
Tiranë, zyrtarët e arrestuar treguan 15 raste ryshfeti me peshoret.
Pendohen dy nga tetë të arrestuarit e skandalit të korrupsionit te Drejtoria e Metrlogjisë në Tiranë. Bashkëpunimi me drejtësinë i dy të arrestuarve të aksionit të koduar me emrin “Kalibrimi”, gjatë të cilit ranë në pranga tetë persona, u ka shërbyer gjashtë të dyshuarve, të cilët në Gjykatën e Apelit në Tiranë janë lënë të lirë në datën 5 janar 2012. Më 20 nëntor 2011, gazeta “Panorama” ka shkruar se zyrtarët e lartë, zv.drejtori Roland Çelmeta dhe Moisi Musabelliu nuk kanë pranuar të flasin duke kërkuar avokat, ndërkohë mes gjashtë inspektorëve, dy prej tyre janë “thyer” duke pranuar fillimisht akuzat e më pas duke dhënë shpjegime për veprimet e tyre, por edhe të kolegëve të tjerë, përfshi edhe eprorët. Burime nga hetimi i çështjes refuzuan dje t’i bëjnë publikë emrat e dy personave “të penduar” mes tetë të arrestuarve, duke i konsideruar ata bashkëpunëtorë të mundshëm të hetimit. Me sa duket, kjo gjë ka ndodhur pasi ka qenë vetë Prokuroria e Apelit të Tiranës, e cila ka kërkuar në Gjykatë lirimin e Roland Çelmetës dhe pesë të arrestuarve të tjerë. Nuk është ende e qartë mënyra si është argumentuar nga Prokuroria e Apelit kjo kërkesë, ndonëse njësia Task-Forcë Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës pretendonte se kishte siguruar prova të mjaftueshme e për më tepër kishte dokumentuar rastet e korrupsionit. Gjatë hetimeve paraprake që u finalizuan në nëntor 2011 me arrestimin e tetë zyrtarëve, ishin dokumentuar mbi 15 raste kalibrimesh fiktive dhe marrje ryshfeti nga të arrestuarit. Ata bënin sikur regjistronin e korrektonin peshorët e dyqaneve e qendrave tregtare apo karburanteve, por ndërkohë i linin ato të regjistruara sipas interesave të pronarëve, të cilëve u merrnin shuma ryshfeti për këtë tolerim. Pas arrestimit të tetë të dyshuarve, me caktimin e masave të sigurisë në Gjykatë, u bënë publikë edhe emrat e dëshmitarëve të rasteve të korrupsionit. Nisur nga ky fakt, me sa duket organi i akuzës ka dashur të ndjekë strategjinë e marrjes së provave nga brenda grupit të zyrtarëve, duke “penduar” dy prej tyre. Burimet e hetimit nuk komentuan të dhënat se këta persona që dhanë shpjegime janë pikërisht Kristaq Thanasi dhe Armand Xhika, të cilët kanë edhe pozitën më të rënduar penale për shkak të ekspozimit të disa rasteve flagrante korrupsioni dhe po ashtu më të shumta në numër. Objekti i hetimit të Prokurorisë ka qenë roli dhe dijenia që ka pasur zv.drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, Roland Çelmeta, në lidhje me abuzimin me detyrën. Nën akuzë është vendosur edhe drejtori i Metrologjisë për Tiranën, Moisi Musabelliu. Të arrestuarit Kristaq Thanasi, Moisi Musabelliu dhe Armand Xhika, sipas përgjimeve të Prokurorisë, janë personat që kanë pasur komunikim me Roland Çelmetën, kur ky i fundit u ka thënë të kontrollonin karburantet pasi pronarët e tyre “do t’i respektonin”. Inspektorët janë përgjuar teksa i thonë Çelmetës se bizneset nuk japin ryshfet dhe “u thamë se do t’ju sjellim drejtorin këtu”. tr.so
Të arrestuarit
Roland Çelmeta, zv.drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë
Moisi Musabelliu, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Kristaq Thanasi, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Hetem Basho, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Armand Xhika, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Armand Shuaipi, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Agron Damzi, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
Sokol Lami, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë
*Për gjashtë prej tyre Apeli ka ndryshuar masat e sigurisë
© Panorama.alTiranë, gjykatat “bum lirimesh” nga burgu
Ish-zyrtarët e Drejtorisë së Metrologjisë nuk janë të vetmit që kanë përfituar lirimin nga paraburgimi bazuar në vendimet e Prokurorisë dhe gjykatave. Kështu, Gjykata e Tiranës, më 29 dhjetor 2011 ka vendosur lirimin nga paraburgimi për shtetasin Admond Temali. Sipas deklaratës së Policisë, ky shtetas ishte arrestuar nga forcat e rendit në Durrës si pjesë e një grupi personash që po mbante dhe qarkullonte 101 milionë dollarë kartëmonedha false. Gjykata e Tiranës po kështu ka lënë të lirë një tjetër shtetas të akuzuar nga Njësia Task-Force Antikorrupsion. Agostin Lekgegaj, ish-polic i Bashkisë së Tiranës, i arrestuar në korrik 2011 me akuzën e korrupsionit së bashku me dy persona të tjerë, është lënë i lirë më 31 dhjetor 2011, ndonëse koha e arrestit i përfundonte më 1 janar 2012.











