Kosovë, Ban: Shqetësim për situatën në veri

Jul 24, 2012 | 13:41

Sekretari i përgjitshëm i Kombeve të bashkuara, Ban Ki-mun ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës dhe ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet nëpërmjet një dialogu paqësor.

Këto komente ai i ka bërë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë një takimi të shkurtër me gazetarët.

Ai ka nënvizuar se duhet ndërmarrë hapa për arritjen e një respekti të ndërsjellë në rajon, duke e vlerësuar një gjë të këtillë si shumë të rëndësishme.

Sekretari i përgjithshëm ka ftuar të gjitha palët  që të intensifikojnë punën e tyre në çështjen e personave të zhdukur, ndërkaq ka nënvizuar se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm.

Ai ka shfrytëzuar këtë paraqitje para mediave në Prishtinë, për të shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e poetit me fame ndërkombëtare, Ali Podrimja, trupi i pajetë i të cilit u gjet në Francë të shtunën më 21 korrik.

Zoti Ban takohet me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi, dhe natyrisht me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, përfshirë këtu edhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Në orët e pasdites ai pritet të vizitojë edhe manastirin e Deçanit dhe të Prizrenit, për t’i dhënë kështu fund vizitës në Kosovë dhe për të vazhduar tutje për në Maqedoni.

Duke qenë se deri më tani gjatë turneut të tij ballkanik, ai ka qenë fjalëpak, edhe vlerësimet dhe pritjet nga kjo vizitë kanë qenë relativisht të kufizuara.  Kjo mbase ka lënë hapësirë edhe për interpretime nga më të ndryshmet për analistët dhe komentatorët e mediave.

© Panorama.al

Te lidhura