Korçë, rikonstruktohet Poliklinika e qytetit

May 3, 2011 | 12:17
Ministri Vasili gjatë ceremonisë së djeshme

KORÇE – Përfundon rikonstruksioni i godinës së Poliklinikës së qytetit të Korçës. Jo vetëm pamja e jashtme, por dhe brenda ajo ka ndryshuar, duke u pajisur me bazë materiale dhe aparatura bashkëkohore, çka bën, sipas ministrit të Shëndetësisë Vasili, që pacientët të mos kenë më nevojë të udhëtojnë drejt Tiranës apo qyteteve greke për t’u diagnostikuar. “Korça sot ka poliklinikën më moderne në vend, që mundëson diagnostikimet me fjalën e fundit të shkencës dhe teknikës dhe me një staf mjekësor shumë të kualifikuar, të aftë dhe të përkushtuar ndaj të sëmurëve”, pohoi ministri Vasili, i pranishëm në ceremoninë e përurimit të rikonstruksionit të godinës. Ky rikonstruksion është në vijim të implementimit të programit “Rehabilitimi dhe pajisja e 5 poliklinikave”, financuar me kredi të qeverisë italiane, në shumën prej 5 080 000 eurosh, i cili si objektiv të përgjithshëm ka përmirësimin e kushteve të ambienteve ku ofrohet shërbimi shëndetësor dhe si objektiv specifik, përmirësimin e dhënies së shërbimeve të specializuara në poliklinikat e specialiteteve nr. 2 dhe 3 në Tiranë, si dhe në poliklinikat Korçë, Gjirokastër, e Peshkopi. Në to ndërhyhet me punime rehabilitimi fizik dhe impiante e pajisje, me synim përfitimin kështu të ambienteve funksionale higjienikisht të përshtatshme, në përputhje me normat e sigurisë për pacientët dhe punonjësit. Vetëm për Poliklinikën e Korçës ishin planifikuar në total 1 210 280 euro, nga të cilat 558 780 euro u përdorën për rehabilitimin fizik, tashmë të përfunduar dhe pjesa tjetër (651 500 euro), planifikuar për pajisjet mjekësore të saj.

© Panorama.al

Te lidhura