
Brukseli vendosi t’ia dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për kalimin pa viza në zonën “Shengen”. Dokumenti iu dorëzua ministres për Integrim, Vlora Çitaku, nga komisionerja e BE-së Sesilia Malmstrom. Zyrtarët kosovarë u shprehën optimistë se do t’i plotësonin pa asnjë problem të gjitha kriteret e kërkuara. Ndërkohë që komisionerja e BE-së, Sesilia Malmstrom, dorëzoi dokumentin e foli edhe për përmbajtjen e tij. Udhërrëfyesi për Kosovën përmban 101 kritere, sipas zyrtarëve kosovarë, dyfish më shumë nga ato të vendeve të tjera të rajonit. Zyrtarët e BE-së kanë sqaruar se kjo është bërë në mënyrë që të mos përsëriten gabimet që janë bërë me shtetet e tjera të rajonit. Ministrja Çitaku tha se marrja e udhërrëfyesit është fryt i punës së përgjithshme të institucioneve të Kosovës, por nuk ka përmendur ndonjë afat se për sa kohë do të mund të arrihet deri të liberalizimi i vizave.











