Korçë, vetëvaret në park 29-vjeçari, dyshim për borxhet

Jan 27, 2012 | 13:18

KORÇE – Mungesa e të ardhurave nga papunësia dhe lojërat e fatit dyshohet se e kanë çuar drejt vetëvrasjes një 29-vjeçar nga qyteti i Korçës. Trupi i pajetë i Fjoraldo Berberit është gjetur i varur në një pishë në zonën e parkut “Rinia” të qytetit. I riu ka përdorur një litar për t’u vetëflijuar në zonën kodrinore të këtij parku, e cila është pak e vizituar. Viktima, Fjoraldo Berberi, është gjetur nga kalimtarë të rastit i vetëvarur në lagjen Nr.1 të Korçës dhe kanë qenë ata të cilët kanë dhënë edhe sinjalizimin e parë. Sipas përshkrimit, ngjarja është regjistruar pikërisht në zonën e Belvederes, pas mesnatës së djeshme. Policia bën të ditur se 29-vjeçari ishte beqar dhe jetonte me dy prindërit e tij të moshuar në një banesë private në lagjen Nr.2 në Korçë. Pas ngjarjes, policia ka nisur edhe hetimet, ku si rrjedhojë e këtyre të fundit është përjashtuar pista e vrasjes. Në lidhje me rastin janë marrë në pyetje edhe prindërit e viktimës, të cilët kanë mohuar që i riu të ketë pasur probleme depresive. Burime zyrtare nga Policia sqaruan se hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar. Sipas tyre, ende nuk ka një pistë specifike dhe ngjarja është e pazbardhur deri në detaje, por është duke u punuar për sqarimin e të gjitha rrethanave. Shkak i vetëvarjes dyshohet gjendja e vështirë ekonomike, pasi 29-vjeçari jetonte pa asnjë të ardhur dhe mes shumë borxheve, ndërsa mësohet se viktima ishte klient i rregullt i lojërave të fatit. Për shkak të parave, mendohet se i riu mund të ketë kaluar në depresion të thellë, duke i dhënë fund jetës.                                                                          dh.d

© Panorama.al

Te lidhura