
Nënshkrimi i marrëveshjes për vulat doganore nuk do të thotë se embargoja e Kosovës për mallrat e Serbisë do të hiqet.Kështu është shprehur dje zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, duke komentuar marrëveshjet e arritura mes dy palëve në Bruksel. “Marrëveshja mbi vulat doganore nuk nënkupton heqjen e menjëhershme të masave të reciprocitetit. Vendimi për reciprocitetin ndryshohet në momentin kur vlerësohet plotësimi i të gjitha kushteve. Natyrisht, në parim është arritur marrëveshja për pranimin e vulave në formatin siç kanë qenë para tre viteve, që atëherë ishin refuzuar nga Serbia. Pra, në formatin e vulave nuk ka ndryshuar asgjë dhe ata i kanë pranuar ashtu”, ka thënë ajo. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve të fundit, përfaqësuesit e komunave paralele të Zveçanit, Mitrovicës dhe Zubin-Potokut kanë kërkuar ndërrimin e shefit të delegacionit serb për bisedime me Prishtinën, Borislav Stefanoviç. Sipas tyre, “Stefanoviçi që kur bisedon me Prishtinën, i ka sjellë dëme serbëve të Kosovës, më shumë se bashkësia ndërkombëtare në 12 vitet e fundit”. Ata shtuan se Stefanoviçi nuk e gëzon besimin e serbëve të Kosovës dhe të liderëve të tyre në Veri. “Serbët prej 12 vitesh kanë arritur t’i mbajnë institucionet e tyre në Veri, i kanë përdorur dokumentet dhe tabelat serbe, ndërsa për shkak të marrëveshjes së arritur në Bruksel, që nga 1 nëntori duhet të përdorim tabela dhe dokumente të Kosovës”, thanë ata. Për më tepër, lideri i serbëve të Zveçanit në Veri, pas vendosjes së trupave të KFOR-it në pikat e kalimit në Veri, tha se, “Nëse rrugët alternative mbyllen në mënyrë hermetike, ne nuk do të lejojmë KFOR-in që të furnizojë ushtarët e vet përmes atyre rrugëve, por këtë le ta bëjë përmes ajrit’, tha Dragisha Milloviç, duke paralajmëruar se qytetarët serbë do t’i kthejnë barrikadat në rrugë dhe në ura.
Bllokimi
Tre kamionë me karburante, që u ndaluan të shtunën mbrëma nga pjesëtarët e KFOR-it amerikan dhe maroken, në fshatin Banjskë të Zveçanit, janë kthyer për në Serbi. KFOR-i ka bllokuar rrugën alternative që shpie për në Novi–Pazar, me qëllim që të parandalojë transportimin e naftës dhe të mallrave në sasi mbi tri tonelata.
Xhandarmëria serbe bllokon rrugët
Të gjitha rrugët alternative nga Serbia për në Kosovë u bllokuan dje nga ana e xhandarmerisë së Serbisë. Sipas burimeve të “Kosovapress”, një veprim i tillë i Qeverisë në Beograd ka ardhur si pasojë e presionit ndaj Presidentit serb, Boris Tadiç, nga ana e faktorit ndërkombëtar. Bllokada e rrugëve nga xhandarmëria serbe ka për qëllim fillimin e zbatimit të marrëveshjes mbi vulat doganore.
© Panorama.al











