Korrupsioni, çfarë s’ka funksionuar në Shqipëri

Dec 1, 2011 | 16:41
Miklosh Marschall, drejtor i Evropës dhe Azisë Qendrore në TI

Pas publikimit të indeksit të korrupsionit për vitin 2011 nga Transparency International (TI), ku niveli i korrupsionit në Shqipëri thuhet se është përkeqësuar, drejtori i rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore në TI, Miklosh Marschall ka komentuar në një intervistë për Deutsche Welle në shqip rezultatet e indeksit për rajonin juglindor, Shqipërinë dhe Kosovën.

Marschall thotë se pavarësisht disa reformave të rëndësishme që ka bërë Shqipëria, përmirësimet janë shumë të ngadalta.

“Duhet thënë se cilësia e administratës publike në Shqipëri le shumë për të dëshiruar. As sistemi juridik nuk i ka përmbushur pritshmëritë, po ashtu edhe ekonomia informale ka ende shkallë të lartë lulëzimi. Sektori pra jashtë juridiksionit, siç e quajmë ne, është tepër i fuqishëm në Shqipëri, pra qeveria ende nuk e ka vënë nën kontroll këtë sektor.”- thotë Marschall.

Lufta politike në Shqipëri është një tjetër arsye, sipas Marschall që ka ndikuar në përkeqësimin e treguesve të korrupsionit në Shqipëri, duke shtuar se, tashmë që situata politike në vend është qetësuar, qeveria mund të fokusohet më shumë në vazhdimin e reformave.

Sipas TI, Shqipëria ka rënë nga vendi i 87 në 2010 në vendin e 95 në 2011.

Lidhur me Kosovën, Marschall thotë se treguesit nuk janë një certifikatë e mirë për qeverinë, por sipas tij “ajo që duhet veçuar është se Kosova është një shtet i ri, në fillimet e qenies si shtet, por  pikërisht tani qeveria duhet të japë një dëshmi se di ta drejtojë vendin, prandaj korrupsioni është një çështje shumë më tepër serioze për një shtet të ri.”

© Panorama.al

Te lidhura