Kuçi: Kosova, drejt dialogut politik me Serbinë

Aug 7, 2012 | 17:18
Hajredin Kuçi

PRISHTINE- Kosova po shkon drejt dialogut politik. “Qeveria ende nuk ka marrë vendim, por presioni pozitiv i SHBA-së dhe BE-së, sipas zv.kryeministrit Hajredin Kuçi, po e bën të veten”, njoftoi KTV.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ai tha sot se nuk është marrë ndonjë vendim për dialog të mundshëm politik, por gjithçka do të shkojë në bazë të Kushtetutës, ndërsa takimi ndërmjet liderëve të nivelit të lartë do të bëhet në frymën e përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë. Ai ka thënë se fundi i këtyre takimeve do të duhej të përfundonte me një traktat paqeje midis dy vendeve, përderisa ende nuk janë bërë të ditura modalitetet e dialogut politik.

Kryeministri Hashim Thaçi ka folur për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë, duke theksuar përmbushjen e obligimeve nga ana e institucioneve. “Përgatitjet për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur janë duke ecur sipas planit dhe në koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, ai tha se për Kosovën po hapet një kapitull i ri me perspektivë evropiane. Po ashtu, në Qeveri është folur për marrëveshjen kontraktuale që pritet të arrihet me EULEX-in për mandatin e misionit në Kosovë deri në vitin 2014, ndërsa është miratuar projektligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale.

© Panorama.al

Te lidhura