Vetëvritet duke u hedhur nga kati i katërt i konviktit të Universitetit të Korçës një studente 19-vjeçare. Zenika Beka, nga fshati Radokal i Pogradecit, ka gjetur vdekjen e menjëhershme duke u hedhur nga kati i katërt i konviktit ku ishte akomoduar për studimet e saj.Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në qendrën e trajtimit të studentëve konviktorë të universitetit “Fan.S.Noli” të Korçës. Studentja e Bio-Kimisë, në mënyrë të befasishme është ngjitur në parvazin e dritares, për të realizuar aktin vetëflijues. Askush nuk ka qenë prezent në atë moment për të parë e më pas shmangur tragjedinë. Vetëm kur 19-vjeçarja është parë në tokë në gjendje të pajetë, është dhënë alarmi. Menjëherë është sinjalizuar policia, e cila ka nisur hetimet për këtë rast vetëvrasjeje. “Shtetësja me inicialet Z.B, 19 vjeç nga fshati Radokal i rrethit të Pogradecit, ka gjetur vdekjen duke u hedhur nga kati i katërt i konviktit të qendrës së trajtimit të studentëve në Korçë”, pohoi zëdhënësja e Policisë Rajonale për këtë ngjarje. Shkaku i kësaj vetëvrasjeje është qartësuar pak a shumë me hetimet e policisë në vendngjarje. Zenika Beka, mësohet nga të dhënat e para se është hedhur qëllimisht për vetëvrasje nga kati i katërt i konviktit. Ka qenë motiv një lidhje sentimentale ajo që mendohet se ka shtyrë studenten e vitit të dytë të degës Bio-Kimi në Universitetin e Korçës në këtë akt. Sipas dëshmive të para që ka arritur të mbledhë policia, 19-vjeçarja, prej afro një muaji më parë ishte fejuar nga familja jashtë dëshirës së saj. Ndërkaq, vajza ka pasur edhe një të dashur, për të cilin dyshohet se ka sakrifikuar jetën e saj. Sipas të dhënave të policisë, pasditen e së dielës, para se të ndodhte ngjarja tragjike, studenten e ka takuar i dashuri, i cili mendohet se me këtë takim ka ndikuar edhe në ndërmarrjen e aktit ekstrem. Policia tha se ka shoqëruar të dashurin e studentes që kreu vetëvrasjen, si dhe dy shoqe të dhomës së saj në konvikt, të cilat paraprakisht kanë pohuar se nuk ishin të pranishme kur viktima u hodh nga dritarja e katit të katërt të dhomës së konviktit ku ishte vendosur. Policia tha se po heton në pistën e një rasti vetëvrasjeje për motive sentimentale, nisur nga fejesa e 19-vjeçares dhe lidhja e saj me një tjetër person, i cili i ka shkuar për takim pasditen e së dielës. “Dy shoqe të dhomës me të cilat ishte akomoduar 19-vjeçarja Beka, si dhe i dashuri i saj, i cili ishte i pranishëm në ambientet e qendrës së trajtimit të studentëve të Universitetit të Korçës, janë shoqëruar në polici për të dhënë sqarimet e tyre lidhur me këtë akt vetëvrasjeje”, tha policia. Nga hetimet e para, ka dalë se 19-vjeçarja është hedhur nga kati i katërt i dhomës së konviktit, nga ana e pasme e tij që nuk ka sheshpamje me godinat e tjera të këtij konvikti.
1 muaj
më parë, sipas të dhënave të policisë, rezulton të ishte fejuar studentja e Bio-Kimisë, e cila njëkohësisht kishte të dashur, edhe ai student në Universitetin e Korçës
KORÇE/ GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











