne besojmë se për 27 kamionët, duhet të ketë një përcjellje të duhur si në çdo rast në Evropë në përputhje me standardet e zbatueshme, qëndrim ky të cilin e ndajmë me Federatën ruse”, tha ajo.

Deri më tani, Moska zyrtare ka kundërshtuar të respektojë shoqërimin nga policia e EULEX-it. Ata kanë kundërshtuar gjithashtu kalimin e ndihmave përmes pikës kufitare në Merdarë duke thënë se nuk do të respektojnë procedurat shtetërore të Republikës së Kosovës.

Për mënyrën e shpërndarjes së këtyre ndihmave folën të mërkurën mbrëma edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton.

Jahjaga tha se ndihmat humanitare që vijnë në Kosovë duhet të ndjekin rregullat e njohura ndërkombëtare dhe procedurat që rregullojnë shpërndarjen e ndihmave.

Jozyrtarisht mësohet se është arritur marrëveshja edhe për zbatimin e marrëveshjes Bruksel – Moskë.

Sipas planit, megjithatë të pakonfirmuar, thuhet se vargu i kamionëve do të përcillet nga pesë vetura të EULEX-it.

© Panorama.al

Te lidhura